1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hapet rruga për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë

Udhëheqësit e partive kryesore politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, ranë dakord që të mërkurën (07.05.2014) të nisin procedurat për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Gjatë një takimi (06.05.2014) që udhëheqësit e partive kryesore politike zhvilluan me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga u ra dakord për nisjen e procedurave të shpërndajes së parlamentit dhe organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Presidentja Jahjaga, tha pas takimit se ajo “është informuar nga udhëheqësit e partive politike për gjendjen në Kuvendin e Kosovës, për pamundësinë e vazhdimit të marrjes së vendimeve të rëndësishme për proceset e vendit, përfshirë pamundësinë e votimit për Forcën e Armatosur të Kosovës dhe nevojën e shpërndarjes së Kuvendit me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme në vend”.

Jahjaga pritet të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme

“Udhëheqësit e partive politike parlamentare të pranishëm në takim theksuan domosdonë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në një afat optimal me qëllim të nxjerrjes së vendit nga bllokada politike”, tha presidentja Atifete Jahjaga. Presidentja Jahjaga, nuk përmendi ndonjë datë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, por kryeministri Hashim Thaçi, tha pas takimit se: “Jemi pajtuar të nisim procedurat për shpërndarjen e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje më 8 qershor". Për datën 08.06 që të mbahen zgjedhjet e përgjithshme janë pajtuar pothuaj të gjithë udhëheqësit e partive politike të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës, por kjo datë apo ndonjë datë tjetër në bazë të Kushtetutës së Kosovës duhet të caktohet nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Ndërkaq, tashmë është e qartë se votimi për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk do të arrihet në këtë legjislaturë. Kjo për faktin se nuk u arrit koncensusi politik për vazhdimin e mandateve të rezervuara për pakicat, kushti ky i përfaqësuesve të pakicave për të votuar për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës ( FAK ).