1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hapet procesi NSU - Në Mynih zhvillohet një nga proceset më të mëdha në historinë e drejtësisë gjermane

Procesi filloi i shoqëruar nga një prani e madhe policore. E akuzuara kryesore është Beate Zschäpe. Që në fillim të procesit pati konfrontime.

Pas mosmarrëveshjeve të gjata filloi me gati tri javë vonesë procesi ndaj celulës ekstremiste të djathtë "Nationalsozialistischer Untergrund" (Ilegaliteti Nacionalsocialist). Në një nga preoceset më të mëdha penale të dekadave të fundit janë në bankën e të akuzuarve Beate Zschäpe e dyshuar si terroriste neo-naziste dhe katër persona që dyshohen si ndihmës të NSU-së.

Që në fillim atë procesit avokatët e Beate Zschäpe hodhën pretendimin për largimin e kryetarit të trupit gjykues Manfred Gëtzl për njëanshmëri. Arsyeja ishte urdhëri i tij që avokatët duhet t'i nënshtroheshin para se të hynin në sallën e gjyqit kontrollit për armë, kurse përfaqësuesi i Prokurorit të Përgjithshëm Federal, si dhe policët dhe personeli i gjykatës jo. Ky qe një diskriminim i ndërgjegjshëm dhe fyerje për avokatët, thuhej në kërkesën që lexoi në fillim të procesit avokati Wolfgang Stahl. Gjykata e refuzoi një herë për herë marrjen e vendimit për këtë kërkesë.

Rreth 80 anëtarë të familjeve të viktimave janë bashkëpaditës, në proces dhe përfaqësohen nga 60 avokatë.

E akuzuara kryesore Beate Zschäpe u soll në sallën e gjyqit pa pranga. Deri në fillimin e gjyqit ajo bisedoi me avokatët e saj. Dy nga të pandehurit u munduan të fshihnin fytyrën me dosje dhe kapuçë prej blicve të fotografëve. Që para hapjes së procesit para gjykatës në Mynih qenë vendosur masat të rrepta sigurie, kur rreth 500 policë kujdesishin për të garantuar një fillim pa probleme të procesit të gjykimit.

Mobilizim i madh i forcave të rendit

Mobilizim i madh i forcave të rendit

Demonstrata kundër terrorizmit të djathtë

Një sërë grupesh protestuan para gjykatës kundër dhunës neo-fashiste dhe kundër racizmit. Në mesin e tyre kishte edhe shoqata turke. "Shans për Drejtësinë" dhe "Si mund të vrisnin kaq shumë vetë?" shkruhej në parullat e demonstruesve. Si vëzhgues në proces kishin ardhur shumë deputetë turq.

38-vjeçarja Beate Zschäpe akuzohet për bashkëfajësi në të gjitha veprat e grupit terrorist Zwickau - ndër to edhe nëntë vrasje pronarësh dyqanesh me origjinë turke dhe greke, vrasjen e një policeje, dy sulme me lëndë eksplozive dhe plaçkitje të shumta bankash. Më shumë se 13 vjet Zschäpe kishte jetuar bashkë me Uwe Mundlos dhe Uwe Bëhnhardt nën identitete të rreme. Mundlos dhe Bëhnhardt vranë veten në nëntor të vitit 2011 në mënyrë që t'i shpëtonin arrestit nga policia.

Dosje voluminoze për zbardhjen e rastit

Dosje voluminoze për zbardhjen e rastit

Pritje të mëdha

Procesi me sa duket do të jetë një nga më të mëdhejtë në historinë e drejtësisë gjermane. Para fillimit të gjykimit viktimat dhe të afërmit e tyre kërkuan "zbardhje maksimale" nga drejtësia gjermane. Avokatët e tyre shprehën gjithashtu shpresën se në fund të procesit nuk do të ketë vetëm një dënim të të akuzuarve "por edhe një identifikim të qartë të bashkëpërgjegjësve". Këshilli Koordinues i muslimanëve tha se ka pritje të mëdha nga procesi. Sidomos duhet të qartësohet ndonjë përfshirje e mundshme e autoriteteve.