1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Fakte mbi Gjermaninë

Hapat e parë në "Perëndimin e artë"

Natën kur ra muri i Berlinit, gazetari i sotëm i Deutsche Welle-s Hardy Graupner, punonte ende në radion e jashtme në ish-RDGJ. Ngjarjen historike ai e kujton me ndjenja të përziera.

9 nëntori 1989 filloi për mua si një ditë fare normale pune. Unë isha spiker lajmesh në programin anglez të Radio Berlin International, radion e jashtme të RDGJ-së (Republika Demokratike e Gjermanisë). Ishte një kohë plot kthesa të rrëmujshme në Lindje dhe për ne tejet e vështirë të vlerësonim se ku do të çonin këto zhvillime. Si gazetar unë kisha akses edhe pse të kufizuar tek agjencitë e huaja të lajmeve, çka më ndihmonte t'i analizoja ngjarjet politike. Kur morëm lajmin se gjermanolinorët lejoheshin të udhëtonin në Perëndim, fillimisht nuk mund ta besoja. Radioja jonë vendosi asokohe ta injoronte për një farë kohe lajmin. Kryeredaktori ynë donte të ishte i sigurt që ne mund të informonim vërtet për këtë në emisionet tona.

Përzierje kureshtjeje dhe frike

Në televizionin gjermanoperëndimor pamë shumë shpejt se si qindra gjermanolindorë kishin nxituar në pikëkalimet kufitare të murit, për të debatuar me punonjësit e kufirit. Ajo që pasoi ka hyrë në librat e historisë: muri i Berlinit ra. Ngjarjet e asaj nate shënuan fillimin e fundit të RDGJ-së. Por atë të enjte unë nuk isha ende shumë i sigurt nëse po shkonim drejt një të ardhmeje të ndritur apo drejt një katastrofe.

Vetëm në fundjavën pas rënies së murit unë udhëtova për në Berlinin perëndimor. Kapërceva Spree-në dhe hyra në lagjen perëndimore Kreuzberg me një përzierje kureshtjeje dhe frike. Do të kisha bërë mirë të mos e kisha zgjedhur atë pjesë qyteti si destinacion të vizitës sime të parë në Perëndim. Sepse ajo që pashë ishin rrugë të pista dhe të rrënuara, mure shtëpish të mbushura me grafiti. "Ky nuk mund të jetë Perëndimi i artë", mendova.

Checkpoint Charlie në rrugën Friedrichstraße pas rënies së murit të Berlinit në 1989

Checkpoint Charlie në rrugën Friedrichstraße pas rënies së murit të Berlinit në 1989

Shkëlqim dhe rrëzëllitje

Vendosa të merrja një tren ndërurban drejt qendrës. Dhe vërtet, atje në rrugët përreth Kurfürstendamm, pashë më në fund një metropol plot shkëlqim dhe rrëzëllitje. Asokohe nuk kisha asnjë markë gjermane në xhep, ecja përgjatë rrugëve, shihja vitrinat e dyqaneve dhe u fola me shumë ndrojtje disa gjermanoperëndimorëve. Ata e dalluan menjëherë që isha "lindor". Nga e dalluan, i pyeta. A mos vallë veshja ime ishte aq e tmerrshme? "Jo", ishte përgjigja, "veshja juaj është në rregull. Është vështrimi i pasigurt në sytë tuaj dhe mënyra si u hapni vend kalimtarëve të tjerë. Ne këtu shtyjmë me qëllim njëri-tjetrin."

Një herë "lindor", gjithmonë "lindor"

Sot, shumë vite më pas, unë ende nuk shtyj askënd. E kam ruajtur mentalitetin tim gjermanolindor. Kjo do të thotë edhe se u ruhem njerëzve që shajnë çdo gjë nga ish-RDGJ. RDGJ ka pasur vërtet qeveri që vlerësonin gjëra të tmerrshme si muri i Berlinit dhe shërbimi i fshehtë, Stasi. Por në atë vend unë kam kaluar edhe një fëmijëri të shkujdesur pa halle dhe mora arsim pa pagesë, që më vonë më mundësoi të ushtroja një profesion interesant. Të gjitha këto pa qenë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste apo informator i Stasi-t.

Jeta ime ka ndryshuar shumë në Gjermaninë e ribashkuar, edhe pse nuk është përmbysur. Me shumë fat arrita të merrja një vend në Deutsche Welle në fillim të viteve 1990. Një fytyrë krejt tjetër e gazetarisë për mua. Maksima perëndimore demokratike e informimit të balancuar dhe aksesit të lirë tek informacioni është vërtet një bekim.

Askush nuk e do rikthimin e RDGJ-së

Edhe jeta ime private ka ndryshuar mjaft: nuk ka më pritje në radhët e gjata para dyqaneve. Nuk më duhet të pres më dhjetë vjet për një makinë të re. "Trabantin" tim të vjetër e kam braktisur prej kohësh. Edhe liria për të udhëtuar nëpër botë është diçka shumë e këndshme. Kur paratë nuk mungojnë, të hapet përpara e gjithë bota.

Ishte bukur të përjetoje si u rinovuan plotësisht qytetet gjermanolinodre. Tani ato janë shumë më moderne dhe plot ngjyra, pikat e vjetra turistike janë ruajtur. Dhe infrastruktura në lindje të Gjermanisë është një nga më të mirat në botë, veçanërisht sa i takon rrjetit rrugor dhe telekomunikacionit.

Megjithatë është për të të ardhur keq që papunësia në lindje vazhdon të jetë aq e lartë. Shumë prej miqve dhe të afërmve të mi humbën punën pas rënies së murit dhe pyesin veten nëse ekonomia e lirë e tregut e Perëndimit është vërtet kaq e lakmueshme. Megjithatë një gjë është e qartë: askush nuk e dëshiron rikthimin e RDGJ-së.