1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hapa të vegjël në drejtimin e duhur

Ashtu siç pritej BE vendosi për një pakt të ri fiskal. Por shumë çështje urgjente mbeten të hapura, mendon Bernd Riegert.

default

Angela Merkel, kancelarja gjermane, që prezantohet në pjesën tjetër të Evropës si zonja e hekurt, i ka qëndruar vetvetes besnike. Ajo kishte shpallur hapa të vegjël në drejtim të një zgjidhjeje të krizës së borxhit dhe të besimit. Dhe këtu edhe ka mbetur. Bashkimi Evropian në samitin e tij të fundit eci me centimetra përpara, por gjithsesi lëvizi. Sinjali i kërkuar nga tregjet financiare, nga FMN dhe BQE, që Europa, apo Gjermania, të vënë më shumë para në qarkullim, për të shmangur rrezikun e falimentimit të shteteve, nuk gjeti përgjigje. Kancelarja e kishte thënë këtë në forumin ekonomik botëror dhe nuk la të impresionohej nga asgjë.

Një tjetër premtim

Por sinjali nga Brukseli për investitorët potencialë është: Shikoni! Ne vendosim një pakt më të egër fiskal dhe premtojmë që në të ardhmen të respektojmë rregullat e buxhetit. Në se kjo do t'u bëjë përshtypje tregjeve financiare, mbetet e diskutueshme. Sepse pakti fiskal, emri i të cilit tingëllon disi i pakëndshëm, do të ndikojë pas shumë kohe. Derisa të ashtuquajturat frena të borxhit, apo rregullat e arta për balancimin e buxheteve të bëjnë efektin e tyre, do të kalojnë shumë vite. Shumë hollësi janë të pasqaruara. Defekti i lindjes së paktit është, që dy prej 27 anëtarëve të BE nuk janë të përfshirë aspak në të. Britania e Madhe dhe çuditërisht edhe Çekia nuk duan ta nënshkruajnë paktin. Megjithatë fakti, që 25 shtete marrin pjesë, është në vetvete një sukses.

Me marrëveshjen e re do të hyjë më shumë disiplinë buxhetore në Evropë, në qoftë se pakti dhe dënimet, që ai përmban, aplikohen dhe zbatohen me të vërtetë. Shumë nga hapat nuk janë të rinj, janë legjislacion tashmë ekzistues në BE. Çmimi, të cilin Europa paguan për paktin, është: Çdo gjë bëhet edhe më e komplikuar. Krahas 17 shteteve të eurozonës, 27 anëtarëve të BE, tani edhe 25 shtetet e paktit me procedurat dhe përgjegjësitë e tij. Kush do të mbajë në të ardhmen samite, kur dhe me kë, kryetarët e shteteve dhe të qeverive nuk mundën ta sqaronin këtë pikë. Kjo pikë, si dhe shumë të tjera, u shty për në mars. Frika është se investitorët jashtë Europës, të cilët nuk janë ekspertë për ligjin e BE, nuk i njohin konstruksionet e ndërlikuara ligjore të paktit.

Mungojnë përgjigjet për pyetjet e ngutshme

Angela Merkel ka penguar një diskutim të mëtejshëm për masat domosdoshmërisht urgjente për stabilizimin e eurozonës. Ky është një gabim i pafalshëm. Nuk u bisedua as për Greqinë dhe as për zgjerimin, apo kombinimin e fondit të shpëtimit. Mekanizmi europian i stabilitetit (ESM), një fjalë articiale për një fond monetar evropian, u vulos me të vërtetë me kontratë, por qysh sot është e qartë, se volumi i tij prej 500 miliardë eurosh është tepër i vogël, për të penguar efektet e infektimit. Vetëm me ngadalë dhe me mund kryetarët e shteteve dhe qeverive ecin në labirintin e krizës financiare. Disa masa, që janë aprovuar në të kaluarën, kanë dështuar.

A i kujtohet dikujt leva, me të cilën duhet të dyfishohej fondi i shpëtimit? Për të nuk flet më askush. Investitorët nuk i besojnë këtij modeli. Pjesëmarrja e kreditorëve privatë në ristrukturimin e shteteve në borxhe nuk ishte një ide e shkëlqyer, që ka realizuar Angela Merkel. Tani reduktimet e borxheve shpjegohen si një hap i gabuar në rastin e Greqisë, sepse tregjet reaguan me një grevë të blerësve të obligacioneve shtetërore. Ku janë 200 miliardë eurot, që Europa donte t'ia huante FMN-së? Të hollat duhet të paguheshin për krishtlindjet 2011. Deri sot shtetet kërkojnë në arkat e tyre bosh.

Kërkimi vazhdon. Kancelarja e quan, ecje me hapa të vegjël. Ajo i ka qëndruar vetes besnike. Sa kohë do të shkojë mirë? Për aq kohë, sa Banka Qendrore Evropiane (BQE) të bashkëpunojë. Me injeksionin e saj prej 500 miliardë eurosh për kreditë e lira të bankave evropiane BQE e mban në funksionim sistemin që prej krishtlindjeve. BQE luan në moment rolin kyç dhe jo pakti fiskal dhe as politika e lartë evropiane. Drejtimi politik është tjetër.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Angjelina Verbica