1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hapa të rëndësishme përpara në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme

Eschenbächer: Zgjedhjet e 28 qershorit i plotesuan pjesërisht standardet ndërkombëtare. Ato shënuan progres në listat e votuesve dhe identifikimn e tyre, por e drejta e votës së individit u cënua nga votimi familjar.

Jens-Hagen Eschenbächer, zëdhënës i OSBE/ODIHR-it

Jens-Hagen Eschenbächer, zëdhënës i OSBE/ODIHR-it

DW: Zoti Eschenbächer, në raportin paraprak që misioni vëzhgues i OSBE/ ODIHR-it publikoi një ditë pas zgjedhjeve parlmentare të 28 qershorit u raportuan një seri mangësish. A e cënuan ato, në tërësinë e tyre, të drejtën e votës?

Eschenbächer: Kur ne bëjmë vlerësime, gjykojmë në bazë të procesit zgjedhor si një i tërë. Ka pasur përmirësime të qarta p.sh. ka një listë të verifikuar zgjedhësish apo ka një proces të identifikimit të votuesve me përdorimin e kartave të identitetit, gjë që përbën një rekomandim të bërë prej kohësh nga OSBE, tanimë të plotësuar dhe që është mirëpritur. Të gjitha këto kanë kontribuar për të ulur mundësitë e abuzimeve. Nga ana tjetër kanë rritur aftësinë e votuesve për të marrë pjesë në votime. Natyrisht ka edhe aspekte negative, që i kemi vënë në dukje në raportin në fjalë. Ka pasur raste të presionit ndaj votuesve, të shfrytëzimit të ngjarjeve zyrtare për fushatë elektorale, të votimit familjar, që mund të jetë një argument i kompromentimit të së drejtës për të votuar, për ata qytetarë, që nuk mundën të votonin për atë forcë politike që dëshironin t'i jepnin votën e tyre, sepse dikush tjetër e kishte bërë këtë.

DW: Zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ato të korrikut 2005, u vlerësuan nga misioni i atëhershëm vëzhgues i OSBE/ ODIHR-it si “zgjedhje që plotësuan vetëm pjesërisht standardet ndërkombëtare”. Në raport me ato zgjedhje si do t'i cilësoni zgjedhjet e tanishme?

Eschenbächer: Në këtë moment ndofta është e parakohshme të bëhet ky krahasim, sepse një element i rëndësishëm i procesit zgjedhor, numërimi i votave, nuk ka përfunduar ende. Pra, është e vështirë në këtë fazë të krahasosh këto zgjedhje me ato të mëparshmet të vitit 2005. Ajo që mund të themi është se janë hedhur hapa të rëndësishme përpara në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme, hapa që kanë kontribuar në përmirësimn e procesit zgjedhor si një i tërë, por ka një sërë çëshjesh që duhet të përballohen në të ardhmen që Shqipëria, të përmbushë plotësisht zotimet që ajo ka marrë si një vend anëtar i OSBE-së.

DW: Cilat janë parimet bazë dhe cilat prej tyre Shqipëria nuk arriti t'i respektojë në zgjedhjet e tanishme parlamentare?

Eschenbächer: Ka disa parime: zgjedhjet duhet të jenë të lira, pjesëmarrësit në procesin elektoral duhet të jenë të lirë të bëjnë fushatë, votuesit duhet të kenë mundësinë për t'u informuar lirisht për partitë politike, media duhet të jetë e lirë të informojë për fushatën, në mënyrë të ndershme. Zgjedhjet duhet t'u sigurojnë partive apo kandidatëve për deputetë mundësi të barabarta për të bërë fushatë. Ato duhet të jenë transparente, që do të thotë, që votuesve duhet t'u jepet mundësia të shikojnë fazat e ndryshme të nxjerrjes së rezultateve përfundimtare. Dhe nëse ka probleme apo ankesa ato duhet të shqyrtohen në mënyrë që problemet të zgjidhen. Kjo lidhet me administrimim e zgjedhjeve dhe sistemin gjyqësor, që në rast se dalin probleme, ato të adresohen shpejt.

DW: A u plotësuan këto standarde, në zgjedhjet e pardjeshme të 28 qershorit?

Eschenbächer: Pjesërisht po. Pati progres në disa aspekte por ka ende çështje shqetësuese si p.sh. ato lidhur me politizimin e organizimit të zgjedhjeve apo marrjen e vendimeve për aspekte teknike të zgjedhjeve në mënyrë partiake, me polarizimin ekstrem të fushatës nga dy forcat politike kryesore. Dhe të gjitha këto kanë sjellë mungesën e besimit të publikut në procesin elektoral. Pati pak besim mes aktorëve politikë ndaj njëri–tjetrit, nga njëra anë dhe votuesve dhe sistemit zgjedhor nga ana tjetër. Është përgjegjësi e partive politike, e aktorëve të tjerë në procesin zgjedhor që të bashkëpunojnë për ta kapërcyer mosbesimin, për të krijuar besimin mes tyre, besimin e votuesve tek sistemi.

DW: Gjithsesi, si do t'i vlerësoni në përgjithësi këto zgjedhje?

Eschenbächer: Ngurroj të bëj një vlerëim të përgjithshëm në këtë fazë të procesit. Është metodologjia jonë, parimi ynë që duhet parë gjithë procesi për të arritur në konkluzione. Dihet tanimë sesa të rëndësishmë janë këto zgjedhje për Shqipërinë, të ardhmen e saj, për komunitetin ndërkombëtar sesi OSBE/ODHIR – i vlerëson ato. Sapo procesi zgjedhor të përfundojë, pasi të dalin rezultatet e numërimit të votave do të publikojmë një raport përfundimtar bashkë me rekomandime konkrete për autoritetet, partitë politike, median, administratën zgjedhore për përmirësuar më tej procesin zgjedhor.

Intervistoi: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IeOJ
  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IeOJ