1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hap që pritej - drejtori i FMN-së, Strauss-Kahn jep dorëheqjen

Prej së dielës drejtori i FMN-së Dominique Strauss-Kahn është i arrestuar në SHBA, sepse mendohet të ketë përdhunuar një punonjëse hoteli. Tanimë ai zyrtarisht dorëhiqet nga posti. Kush do të vijë pas tij?

default

Dominique Strauss-Kahn në listën e të paraburgosurve të policisë së Nju Jorkut

Në SHBA ishte natë vonë kur u bë e ditur që Dominique Strauss-Kahn kishte dhënë dorëheqjen prej postit të tij si drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Si rrjedhojë disa stacione lajmesh ndërprenë menjëherë programin: "Agjencia e lajmeve AFP njofton se Dominique Strauss-Kahn ka dhënë dorëheqjen pas akuzave kundër tij për përdhunim."

Pra shefi i FMN-së nxori përfundimet prej ngjarjeve të ditëve të kaluara. Që të martën (17.6.) ministri amerikan i Financave, Timothy Geithner i kishte kërkuar FMN-së të emëronte një pasardhës për francezin: "Strauss-Kahn nuk është vërtet në pozicionin për të drejtuar FMN-në! Mendoj se ka rëndësi që bordi i FMN-së të emërojë për fazën kalimtare dikë si drejtor menaxhues."

Flash-Galerie Dominique Strauss-Kahn

Shkatërrimi i një karriere - Dominique Strauss-Kahn para gjyqit në Nju Jork

Strauss-Kahn: Tani mendoj për familjen time

Dhe natyrisht, dorëheqja e 62-vjeçarit natën e kaluar nuk erdhi më papritur. Megjithatë lajmi u prit me vëmendje të madhe në botën ndërkombëtare të financave dhe në opinionin publik. Në letrën e tij personale të dorëheqjes drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar Dominique Strauss-Kahn shpreh keqardhjen e thellë për zhvillimet rreth personit të tij. "Jam pafundësisht i trishtuar", shkroi francezi sipas të dhënave të FMN-së. Dhe më tej në letrën e tij thuhet: "Në këtë moment mendoj në radhë të parë për gruan time, që e dua më shumë se gjithçka tjetër, për fëmijët e mi, për familjen time, për shokët e mi!" Strauss-Kahn i mohon qartë të gjitha akuzat e ngritura kundër tij. Faktin që ai liron vendin e tij në FMN, ai nuk do që ta kuptojnë si pranim faji.

I paqartë lirimi i ish-drejtorit të FMN-së

Paralelisht me dorëheqjen e tij sot (19.5.) një gjykatë federale në Nju-Jork do të vendosë, nëse francezi do të lirohet nga paraburgimi në burgun Rikers-Island. Avokatët e tij e arsyetojnë kërkesën e tyre duke vënë në dukje se Strauss-Kahn është i gatshëm të lerë një kaucion prej një milion dollarësh. Ai thuhet të jetë shprehur gjithashtu i gatshëm që të vihet në arrest shtëpiak në apartamentin e së bijës, e cila jeton në Nju-Jork. Më pas Strauss-Kahni do të mbikqyrej me anë të prangave elektronike në këmbë. Të hënën (16.5.) gjykata kishte vendosur kundër lirimit duke e arsyetuar këtë me rrezikun e arratisjes. Nga qarqet e avokatëve të Strauss-Kahnit u mësua, se klienti i tyre ka dorëzuar pasaportën e vet të udhëtimit (ky është një parakusht për lirimin nga paraburgimi.

Flash-Galerie IMF Christine Lagarde

Christine Lagarde përmendet si pasërdhëse e Kahnit, por edhe Kina e India kanë pretendimet pët këtë post

Kush vjen pas Strauss-Kahnit?

E paqartë është, se kush do ta pasojë në detyrë në FMN francezin. Në të kaluarën Strauss-Kahn ka theksuar vazhdimisht, se e konsideronte të duhur, që pasardhësi i tij të ishte nga një vend në industrializim e sipër dhe jo nga Evropa. Deri tani FMN-ja është drejtuar gjithnjë nga një evropian dhe Banka Botërore prej një amerikani, por kohët e fundit vendet me ekonomi në ekspansion si Kina, Brazili dhe India kanë ngritur pretendime për të dyja postet e drejtorëve në Uashington. Ndërkohë, deri sa të jetë emëruar një drejtor i ri, punët e FMN-së i drejton amerikani John Lipsky.

Autor: Klaus Kastan/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM