1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Hap në drejtim të paqes!" Ushtari izraelit Shalit i lirë

Shkëmbim spektakular të burgosurish në Lindjen e Mesme. Ushtari izraelit Gilad Shalit u lirua sot (18.10) nga Hamasi. Ndërsa Izraeli liron menjëherë 477 të burgosur palestinezë, pjesën tjetër në dy muajt e ardhshëm.

Përgatitje në Gazë për shkëmbimin e të burgosurve, një aktivist i Hamasit mban flamuj

Përgatitje në Gazë për shkëmbimin e të burgosurve, një aktivist i Hamasit mban flamuj

Ishte fundi i një pengmarrjeje që po mbush gati pesë vjet. Ushtari izraelit Gilad Shalit, i cili u rrëmbye më 25. Qeshor 2006 nga Hamasi dhe grupe të tjera palestineze më në fund u lirua të martën. Ai u prit nga autoritetet izraelite. Shalit ishte vetëm 19 vjeç, kur u rrëmbye nga palestinezët radikalë, pas një sulmi ku u vranë dy ushtarë izraelitë. Tre ditë pas rrëmbimit të tij, ushtria izraelite u fut në Gazë me tanke, por Shalit nuk u gjend. Në fund të Nëntorit 2006, ushtria izraelite u tërhoq nga Gaza pa Shalit. Që atëherë kanë vazhduar negociatat indirekte mes Hamasit dhe Izraelit, me ndërmjetësimin e Egjiptit, por edhe të Gjermanisë, por Shalit nuk u lirua. Në Marsin e vitit 2009, lirimi i tij ishte shumë pranë, por marrëveshja dështoi në minutën e fundit. Sot në vendlindjen e tij, ushtari është kthyer në simbol.

Shalit në një foto të padatuar

Shalit në një foto të padatuar

"Almagor" kundër shkëmbimit të të burgosurve

Suksesi u arrit pak ditë më parë, kur të dyja palët ranë dakord të shkëmbenin të burgosurit. Izraeli liron 1.000 të burgosur në këmbim të ushtarit Shalit. 477 menjëherë të martën, pjesa tjetër më vonë. Ndër të burgosurit palestinezë janë edhe persona që kanë ndihmuar ose kanë kryer disa nga aktet më të përgjakshme terroriste në 10 vitet e fundit në Izrael. Disa syresh janë të dënuar për akte terroriste. Për këtë arsye ka pasur edhe protesta në Izrael. Gjykata e Lartë izraelite po trajton aktpadinë e organizatës izraelite të viktimave, Almagor kundër shkëmbimit të të burgosurve. Por nuk pritet që padia të ketë sukses. Nëna e ushtarit, Aviva Shalit i lutet për mirëkuptim familjeve të viktimave izraelite: E di që për shumë familje që janë humbur më të dashurit, kjo ditë është shumë e vështirë. Por ju lutem ta dini. Për Shalitin kjo do të thotë jetë a vdekje. "

Në territoret palestineze gëzimi për lirimin e të burgosurve është i madh. Qyteti i Gazës - i zbukuruar. Ministri i Jashtëm i Hamasit Mohamed Auad e vlerëson marrëveshjen: "Në të vërtetë është një marrëveshje e mirë për ne dhe fitore për palestinezët. Ne presim të na bashkoheni neve, të gjithë palestinezëve, të bëheni pjesë e këtij festimi për të gjithë palestinezët. Si qeveri ne e shpallim këtë si një ditë kombëtare."

Palestinezët demonstrojnë në solidaritet me të burgosurit 17 Tetor 2011

Palestinezët demonstrojnë në solidaritet me të burgosurit 17 Tetor 2011

Shalit lirohet i veshur në uniformë

Por në anën tjetër gëzimi nuk është i tillë. Meir Indor, nga organizata e viktimave të terrorizmit, Almagor. "Ne mendojmë se kjo marrëveshje do të sjellë më shumë viktima. Familja e Shalitit fiton, por shteti humbet. Është fitore për terrorin dhe Hamasin."

Kryeministri izraelit, Bennjamin Netanjahu i ka shkruar për këtë qëllim një letër familjeve të viktimave. Megjithatë letra nuk pati ndonjë ndikim. Ato marshuan të hënën nga varrezat kryesore në malin Hercl drejt Gjykatës së Lartë në shenjë proteste. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e ka vlerësuar marrëveshjen mes Izraelit dhe palestinezëve si "hap në drejtim të paqes".

Autor dpa,afp/Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi