1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hapësirë e kufizuar veprimi - Ashton udhëton në Lindjen e Afërme

BE-ja kërkon të tregojë qartë pozicionin e tij në Lindjen e Afërme. Gjatë vizitës së saj në rajon, e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme Ashton, do të vizitojë edhe Rripin e Gazës.

E ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme, Catherine Ashton.

Në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së në Córdoba një javë më parë, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle nënvizoi edhe njëherë angazhimin evropian në Lindjen e Afërme.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.

Westerwelle: BE-ja do vazhdojë të jetë aktive në procesin e paqes në Lindjen e Afërme.

"Ne si evropianë duam të jemi edhe më tej shumë aktivë në procesin e paqes në Lindjen e Afërme. Ne i bëjmë thirrje të dyja palëve të lënë mënjanë pengesat në mënyrë që të mund të fillojnë përsëri bisedime konkrete direkte.“

Pak ditë më vonë Izraeli shtoi edhe një pengesë tjetër, kur ministri i Brendshëm Eli Jischai, njoftoi ndërtimin e 1.600 banesave të reja për hebrejtë në Jeruzalemin Lindor. Ngjarja ishte edhe më brizante pasi njoftimi u bë gjatë vizitës në Lindjen e Afërme të zëvendëspresidentit të SHBA-së Joseph Biden. Si Biden ashtu edhe e ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme Catherine Ashton e kritikuan ashpër njoftimin. Megjithë tensionet e dukshme Izraeli duket se do t'i lejojë Ashtonit të hyjë në Rripin e Gazës ku qeveris Hamasi. Në fillim të dhjetorit të kaluar një grupi europarlamentarësh kjo gjë iu ndalua. Por pse është për Ashtonin kaq e rëndësishme vizita në Rripin e Gazës?

"Jo së fundi për shkak se atje na duhet të japim ndihmë të gjerë dhe duhet të shohim se çfarë ndodh me këtë ndihmë dhe çfarë efekti ka ajo. Gjithashtu ne duam të flasim me njerëzit "e thjeshtë" dhe t'i pyesim se si arrin kjo ndihmë tek ata. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e asaj që BE-ja bën."

Palestinezë para shtëpive të tyre të shkatërruara.

Shumë nga ajo çka ishte ndërtuar me ndihmën e BE-së në Rripin e Gazës, u shkatërrua gjatë luftës.

Vërtet Hamasi gjendet edhe në BE në listën e organizatave terroriste, por BE-ja përpiqet të mbështesë popullsinë në Rripin e Gazës. BE-së iu desh të shihte se si një vit më parë në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, në Rripin e Gazës u shkatërruan shumë nga to që ishin ndërtuar me ndihmën evropiane.

Europarlamentarët kanë kërkuar ndër të tjera nga Ashton të angazhohet për lirimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit, i cili prej vitesh mbahet i burgosur nga Hamasi. Veç kësaj si Izraeli ashtu edhe Hamasi duhet të merren me hetimin e akuzave sipas të cilave gjatë konfliktit të armatosur në Rripin e Gazës, kanë kryer krime lufte e ndoshta krime kundër njerëzimit. Këto akuza ngrihen në të ashtuquajturin raportin "Goldstone" të Kombeve të Bashkuara kundër Izraelit dhe grupeve të armatosura palestineze.

Europarlamentari irlandez Proinsias de Rossa angazhohet në veçanti për marrëdhëniet e BE-së me Lindjen e Afërme. Pak ditë më parë ai iu drejtua direkt Ashtonit në Parlament:

"Lindja e Afërme është ndoshta rajoni më shpërthyes në botë dhe aktualisht mund të rrëshqasë shumë lehtë në një konflikt të gjerë. Ju duhet të bashkëpunoni ngushtë me SHBA-në dhe të ushtroni trysni që vendimet e Këshillit të Ministrave të BE-së të 8 dhjetorit të bëhen bazë për përparime në rajon. Dua t'ju lutem që të mbështesni një politikë e cila synon një Lindje të Afërme pa armë bërthamore."

Në 8 dhjetor ministrat e jashtëm të BE-së folën për aneksim nga pala izraelite të Jeruzalemit Lindor dhe i bënë thirrje Izraelit të ndërpresë atje ndërtimet e ngulimeve për hebrejtë. Por kërkesa e Rossas për një rajon pa armë bërthamore tregon qartë se sa i vogël është ndikimi evropian tek Izraeli në krahasim me atë amerikan. Zëvendëspresidenti i SHBA-së Biden kritikoi vërtet ndërtimet e ngulimeve hebreje dhe foli për objektivin e arritjes së zgjidhjes me dy shtete. Por ai bëri fare të qartë pozicionin amerikan:

Zv/presidenti i SHBA-së Biden me presidentin e palestinezëve Abbas.

Kritikë e SHBA-së për ngulimet hebreje në Jeruzalimin Lindor.

"Pika qendrore e marrëdhënieve tona është angazhimi absolut, i plotë dhe i patundur i SHBA-së për sigurinë e Izraelit. Kur është fjala për sigurinë e Izraelit mes SHBA-së dhe Izraelit nuk ka vend as për diferencën më të vogël."

Kjo do të thotë edhe se fuqia atomike e Izraelit ka bekimin e Uashingtonit. Pikësrisht tani SHBA-ja ka nevojë për Izraelin si aleat kundër Iranit me ambiciet e tij bërthamore. Në këtë pikë amerikanët nuk do të pranojnë asnjë kompromis. Dhe për këtë arsye edhe hapësira e veprimit e BE-së është aktualisht shumë e kufizuar.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 13.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRxG
  • Data 13.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MRxG