1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hantke: “Reformat e domosdoshme bëhen vetëm me përfshirjen e qytetarëve.”

Intervistë ekskluzive për DW e Frank Hantke, drejtor i Zyrës për Shqipërinë i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”

DW: Tani pas marrjes së statusit të vendit kandidat, cilat janë sfidat e Shqipërisë në procesin e integrimit europian?

Frank Hantke: Nuk ka surprizë, në përgjithësi sfidat janë të njëjta me ato, që ishin para këtij vendimi: që përfshijnë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e ekonomisë dhe në të njëjtën kohë sigurinë sociale, modernizimin e arsimit me studime dhe trajnime të orientuara nga tregu i punës – vlen të përmendet se këto janë minimumi i standardeve të Bashkimit Europian – dhe sigurisht disa prej tyre përmes ekzistencës së dialogut politik bëhen të mundura në realitet. Dallimet mund ta bëjnë shumë më tepër të vështirë bindjen e negociatorëve të BE-së që zhvillimet janë duke ecur. Në një farë mënyre statusi i vendit kandidat u dha për një kapërcim besueshmërie në qeverinë e re, pasi u vlerësuan disa hapa të parë mbresëlënës. Por të gjithë e dimë: hapi i fundit është më i vështiri. Dua të shtoj se kjo nuk do të jetë e mundur pa funksionimin e dialogut politik dhe konsensusit.

DW: Vendimi pozitiv i Brukselit, të paktën deri më tani, nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e dialogut dhe bashkëpunimit mes krahëve të politikës, megjithëse ky është një apel i përsëritur i komunitetit ndërkombëtar. Si një njohës i zhvillimeve në Shqipëri z. Hantke, si e shikoni këtë aspekt?

Frank Hantke: Nëse hidhni një vështrim në Parlamentin Europian mund të dalloni në përgjithësi sensin e përbashkët për problematikën kryesore të BE-së në ecurinë politike. Kjo ecuri është ndërtuar nga përfaqësuesit kryesorë politikë si Konservatorët, Socialistët, Social-Demokratët, Liberalët dhe të Gjelbrit. Veç kësaj kemi nga ata që mendojnë ndryshe për BE-në, madje armiq të saj. Partitë kryesore në Shqipëri të gjitha janë të lidhura me partitë pro BE-së. Partia Demokratike ka një status vëzhguesi tek Partia Popullore Europiane, EPP, ndërkohë që Partia Socialiste i është bashkuar Partisë Socialiste Europiane, PES, dhe të dyja janë të mbështetura nga partnerët e tyre respektivë europianë. Kështu që pyetja mund të ishte, se përse PD dhe PS nuk gjejnë konsensus në të gjitha çështjet, që lidhen me BE-në dhe të cilat janë kaq të rëndësishme për Shqipërinë? Nëse ato realisht dëshirojnë të bëjnë hapa të tjerë për të ardhmen e vendit, duhet që ti shpjegojnë popullit se përse nuk janë në një linjë me standardet politike europiane, njësoj siç bëjnë të gjithë partnerët e tyre respektivë në Europë. Njërëzit tashmë presin shumë më tepër rezultate të dukshme në Shqipëri. Dhe të gjitha reformat e domosdoshme në vend mund të bëhen vetëm me mbështetjen maksimale dhe përfshirjen e qytetarëve. Për aq kohë sa pjesa më e madhe e energjive politike – për këtë shkak dhe fuqia e njerëzve gjithashtu - shpenzohet duke luftuar me njeri tjetrin edhe për më gjatë nuk do të mjaftojnë fuqitë për të kryer hapat në reformat e nevojshme. Po të vijohet kështu njerëzit do të fillojnë të pyesin politikanët, nëse ata realisht dëshirojnë të ecin në udhën europiane. Pyetjet mund të bëhen nëse partitë e tyre janë realisht duke luftuar për organe kontrolluese të pavaruara, për ndarje të pushtetit etj. Nëse hedhim një vështrim në vende të tjera në transformim, mësojmë se në disa prej tyre qytetarët larguan sistemin e vjetër partiak, pikërisht nga këto dyshime. Shembulli më i fundit është Sllovakia dhe atje mund të jetë një rrezik i madh, siç mund ta shohim në Hungari.

DW: Një nga temat kryesore të debatit në qarqet politike, por dhe jashtë tyre, është reforma në sistemin e drejtësisë. Sa rëndësi ka kjo sipas jush dhe cilat janë pritmëritë tuaja?

Frank Hantke: Unë nuk jam specialist në çështjet e drejtësisë, por mbase kjo është edhe më mirë në vlerësimin se sa e rëndësishme është për njerëzit normale që të jenë në gjendje të llogarisin mbi një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakorruptuar. Sot e gjithë ditën, eksperienca për shumicën e njerëzve është që duhet të kesh lidhje me rrjetin ose para që të marrësh të drejtën; kjo është e dukshme në shumë kërkime përfaqësuese në Shqipëri: njerëzit nuk kanë besim te sistemi i drejtësisë. Por kjo është një shtyllë kryesore për shtetin demokratik, që nuk përcaktohet vetëm nga politikanët, por për më tepër nga raporti mes qytetarëve dhe administratës së tyre publike, e cila realizon zbatimin e ligjit. Nuk do të dëshiroja të flisja për pritmëritë, por për shpresat. Unë shpresoj se politikanët e orientuar drejt Europës në drejtimin e partive do ta fitojnë këtë proces dhe do i japin më shumë shpresë shqiptarëve për të ardhmen. Por sërish nënvizoj, si mund të funksionojë kjo pa një minimum të bashkëpunimit mes të dyja blloqeve partikake?

DW: Reforma territoriale si një reformë kyçe, që është pranuar si domosdoshmëri nga të gjithë aktorët politikë, është duke u finalizuar vetëm me angazhimin e mazhorancës. A e cënon kjo besueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e zbatimit të saj pas miratimit nga parlamenti?

Frank Hantke: Nuk e di se si ky produkt do të funksionojë pas këtij procesi shumë të shpejtë. Por sërish, është evidente që reformat funksionojnë me njerëz të bindur dhe të përfshirë. Ndaj unë e shikoj vendimin parlamentar si një hap të parë. Tani më shumë hapa duhet të ndiqen, si për informimin dhe diskutimin me njerëzit, realizimet nën dritën e dëshirave dhe ideve respektive në nivel lokal. Në pikëpamjen time reforma territoriale ka disa dimensione - dhe të gjitha ato duhet të vlerësohen shumë mirë. - Në rastin më të keq, reforma vetëm mund të zvogëlojë numrin e bashkive dhe komunave, ndoshta dhe të nëpunësve civilë, por nuk rrit shërbimet për qytetarët. Prandaj nevojiten më shumë ekspertë për politikat lokale, të cilët duhet të trajnohen sa më shpejt të jetë e mundur. Në rastin më të mirë, reforma territoriale do të hapë derën për më shumë decentralizim dhe kështu për më shumë demokraci. Në BE ne kemi parimin e përgjithshëm të subsidaritetit. Që do të thotë se gjithë problemet duhet të zgjidhen në mënyrën më të përshtatshme nga niveli më i ulët, që mund ta bëjë këtë, i cili në shumicën e rasteve është niveli lokal ose rajonal, për mjaft çështje ekonomike, të jetës sociale etj. Vetëm në rastet e çështjeve me interes kombëtar vendimet duhet të jenë në nivelet më të larta të pushtetit. Ne kemi një ekperiencë të mirë në Gjermani me këtë parim, i cili jep më shumë përgjegjësi për qytetarët dhe përfaqësuesit e zgjedhur direkt prej tyre. Është një tjetër dimension, të cilin do të doja ta theksoja. Deri më tani ne kemi humbur bashkëpunimin mes komuniteteve më të vogla. Kjo ka penguar të gjithë aktorët në zhvillimin e planeve dhe ideve ekonomike, të cilat mund të realizohen me më shumë bashkëpunim dhe ndërveprim. Njësitë më të mëdha mund të organizohen më mirë me ndërveprim dhe kooperim, nëse ato marrin kompetenca dhe përgjegjësi të mjaftueshme. Shumica e vendimeve mund të merren më mirë në nivel lokal ose rajonal, kështu që qeveria qendore nuk mund të vijojë të menaxhojë gjithçka nga Tirana. Kjo ju jep gjithashtu organeve qendrore më shumë mundësi për t'u fokusuar në çështjet kombëtare. Reforma do të hapë derën për një raport të ri mes centralizimit dhe decentarlizmit - në favor të njerëzve të thjeshtë, si dhe investitorëve.