1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hamasi dhe Izraeli - dy armiq të betuar

Konflikti në Gaza vazhdon dhe numri i viktimave kryesisht palestineze rritet. Një ofensivë tokësore palestineze nuk përjashtohet më. Të dy palët kanë arsyet e tyre për të vazhduar konfliktin.

Me këmbëngulje aviacioni ajror izraelit bombardon Rripin e Gazës. Vetëm brenda 24 orëve të fundit janë goditur 210 objektiva, thuhet nga udhëheqja e ushtrisë. Që prej fillimit të operacionit "Zuk Eitan" sipas të dhënave të OKB-së janë vrarë 58 palestinezë dhe janë plagosur disa qindra të tjerë, kryesisht civilë. Po me aq këmbëngulje sulmojnë me raketat e tyre kundër territorit të Izraelit, brigadat Kasam, krahu i armatosur i Hamasit, dhe militantët e Xhihadit islamik.

Kërcënim për Tel Avivin dhe Jeruzalemin

Thuajse çdo ditë ulërijnë sirenat e mbrojtjes ajrore në Tel Aviv dhe Jeruzalem dhe e kujtojnë udhëheqjen izraelite se Hamasi tani mund të mbërrijë deri në zemër të vendit. Shkallëzimi filloi qëkurse në qershor tre të rinj izraelitë u rrëmbyen në afërsi të një ngulimi në Jordanin Perëndimor dhe ushtria izraelite atje reagoi me një operacion të gjerë ushtarak. Të rinjtë u gjetën të hënën e kaluar (30.06.2014) të vrarë. Izraeli bën përgjegjës Hamasin. Por organizata nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes. Vetëm dy ditë më vonë një i ri palestinez nga Lindja e Jeruzalemit u vra nga ekstremistë hebrenj në një akt hakmarrjeje. Që atëherë situata është në shkallëzim të vazhdueshëm.

Nga sulmet e fundit izraelite me raketa kanë humbur jetën dhjetëra palestinezë

Nga sulmet e fundit izraelite me raketa kanë humbur jetën dhjetëra palestinezë

Me sulmet ajrore masive Izraeli duket se synon të dobësojë Hamasin në atë masë që ai ta ketë të vështirë të riarmatoset. Deri tani Izraeli përpiqet me sulme nga ajri, deti dhe sulme të artilerisë nga toka, të shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit. Në taktikën e tanishme bën pjesë edhe vrasja e drejtuesve ushtarakë dhe shkatërrimi i shtëpive të tyre. Por është e pasigurtë nëse sulmet ajrore mjaftojnë për të arritur këto objektiva. Për këtë arsye Izraeli po merr në konsideratë edhe dërgimin e trupave tokësore dhe ka mobilizuar tashmë 20.000 rezervistë. Por megjithë kërcënimet e kryeministrit Benjamin Netanjahu "për të shkuar deri në fund të rrugës", qeveria ngurron të dërgojë vërtet trupa tokësore në Rripin e Gazës. Ndërsa disa anëtarë të kabinetit do ta kishin pushtuar me shumë dëshirë përsëri enklavën.

Akt i vështirë ekuilibri

Për qeverinë izraelite është para së gjithash e rëndësishme të rivendosë efektin e trembjes. Që raketat nga Gaza mund të hyjnë deri në brendësi të vendit nuk e ka trazuar tepër jetën e përditshme pasi sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore "Kupola e çeliktë" i kap ato. Por sulmet kanë rizgjuar një frikë të lashtë te shumë izraelitë se janë më të cënueshëm nga sa mendonin. Për Izraelin ofensiva kundër Hamasit mbetet megjithatë edhe një akt ekuilibri. Pasi nëse Hamasi dobësohet se tepërmi organizata do ta ketë të vështirë të triumfojë ndaj grupeve të tjera militante në rast të një armëpushimi. Që prej përfundimit të ofensivës së fundit ushtarake në nëntor 2012, Hamas ishte kujdesur që të respektohej armëpushimi sado i brishtë ishte ai. Patrullat përreth kufirit ndalonin edhe grupe militante më të vogla, shpesh më radikale, që të qëllonin me raketa.

Alarm sulmi me raketa në Tel Aviv - qytetarët në strehimet e mbrojtjes

Alarm sulmi me raketa në Tel Aviv - qytetarët në strehimet e mbrojtjes

Izolimi i Rripit të Gazës dhe Hamasit është ashpërsuar përsëri që prej ndryshimit të pushtetit në Egjipt. Qeveria e re egjiptiane nën Abdel Fattah Al-Sisi kanë qendrim të ftohtë ndaj Hamasit i cili konsiderohej si aleat i Vëllazërisë Myslimane. Forcat egjiptiane të sigurisë kanë shkatërruar shumë tunele mes Rripit të Gazës dhe Egjipitit dhe kanë paralizuar kështu degën ekonomike nëntokësore. Në vend të produkteve të lira nga Egjipti banorët marrin tani vetëm produkte të shtrenjta nga Izraeli dhe materialet e ndërtimit vijnë në Gaza vetëm në mënyrë të kufizuar nga kalimi kufitar Kerem Shalom. Eksportet si dhe më parë janë thuajse të pamundur. Edhe kalimi kufitar egjiptiano-palestinez Rafah prej muajsh është vetëm pak ditë i hapur. Hapja e rregullt e kalimit kufitar Rafah është një kusht qendror i Hamasit për armëpushim.

Edhe procesi i pajtimit mes Hamasit dhe Fatahut nuk e ka përmirësuar situatën. Në fillim të qershorit ata emëruan një qeveri të re kalimtare. Hamas u tërhoq zyrtarisht nga përgjegjësia qeverisëse, por de facto mbajti kontrollin në Rripin e Gazës. Organizata shpresonte që autoriteti autonom palestinez të paguante pagat e rreth 40.000 nëpunësve të qeverisë së vjetër të Hamasit. Por megjithëse Katari kishte premtuar ndihma milionëshe, arkat vazhdojnë të jenë të zbrazëta.

Civilët në Gaza paguajnë një çmim të lartë

Konflikt Nahost 09.07.2014

Sulm me raketa kundër qytetit të Gazës

Mbetet të shihet nëse Hamas do të arrijë të triumfojë me kërkesat e tij politike për t'u rikthyer në një armëpushim. Me konfrontimet e reja Hamasi mund të përpiqet të përmirësojë popullaritetin e tij të dobësuar, spekulojnë disa vëzhgues. Një tjetër objektiv mund të ishte bashkimi i palestinezëve përballë kërcënimit të përbashkët. Por këto shpresa do të ishin spekulim pasi nuk është e sigurt nëse organizata do të dalë vërtet më e fortë nga konflikti. Popullsia në Gaza për herë të tretë brenda gjashtë vjetësh gjendet në një situatë lufte dhe nuk ka aspak një shumicë që mbështet sulmet kundër Izraelit. "Këtë e kemi parë tashmë shumë herë. Përsëritet dhe njerëzit janë të lodhur dhe paguajnë një çmim shumë të lartë për situatën", thotë një banor i Gazës. Prej gati tetë vjetësh popullsia vuan nën politikën izraelite të bllokadës e cila bën të pamundur çdo lloj zhvillimi ekonomik. Papunësia është rritur përsëri që prej ndryshimit të pushtetit në Egjipt. 65 për qind e njerëzve në Gaza janë më të rinj se 24 vjeç dhe papunësia në këtë grup është mbi 60 për qind sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara.

Pas luftës së fundit në Gaza në nëntor 2012 popullariteti i Hamasit u rrit por vetëm për kohë të shkurtër. Përkeqësimi i situatës së popullatës i ka kthyer shumë njerëz kundër Hamasit. Që prej fillimit të ofensivës drejtues të lartë të Hamasit kanë kaluar në ilegalitet; mesa duket ata kërkojnë mbrojtje në bunkerë nëntokësorë. Megjithatë shumë palestinezë bëjnë përgjegjës Izraelin për situatën dhe konfliktin. Sulmet nga pjesa më e madhe shihen si një dënim kolektiv, ashtu si dhe izolimi për vite me radhë.