1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Halbauer: "Përpjekjet ndërkombëtare po japin fryte!"

Volker Halbauer, komandanti gjerman i Kfor-it, konsideron të mundshëm një reduktim së shpejti të trupave të udhëhequra nga NATO. Për të ardhmen e Kosovës ai thekson përgjegjësinë e liderëve të opinionit në rajon.

DW: Z. Halbauer, si duket puna me numrin e ardhshëm të ushtarëve të Kforit në Kosovë, që aktualisht numëron 6000 vetë? A mund t'i reduktoni edhe më shumë në periudhë afatshkurtër?

Volker Halbauer: Me anë të dialogut mes Prishtinës dhe Beodragit mundësia për këtë është tashmë e mirë. Nëse ai zhvillohet pozitivisht një reduktim i mëtejshëm do të jetë i mundshëm.

DW: Vitin e kaluar pati trazira të rënda pasi qeveria e Kosovës me sa duket pa u konsultuar me BE-në dhe Kfor-in dërgoi punonjës kufiri në kufi me Serbinë. Si e shihni ju tani këtë aksion?

Volker Halbauer: Për Kfor-in ajo nuk ishte detyrë e lehtë. Përgjatë gjithë vitit të kaluar e më vonë na u desh të largonim me përpjekje të mëdha më shumë se 20 barrikada në rrugë, për të rivendosur një situatë të cilën sot do ta përshkruaja përsëri si ndjeshëm më të sigurt.

DW: Megjithatë shumë serbë në veri të Kosovës janë kundër kompromiseve të Beogradit me qeverinë e Kosovës, pasi refuzojnë pavarësinë e Kosovës. Çfarë reagimi prisni Ju nga forcat radikale serbe ndaj bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës?

Volker Halbauer: Fakti që dy kryeministrat Thaçi dhe Daçiç javët e kaluara janë takuar dy herë tregon se përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare kanë efekt pozitiv. Bisedimet kanë filluar, janë iniciuar grupe pune, dhe pritet së shpejti të shihen veprime konkrete, të cilat e mbështesin këtë dialog. Unë shpresoj shumë që politikanët në Beograd dhe Prishtinë të mund të krijojnë raporte të tilla që njerëzit në veri të Kosovës të besojnë në një të ardhme më të mirë.

DW: Veriu i Kosovës që prej pavarësisë së vendit është kthyer në një hapësirë ku mungon sundimi i ligjit. Nuk ka veprimtari të gjykatave, nuk ka polici të shtetit ligjor. A e rrezikon kjo mungëse e ligjit punën tuaj?

Volker Halbauer: Ajo që ka rëndësi tani është që në vazhdimin e dialogut politik të diskutohet edhe kjo problematikë. Unë jam përgjegjës për një mjedis të sigurt dhe të qendrueshëm. Unë nuk mbaj përgjegjësi për vendosjen e ligjit dhe rendit. Kjo është detyrë e misionit Eulex në bashkëpunim me policinë kosovare, e pranishme edhe në veri të vendit.

DW: A keni Ju informacione të mjaftueshme për të gjykuar mbi situatën e sigurisë në veri të Kosovës? Disa analistë thonë se ju mungon personeli.

Volker Halbauer: Në veri kemi një rrjet shumë të mirë. Me këtë nuk kam parasysh vetëm njësitë e Kfor-it të pranishme në pikat e kontrollit dhe ato të vëzhgimit, por edhe lidhjet direkte me ata që mbajnë përgjegjësi në veri: pra me kryetarët e bashkive, me përfaqësuesit politikë por edhe me vetë popullsinë. Nga ata unë mësoj gjithashtu si është vlerësimi i popullsisë në veri në përgjithësi. Kjo pamje është e qartë. Shumica e popullsisë në veri, pra masa e qytetarëve normalë është shumë e interesuar që të ketë një jetë të qetë dhe në paqe si dhe të shohë përparime të dukshme ekonomike dhe personale. E rëndësishme është që këta njerëz të mbështeten dhe të krijohen kushte që mendimi i tyre të triumfojë. Forcat radikale, të cilat natyrisht ekzistojnë, si për shembull bllokuesit e rrugëve, përpiqemi t'i bindim hap pas hapi që të mbështesin proceset e zhvillimit dhe të heqin edhe barrikadat e fundit në rrugë.

DW: Në Evropë Kosova nuk ka emër shumë të mirë, madje shpesh cilësohet si shtet i mafies. Si e shihni Ju Kosovën?

Volker Halbauer: Gjatë ditës unë jam shumë orë jashtë dhe njihem me shumë njerëz interesantë. Unë përpiqem të flas me të gjithë njerëzit, të cilët përfaqësojnë interesa të ndryshme. Në përgjithësi kam një përshtypje shumë pozitive. Njerëzit kanë qendrim shumë pozitiv. Kur flas me policinë kosovare përjetoj punonjës të motivuar. Kur flas me popullin kuptoj dëshirën e madhe për të ecur përpara. Dhe kur udhëtoj me sytë hapur nëpër Kosovë shoh një vend plot me të rinj. Besoj se tek rinia gjendet potenciali për një të ardhme të mirë.