1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hajredin Kuçi: Plani operacional në veri tërësisht i suksesshëm

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, konfirmon për programin shqip të Deutsche Welles, se doganierët dhe policët kufitar të misionit EULEX dhe të Kosovës tashmë janë vendosur në dy pikat kufitare me Serbinë

Hajredin Kuçi, zevëndëskryeministri i Kosovës

Hajredin Kuçi, zevëndëskryeministri i Kosovës

DW: Zoti Kuçi, si ka rrjedhur plani i qeverisë së Kosovës për vendosjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë?

Kuçi: Deri më tash aktiviteti ka shkuar 100 % sipas planit operacional.  Në portën një dhe 31, në Jarinje dhe Bërnjak, janë të vendosur edhe doganierët dhe policia e Kosovës edhe ata të misionit EULEX dhe gjërat në kuptimin e planit operacional po shkojnë ashtu siç janë menduar.

DW: Gjatë këtij aksioni, është shënuar ndonjë incident?

Kuçi: Ka tendenca për reagime qytetare nga ana e serbëve të stimuluara nga ndonjë grup kriminal apo ndoshta edhe nga qeveria e Serbisë, mirëpo ajo çka mund të themi se gjatë vendosjes së policisë dhe doganierëve në pikën një dhe 31 nuk ka pasur incidente.

DW: Zoti Kuci, pothuaj të gjitha rrugët në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim nga barrikadat të vëna nga serbët lokal. Ka qeveria një plan operacional edhe për zhbllokimin e këtyre rrugëve?

Kuçi: Ne kemi një plan operativ më të gjerë në kuptimn e vendosjes së rendit dhe ligjit në veri. Tashmë për momentin jemi të koncentruar për vendosjen e rendit dhe ligjit në pikat kufitare një dhe 31, por patjetër që rrugët do të zhbllokohen dhe do të ketë qarkullim të lirë edhe të mallrave edhe të individëve për një jetë normale të qytetarëve tanë atje.

DW: Qysh nga bërja publik i planit të qeverisë së Kosovës për vënjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë, ka pasur një retorike të ashpër si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi për situatën e krijuar në veri. Mendoni se pas kësaj, ka vend për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Kuçi: Dialogu me Serbinë dhe vendosja e rendit dhe ligjit brenda teritorit të Kosovës janë dy çështje të ndara. Ne për vendosjen e rendit dhe ligjit nuk dialogojmë më askënd, përkundrazi bashkërëndojmë aktivitetet vetëm me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërsa dialogu ka të bëjë me raporte ndërshtetërore si dy shtete të pavarura Kosovë - Serbi. Pra ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun, por gjithsesi vendosja e rendit dhe ligjit në veri nuk varet nga dialogu me Serbinë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi