1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hajredin Kuçi: Mandati i Eulex-it në Kosovë duhet të përfundojë

Qeveria e Kosovës kërkon fundin e mandatit të tanishëm të Eulex-it në qershor të vitit të ardhshëm. "Ne jemi të gatshëm për të gjitha sfidat", thotë në intervistë me DW, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Z.Hajredin Kuçi.

Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Z.Hajredin Kuçi.

Deutsche Welle: Qeveria e Kosovës ka hartuar strategjinë e saj për largimin e Eulex-it. Cilat janë pikat kryesore të kësaj strategjie?

Hajredin Kuçi: Ne kemi bërë një strategji qysh në vitin 2011 dhe e kemi prezantuar në Bruksel. Një strategji e kemi bërë edhe në vitin 2012, ndërsa tani e kemi kompletuar dhe e kemi dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim. Strategjia ka për qëllim një tranzicion të lehtë, një tranzicion në koordinim me Eulex-in dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë. Ne duam që Eulexi të largohet me formën e bashkëpunimit dhe jo dëbimit pa i plotësuar kapacitetet tona. Logjika jonë është: ngritja e kapaciteteve tona, zvogëlimi i prezencës së Eulex-it dhe jo krijimi i hapësirës për mungesë të drejtësisë. Shtylla e parë ka të bëjë me kompetencat ekzekutive, që sot është në duart e Eulex-it. Shtylla e dytë ka të bëjë me drejtimin e prokurorisë speciale, e cila po ashtu drejtohet nga Eulex-i. Ne duam që aty fillimisht të jemi bashkëkryesues dhe më pas, që prokuroria speziale të kryesohet vetëm nga vendorët. Dhe e treta, që është edhe kryesorja: esenca e kësaj strategjie është si ta ushtrojmë ne sovranitetin e plotë dhe si ta shfrytëzojmë ekspertizën e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë. Me këtë strategji është njohur edhe faktori ndërkombëtar dhe tani jemi në fazën e negociimit.

A parashikon strategjia atë që ka kërkuar Parlamenti: largimin e Eulex-it në qershor të vitit të ardhshëm, apo e keni lënë derën hapur, që Eulex-i të mbetet prezent në Kosovë edhe pas këtij afati?

Ne kemi qenë të kujdesshëm dhe jemi konsultuar me Parlamentin edhe para hartimit të strategjisë. Rezoluta e Parlamentit ka qenë më e ashpër, por ne kemi kërkuar mirëkuptim nga deputetët që t'i lihet hapësirë Qeverisë që të negociojë me faktorin ndërkombëtar. Edhe në letrën që presidentja Jahjaga i ka dërguar zonjës Ashton, në shtator të vitit të kaluar, parashikohet përfundimi i mandatit të Eulex-it, në qershor të vitit 2014. Vlerësimin jemi duke e bërë bashkarisht. Qëllimi ynë është që mandati i Eulex-it në qershor të vitit 2014 të përfundojë kështu siç është. Se si do të funksionojë më vonë, në formën e monitorimit, mentorimit apo këshillimit, kjo duhet të negociohet. Vendimet tona nuk do të jenë unilaterale, por do të merren në bazë të këshillimeve me Brukselin.

Do të thotë që Eulex-i do të mbetet në Kosovë edhe pas qershorit të vitit 2014, por në një formë dhe me kompetenca të tjera?

Hajredin Kuçi: Kjo nuk është në dorën time, sepse Kuvendi i Kosovës vendos për këto gjëra. Por unë po i udhëheqë negociatat e Qeverisë me Brukselin. Unë jam i bindur se do të arrijmë marrëveshje. Ne do të kërkojmë më shumë, ata do të kenë kërkesa të tjera dhe në fund do të gjejmë një zgjidhje që e respekton realitetin. Një marrëveshje që shton respektimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Sikur ICO që ka përfunduar mandatin me ceremoni festive, ashtu duhet të jetë edhe me Eulex-in. Unë jam i bindur se pas qershorit të vitit 2014, Eulex-i duhet të kalojë në fazë të monitorimit.

Gjatë viteve të kaluara ka pasur kritika ndaj Eulex-it edhe prej ndërkombëtarëve. Në cilët sektorë keni Ju më shumë vërejtje ndaj këtij misioni, cilat gjëra nuk kanë funksionuar si duhet?

Kjo çështje duhet parë në dy prizma: auditoriumin e qytetarëve të Kosovës, por edhe të 28 shteteve të Bashkimit Evropian. Çdo vendim duhet të jetë i bazuar mbi mendimin tonë, por edhe të BE-së. Ne e dimë se edhe pas përfundimti të misionit të Eulex-it rruga e Kosovës drejt integrimit evropian do të vazhdojë. Pra duhet të plotësojmë kapitullin për funsionimin e rendit dhe ligjit. Nuk është tendenca jonë për ikje nga Brukseli, por për afrim. Por qëllimi është që të ushtrojmë sovranitetit tonë të plotë. Mendoj se edhe UNMIK-u ka pasur sukses për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. Edhe Eulex-i ka pasur sukses për rend dhe ligj. Kjo duhet parë në disa prizma. I pari është se cilat janë rezultatet që ka arritur Eulexi? I dyti, si do të ishte gjendja po të mos ishte Eulex-i në Kosovë? Ndaj unë mendoj se misioni ka qenë i suksesshëm, por nuk duhet harruar se këtu po flasim për një mision 14 vite pas përfundimit të luftës së Kosovës dhe gati gjashtë vite nga pavarësia. Kosova ka nevojë të jetë në duart e veta. Natyrisht që bashkëpunimi mund të ishte edhe më i plotë. Roli ekzekutiv është dashur dhe duhet të shkrihet, që të mos ketë kompetenca ekzekutive. Dhe mbi të gjitha: mendoj se ushtrimi i autoritetit jashtë insitutioneve tona është i papranueshëm. Misioni i Eulex-it është një mision i pavarur në Kosovën e pavarur. Logjika ime është që ta vëmë një kulm, ku edhe misionet ndërkombëtare të trajtohen brenda sovranitetit tonë.

Pra koordinimi mes Eulex-it dhe institucioneve të Kosovës megjithatë nuk ka qenë gjithmonë në nivelin e duhur?

Koordinimi ka qenë i plotë. Këtë e di, sepse unë vetë jam bashkëkryesues për rendin dhe ligjin me përfaqësuesit e Eulex-it. Por bashkëpunimi në prizmin personal dhe legal dallon. Bashkëpunimi personal ka qenë shumë i mirë, por jo edhe legal. Ata kanë bashkëpunuar me ne vetëm pse kanë pasur vullnet dhe jo pse kanë qenë të detyruar. Prokurorët e Eulexit duhet ta kenë një kulm, e ai duhet të jetë prokurori i shtetit të Kosovës. Gjyqtarët e Eulex-it duhet ta kenë një kulm e ai është Këshilli gjyqësor i Kosovës. Duam që të funksionojnë si në Bosnje, sepse atje kanë vepruar nën autoritetet e vendit. Qëlimi ynë nuk është që t'i kontrollojmë ata, sepse e dimë që këtë s'mund ta bëjmë. Ata duhet të jenë të pavarur, të paanshëm dhe autonomë në veprimet e tyre. Por ata duhet ta dinë se veprojnë në kuadër të shtetit të Kosovës.

Në opinionin e Kosovës është krijuar një bindje se vala e paknaqësisë me punën e Eulexit ka shpërthyer në veçanti pas arrestimit të pesë komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ashtuquajturit "Grupi i Drenicës". Cili është qëndrimi Juaj ndaj këtij procesi dhe a janë këto arrestime shkaku i ashpërsimit të qëndrimeve ndaj Eulexit?

Mendoj se ka në momente të caktuara ka influencim, sepse perceptimet për kohën e luftës janë të ndryshme dhe njerëzit janë sensitivë. Por Qeveria e Kosovës nuk ndikohet nga këto influencime. Plani nuk ka të bëjë asgjë me influencat. Ne e respektojmë pavarësinë e gjyqësorit. Ne besojmë në luftën e drejtë, por besojmë edhe në drejtësi. Plani për tranzicionin e Eulex-it ekziston qysh nga tetori i vitit 2011. Unë personalisht e kam dorëzuar këtë plan, në maj të vitit 2012. Pra nuk është diçka që e kemi bërë tani. Mund të ketë ndonjë deputet apo aktivitet që ka qenë pak me inercion. Strategjia jonë parashikon që gjërat të vazhdojnë kështu deri në 2014. Më pas do të bëjmë një marrëveshje se si do të veprohet më tutje. Por ne me siguri që për një rast nuk do ta prishim sistemin dhe procesin. Cilido rast që mund të jetë ai. Rastet mund të jenë sensitive dhe mund të reagohet apo jo, por drejtësia duhet ta ketë derën e hapur.
Heqja e Eulex-it nga Kosova nuk nënkupton ikjen nga drejtësia. Absolutisht rastet e këtilla, pavarësisht se a ekziston Eulexi apo jo, do të gjykohen. Rastet e ngjashme do të kryhen. Nuk ka logjikë këtu që dikush të mendojë se nëse Eulexi shkon, nuk do të gjykohet ose nuk do të ndiqet. Jo, do të ndiqen të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin.

Audio dhe video për temën