1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haindl: Maqedonia duhet të kthehet në rrugën euro-atlantike

Adelheid Feilcke27 Maj 2016

Në intevristë për DW i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për krizën në Maqedoni Johannes Haindl flet mbi përpjekjet për zgjidhjen e krizës, domosdoshmërinë e reformave dhe mbështetjen e Gjermanisë në këtë drejtim.

https://p.dw.com/p/1IvEY
Mazedonien Anti-Regierungsproteste Johannes Haindl zu Besuch in Skopje
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

DW: Maqedonia prej javësh ndodhet në një gjendje të jashtëzakonshme. Protestat nuk kanë të reshtur, madje as pas shtyrjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për më 5 qershor. Shkak për protestat u bë vendimi për amnesti i presidentit. Por pakënaqësia në popull ka të bëjë me një humbje të thellë të besimit. Cilat janë arsyet e krizës?

Johannes Haindl: Shkaqet janë të shumta. Mblidhen shumë gjëra së bashku. Por tani vendimtare është, që të gjendet një rrugëdalje nga kriza. E pikërisht për këtë BE-ja dhe Gjermania i ndjekin me shqetësim të madh zhvillimet. Ne duam ta ndihmojmë këtë vend për të dalë nga kriza, por ai duhet ta përshkojë vet rrugën, e kjo do të thotë, që të gjithë aktorët politikë duhet të bashkëpunojnë dhe të vendosin në plan të parë interesat e vendit të tyre.

Cilat janë çështjet e konfliktit (amnestia, zgjedhjet, regjistri elektoral, mediet)?

Fjala është për zbatimin e elementëve thelbësorë të marrëveshjes së Përzhinos. Por për fat të keq në këtë drejtim ka mosmarrëveshje mes aktorëve politikë - pavarësisht se ata vet e kanë nënshkruar këtë marrëveshje. Ajo çfarë parashikon kjo marrëveshje është fare e qartë. Ata, ndaj të cilëve janë ngritur akuza në kontekstin e skandalit të përgjimeve, duhet të përgjigjen konform së drejtës penale. Për këtë qëllim partitë kanë rënë dakord për krijimin e prokurorisë speciale. Kjo duhet të bëjë punën e saj e papenguar dhe me mbështetjen e plotë të institucioneve maqedonase. Amnestia e lëshuar nga Ivanov në prill për politikanët i minon këto përpjekje dhe nuk është në përputhje me marrëveshjen e Përzhinos. Ndaj duhet urgjentisht të gjendet një zgjidhje, e cila të mundësojë ndjekjen penalisht. Gjithashtu duhet të ketë zgjedhje korrekte dhe të lira sipas standardeve ndërkombëtare, e për këtë duhet të krijohen kushtet përkatëse, që do të thotë të pastrohen listat elektorale dhe të garantohet pavarësia e paanshmëria e medieve dhe aksesi i njëjtë i forcave politike ndaj medieve.

A duhet të tërhiqet qeveria, apo duhet të ketë një qeveri teknike si zgjidhje të përkohshme?

Edhe për këtë marrëveshja e Përzhinos ka dhënë një përgjigje. "Fryma" e marrëveshjes së Përzhinos duhet të ruhet edhe në situatën e sotme e kjo do të thotë: qeveria duhet të ketë një përbërje të tillë, që të krijojë kushtet për zgjedhje korrekte dhe të lira si dhe të mund të zbatojë me vendosmëri reformat për të cilat është rënë dakord.

Maqedonia ka një potencial latent konflikti etnik. Shumë e konsiderojnë këtë si rrezikun më të madh, që madje mund të çojë deri dhe në shpërbërjen e shtetit. Si njohës prej kohësh i vendit dhe rajonit, si e vlerësoni ju gjendjen aktuale mes etnive?

Nuk duhen përzierë gjërat dhe duhet të shmanget gjithçka që mund të nxiste konflikte ndëretnike. Edhe në këtë kontekst më duket mjaft e rëndësishme, që vendi sa më shpejt të rikthehet në rrugën e afrimit euro-atlantik.

Ju negocioni me qeverinë dhe opozitën - përse nuk përfshihet edhe shoqëria civile në këtë proces?

Natyrisht ne jemi në kontakt me shoqërinë civile. Por, ata që kanë nënshkruar marrëveshjen e Përzhinos, mbajnë përgjegjësi për zbatimin e saj. Ata janë të detyruar të çojnë përpara synimin kryesor të shoqërisë civile, pra që mbi bazën e marrëveshjes së Përzhinos të zhvillohen zgjedhje korrekte dhe të lira, në të cilat popullsia të artikulojë vullnetin e vet.

Cilat janë nismat për zgjidhjen e çështjeve të përmendura të konfliktit?

Nismat janë marrëveshja e Përzhinos, që vendos një parametër të qartë, për të cilin u angazhuan verën e kaluar partitë.

Gjermania - së fundi edhe ministri i shtetit Roth - është shprehur me shqetësim për gjendjen në Maqedoni. Në Maqedoni ka pakënaqësi lidhur me qendrimin e papërcaktuar të BE-së ndaj krizës. Por Gjermania ka një qendrim të qartë. Përse?

Gjermania ndihet e lidhur në mënyrë krejt të veçantë me këtë vend. Ne qysh në fillim me insistim të madh jemi angazhuar për stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të strukturave të këtij vendi. E pikërisht për këtë arsye i ndjekim me shqetësim zhvillimet aktuale, sepse prej tyre po vihet në pikëpyetje perspektiva euro-atlantike. Në duam të ndihmojmë. Kjo është arsyeja, përse ministri i Jashtëm Steinmeier më ka ëmëruar mua si të dërguar të posaçëm.

Prej javësh në mënyrë indirekte kërcënohet me sanksione. Përse fjalët nuk pasohen me vepra, ndonëse duket që qeveria nuk po vihet në lëvizje?

Unë do t'ju kundërshtoj për këtë. Kanë pasuar mjaft veprime konkrete. BE-ja, SHBA-ja, por edhe anëtarë të BE-së, si Gjermania, përpiqen me të gjitha forcat, që ta ndihmojnë vendin të dalë nga kriza. Unë kam besim, se partnerët tanë maqedonas do ta gjejnë rrugën për ta kthyer vendin drejt shtegut euro-atlantik. Nëse ky shteg bllokohet prej politikanëve të veçantë, natyrisht që kjo ka pasoja negative.

Por si qendron puna me korridorin kohor? Ministri i shtetit Roth është shprehur, se durimit shpejt po i vjen fundi...

Raporti i ardhshëm i progresit, përmes të cilit Komisioni i BE-së vlerëson aftësinë e vendit për fillimin e negociatave me BE-në, pritet në vjeshtë. Ndaj vërtetë koha është mjaft e shkurtër. Por, ajo është e mjaftueshme për të realizuar përparimet e nevojshme - me kusht, që tani të mos ketë më vonesa për të filluar reformat e nevojshme. E sikurse e theksova, ne jemi të gatshëm të ndihmojmë.