1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Haga i kërkon Shesheljit të kthehet në burg

Tribunali për Krimet e Luftës në Hagë ka kërkuar kthimin e ultranacionalistit serb Vojisllav Sheshelj, që u lirua me kusht për t'u kuruar nga kanceri në vendlindje. Sheshelji ka deklaruar se nuk kthehet vullnetarisht.

Ultranacionalisti serb Vojisllav Sheshelj i akuzuar për krime të rënda në Bosnjë dhe Kroaci në fillim të viteve 90-të gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë duhet të kthehet përsëri në paraburgim. Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte në ish Jugoslavi e anulloi lirimin e përkohshëm për 60 vjeçarin. Më parë Sheshelj kishte kërcënuar se nuk do të paraqitej më në procesin kundër tij.

Sheshelj ka qëndruar më shumë se një dhjetëvjeçar në burg në Hagë, por u lirua në fillim të nëntorit. Gjykatësit e OKB-së deshën t'i mundësonin Shesheljit, i cili pas të dhënave të tij vuan nga kanceri në zorrë, të kurohej në vendin e tij, me kusht që të mos ndikonte tek viktimat dhe dëshmitarët dhe të kthehej me kërkesë të Tribunalit.

Vuçiç: vendimi i Hagës imoral

Megjithatë pas kthimit të tij në Beograd Sheshelj tha se nuk do të kthehej vullnetarisht. Prokurorët e panë këtë si thyerje të kushteve të lirimit. Gjykatësit e mbështetën këtë vlerësim. Pas heqjes së lirimit me kusht, është tani detyrë e autoriteteve serbe, që ta arrestojnë Shesheljin dhe ta dorëzojnë atë në Hagë.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuciç, duke e quajtur vendimin imoral, tha sot se Serbija "do të shprehet në ditët e ardhshme lidhur me vendimin e prokurorëve të lartë të Tribunalit". Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Dacic tha se kërkesa, që Sheshelji të kthehet në Hagë është "perfide dhe skandaloze". "Serbia nuk ka qenë në dijeni as për vendimin e lirimit të Shesheljit dhe as tani për vendimin për kthimin e tij. Ministria e Jashtme e Serbisë dhe asnjë organ shtetëror deri në këtë moment nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga ana e Tribunalit për vendimin e sotëm", tha Daciç.

Sheshelji akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në fillim të viteve 90-të. Prokuroria kërkon 28 vjet burgim. Ultranacionalisti serb, i cili në shkurt 2003 iu dorëzua vetë Tribunalit, deklaron se është i pafajshëm. Gjatë procesit 60 vjeçari është dënuar disa herë me burg për mospërfillje të gjykatës. Edhe tani ai deklaroi para shumë mediave se nuk do të kthehet vullnetarisht në Hagë.