1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Habi për motivet e Putinit

Prej ditësh po vazhdon konflikti për ndihmat ruse për Ukrainën Lindore. Propagandë, paralajmërues të një marshimi apo solidaritet i vërtetë- cilat janë shkaqet e vërteta që e shtyjnë Rusinë?

Është një luftë nervash dhe është edhe një luftë e pamjeve. Rreth 280 kamionë, një kolonë prej tre kilometrash, që transporton medikamente, ushqim për foshnje dhe thasë për të fjetur -dhe që nuk lejohen të hyjnë në vend, sepse qeveria ukrainase nuk e lejon: këto janë pamjet, të cilat preferohet të transmetohen në televizionin rus. Nga pikëpamja ruse, qeveria e Kievit paraqitet si mbështetësve e vijës së fortë, që bombardon qytetet, vret civilë dhe tani pengon edhe ndihmat humanitare.

Ai që ka qendrim më pak miqësor ndaj Rusisë, të tërheq vëmendjen për një video në youtube, e cila gjoja tregon se kamionë të gjelbër të ushtrisë me simbole të zeza ushtarake lyhen me ngjyrë të bardhë neutrale. Regjistrimet deri tani nuk ka qenë e mundur të konfirmohen për vërtetësinë e tyre. Por dyshimi mbetet se pas autokolonës ruse fshihen në të vërtetë motive krejt të tjera.

Për të disatën herë, përfaqësues të medieve dhe publiku pyesin se cila është e vërteta: a e zbuloi papritur Putini dhimbsurinë e tij për ukrainasit që vuajnë? Apo kemi të bëjmë vetëm me një teatër absurd, me të cilin ai do ta paraqesë veten si shpëtimtar të situatës? Karl-Georg Wellmann (CDU), kryetar i Grupit Parlamentar Gjermano-Ukrainas në Bundestag nuk ka asnjë dyshim. "Ai që e nxiti të gjithën, po përpiqet tani të hedhë rrënjë si polici."

Lojë ruse

Rusia e zgjoi ditët e fundit përmes një loje të bollshme me gjysmë të vërteta dhe informacione të gabuara mosbesimin e Perëndimit. Kështu, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi me plot gojën se aksioni është koordinuar me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (IKRK)- por në një intervistë të DW, zëdhënësi i IKRK Andre Loersch bëri të qartë se Kryqi i Kuq qe habitur nga veprimi i papritur i Moskës sa u habitën edhe të tjerët. Ndërkohë megjithatë qeveria ruse e ka informuar me të vërtetë IKRK për llojin dhe përmasat e aksionit të planifikuar.

Të martën paqartësi shkaktoi një lajm i një agjencie ruse të lajmeve, në bazë të të cilit OSBE-ja mund të merrte përsipër detyrën e sigurimit të autokolonës me kamionë rusë. Por OSBE-ja përgënjeshtroi dhe tha se mund ta mbështesë një aksion të drejtuar nga IKRK "kur ky aksion kërkohet nga qeveria e Ukrainës dhe ka mbështetjen e të gjitha palëve."

Transporti me ndihma si kalë troje

Te disa mosbesimi shkon kaq larg, sa akuzohet Rusia se në të vërtetë me autokolonën me ndihma përgatit në të vërtetë një ndërhyrje ushtarake: "Duhet llogaritur diçka", tha politikani i CDU-së, Karl-Georg Wellmann. Besimi ndaj Rusisë ka arritur "në pikën zero".

Kurse qeveria polake e sheh autokolonën me ndihma, që ka shkaktuar kaq mosmarrëveshje si shenjë pozitive: gatishmëria parimore e qeverisë në Moskë, për ta vënë autokolonën nën drejtimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, më tepër e ka pakësuar rrezikun e një ndërhyrjeje ushtarake ruse në Lindje të Ukrainës, thotë ministri i Jashtëm polak, Radoslav Sikorski. Tani edhe qeveria polake duhet të pranojë se Rusia përpiqet për dialog me qeverinë ukrainase dhe me Kryqin e Kuq.

Pavarësisht nëse kemi të bëjmë me një kthesë apo jo të Putinit- politikani i partisë E Majta, Wolfgang Gehrke i rekomandon presidentit të Ukrainës që t'i lërë të kalojnë ndihmat. Por qeveria në Kiev nuk duket se ka tendencë të veprojë kështu me këtë akt provokativ rus, siç e quan ajo. Pra lufta e nervave vazhdon - edhe lufta e pamjeve.