1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Guttenberg: Nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpresoj më të mirën

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, deklaroi në Prishtinë se reduktimi i trupave të KFOR-it nuk duhet të bëhet në mënyrë individuale nga shtetet, por duhet të ndodhë si një proces i përbashkët.

default

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu Guttenberg, tha në Prishtinë se Kosova dhe rajoni kanë perspektivë evropiane, mirëpo këto vende sipas tij duhet t'i kryejnë detyrat e shtëpisë të përmbushin kriteret, që i kërkon Bashkimi Evropian. Ministri gjerman i mbrojtjes tha se Gjermania do të vazhdojë angazhimin e saj në Kosovë në shumë fusha, në këtë kuadër përmendi angazhimin ushtarak të trupave gjermane të KFOR-it. Ai tha se reduktimi i trupave do të vazhdojë edhe në të ardhmën, mirëpo kjo sipas tij duhet të bëhët varësisht nga zhvillimet në terren.

Zu Guttenberg: Bashkë kemi hyrë në Kosovë dhe bashkë duhet të dalim.

KFOR Soldaten der Bundeswehr

Ushtarë gjermanë të KFOR-it në Kosovë

“Reduktimi i trupave të KFOR-it duhet të bëhet në bazë të sukseseve të arritura. Mendoj se reduktimi i trupave të KFOR-it nuk duhet të bëhet në mënyrë individuale nga shtetet, që kanë trupa në Kosovë, por vendimi duhet të jetë i përbashkët. Unë e them atë, që e kemi thenë gjithmonë, bashkë kemi hyrë në Kosovë dhe bashkë duhet të dalim”, tha ministri Karl Theodor zu Guttenberg. Ai tha se Gjermania do të ndihmojë në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ndihma do të jetë konkrete në infrastrukurë.

Ministri gjerman i mbrojtjes në takim me udhëheqësit politikë kosovarë, presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, diskutoi edhe për procesin e shqyrtimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë. Ministri Karl Theodor zu Guttenberg nga ky proces shpreson për më të mirën.

E rëndësishme për Kosovën është përspektiva evropiane.

“Qëndrimi i Gjermanisë sa i përket statusit të Kosovës është i qartë, ai është artikuluar në të kaluarën dhe ai qëndrim vlen akoma. Ndërsa sa i përket pritjeve nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë, i cili po shqyrton ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, unë tash për tash nuk mund të them asgjë, duhet të presim që të ketë një vendim, nuk mund të paragjykojmë, por shpresojmë për më të mirën”, tha ministri Karl Theodor zu Gutenberg. Sipas tij pas vendimit të Gjykatës mund të ketë zhvillime, mirëpo e rëndësishme për Kosovën sipas tij është përspektiva evropiane.

Symbolbild EU Kosovo

Kryeministri dhe Presidenti i Kosovës, me flamurin e BE në sfond

“Një çështje tjetër, që u diskutua në takim dhe është e rëndësishme për Kosovën, është perspektiva evropiane e rajonit dhe Kosovës. Këtu dua ta përmend zotimin e Samitit të Selanikut, ku u theksua qartë perspektiva evropiane e rajonit. Mirëpo BE-ja ka edhe kritere, që vendet e rajonit duhet përmbushur, unë do të veçoja luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë pashë një vullnet tek udhëheqësit kosovarë që të përmbushin obligimet në rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha Karl Theodor zu Guttenberg.

Ministri gjerman i mbrojtjes vizitën në Kosovë e filloi duke takuar presidentin dhe kryeministrin, ndërsa më vonë takon komandantin gjerman të KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler. Natën do ta kalojë në kampin e ushtarëve gjermanë në jug të Kosovës në Prizren. Ai do të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë ditës së martë, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit e misioneve ndërkombëtare, atij të EULEX-it dhe zyrës civile ndërkombëtare. Ministri gjerman i mbrojtjes ishte i vetëdijshëm për vështirësitë, që ka misioni EULEX në shtrirjen e tij në veri të Kosovës dhe u shpreh se ky mision e ka mbështetjen e Gjermanisë dhe vendi i tij vazhdon të cilësojë si një mision të sukseshëm.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 29.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhIs
  • Data 29.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhIs