1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gurë dominoje në rrugën drejt "Rusisë së Re"

Bernd Johann12 Maj 2014

"Referendumeve" në Ukrainën lindore u mungon legjitimiteti demokratik, por ata mund të shkaktojnë një reaksion zinxhir, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1By0K
Fotografi: DW/P. Henriksen

Në rast se do të niseshim prej vullnetit të forcave proruse në Ukrainën lindore, pas aneksimit të Krimesë në Evropë do të vendosen përsëri kufij të rinj. Në rajonin e Donetskut dhe Luhanskit krijohen dy formacione të reja shtetërore, që janë gjoja "republika popullore" të pavarura. Në fakt ato do të orientohen drejt Rusisë. Për shkak se ato janë si politikisht dhe ekonomikisht të varura nga mbështetja e Kremlinit.

Me ndihmën e "referendumeve" pritet të realizohet ndarja e Ukrainës megjithë kritikat ndërkombëtare. Votimi ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Ukrainës. Organizatorët ishin dhe janë separatistët militantë, që sulmuan ndërtesat e administratës dhe stacionet policore. Ata nuk u zgjodhën nga askush, por e morën pushtetin me armë. Edhe për këtë arsye "referendumet" janë të pabesueshme dhe pa asnjë bazë demokratike.

Demokraci e imituar

Vëzhgues të pavarur nuk ishin në gjendje të kontrollonin rrjedhën e këtyre votimeve dhe rezultatin e tyre. Meqë nuk kishte asnjë listë zyrtare votuesish, kontrolli i votave nuk do të kishte qenë i mundur. Askush nuk e di saktësisht se sa vetë votuan në të vërtetë. Fletët e votimit mund të jenë falsifikuar. Një person mund të ketë hedhur disa fletë votimi në kutitë e votimit. Shumë qytetarë në lindje të Ukrainës ndoshta kanë qëndruar nga frika në shtëpi. Prandaj bashkësia ndërkombëtare nuk mund dhe nuk do ta njohë këtë referendum të rremë.

Por separatistët nuk do të ndalen prej kësaj. Ata nuk presin njohje ndërkombëtare për veprimet e tyre. "Referendumet" e tyre ishin kryesisht manovra populiste. Ata imituan demokracinë që t'i referohen gjoja "vullnetit të popullit". Dhe ata duan të shkaktojnë një reaksion zinxhir. Për shkak se shpresojnë se tani pseudovotime të tilla mund të organizohen edhe në zona të tjera të Ukrainës lindore dhe jugore.

"Rusia e re" mund të shtrihet deri tek BE-ja

Strategjia të kujton teorinë e dominosë nga koha e konfliktit Lindje-Perëndim. Sipas saj ideologjia dhe propaganda ishin në gjendje që të siguronin që shtetet fqinje të binin njëra pas tjetrës si gurë dominoje dhe të ktheheshin nga Moska. Një skenar i tillë kërcënon tani disa rajone të Ukrainës. Separatistët duan që sipas shembullit të Donetskut dhe Luhanskit të krijohen "republika popullore" të tjera. Këto gurë dominoje më vonë mund të bashkohen në një strukturë të përbashkët shtetërore me emrin Rusia e Re ("Novorosija"). Për këtë flitet tashmë në Donetsk dhe Luhansk, por sidomos në Moskë.

Sepse edhe presidenti rus Vladimir Putin e përdori termin "Rusia e Re". Ky i referohet një zone që mund të shkojë nga Ukraina lindore, Krimeja dhe Odesa deri në Republikën e Moldavisë dhe në Rumani, dhe të shtrihet në këtë mënyrë direkt deri në kufirin e Bashkimit Evropian. Krimeja është aneksuar ndërkohë nga Rusia. Donetsku dhe Luhanski mund të pasojnë, edhe në qoftë se Moska aktualisht e mohon një qëllim të tillë. Por këto zona janë gurë dominoje për Kremlinin në rrugën drejt "Rusisë së Re".