1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gudjons: Një turist i kënaqur bën shumë më tepër për Shqipërinë sesa një broshurë

Turizmi në Shqipëri edhe pse konsiderohet një ndër sektorët kyç të ekonomisë mbahet kryesisht nga emigrantët që kthehen për pushime thotë Bodo Gudjons, drejtor i agjencisë turistike "Skanderberg Reisen".

default

Pamje nga plazhi i Durrësit

DW: Zoti Gudjons, ju jo vetëm që e njihni mjaft mirë Shqipërinë prej shumë vitesh, por përmes agjencisë tuaj turistike "Skanderbeg Reisen", jeni përpjekur ta bëni atë tërheqëse si destinacion turistik edhe për gjermanët. Sa është e njohur Shqipëria për turistët gjermanë?

Bodo Gudjons: Ne kemi një eksperiencë të gjatë në fushën e turizmit. Unë kam 30 vjet që merrem me turizmin shqiptar. Kuptohet që në të kaluarën turizmi shqiptar ka pasur një rol ndryshe nga ai sot. Sot ka shumë njerëz që nuk dijnë shumë për Shqipërinë dhe ky është problemi kryesor për mua. Në Shqipëri në fakt flitet për potencialet e turizmit dhe këtë nuk e mohoj as unë, por duhet punuar që turistët që priten në Shqipëri duhet të dijnë më parë diçka për vendin, për Shqipërinë.

DW: Pra Shqipëria duhet vetë të punojë për ta promovuar turizmin?

Bodo Gudjons: Promovimi i turizmit është një nga detyrat kryesore dhe nuk mjafton vetëm pjesëmarrja në panairet në Berlin, Köln, sepse shumë pak njerëz shkojnë atje. Pastaj ka shumë rëndësi që agjencitë kryesore të organizojnë aktivitete, programe për Shqipërinë. Sivjet kam parë që ka disa agjenci që kanë filluar me organizimin e udhëtimit të turistëve drejt Shqipërisë me çmime të arsyeshme. Pasi edhe çmimi ishte një problem më vete. Para dy-tre javësh kam folur me një kolege që mendonte të organizonte udhëtime të grupeve turistike për vitin e ardhshëm dhe më tregoi që ishte lidhur me disa agjenci në Tiranë, por ishte habitur nga çmimet e larta. Nuk e kam fjalën këtu për hotelet në bregdet jashtë sezonit, por për një grup me një program kulturor studimor që do të qëndrojë në Tiranë, çmimet e hoteleve atje nuk janë të lira.

DW: Nga ana tjetër Shqipëria është vërtet një vend i vogël, por nga pozita gjeografike vërtet mund t'u ofrojë shumë turistëve, qoftë në turizmin alpin, detar apo edhe në atë kulturor. Përveç çmimeve që ju përmendet, a ka vështirësi dhe pengesa të tjera që i rezervojnë perëndimorët të shkojnë në Shqipëri për të kaluar pushimet?

Bodo Gudjons: Jo. Siç e thashë edhe më përpara problemi kryesor sot, në kohën e inetrnetit, është që njerëzit dijnë shumë pak për Shqipërinë. Shpesh herë marr kërkesa për informacione për Shqipërinë si: broshura, fletëpalosje e gjëra të tjera. Jemi lidhur edhe me ambasadën shqiptare në Berlin, por nuk ka asgjë për t'iu ofruar turistëve. Gjithashtu në Gjermani dhe në Austri nuk ka një përfaqësi turistike, vende që mund të kishte turistë të interesuar për të shkuar atje. Shqipëria në të vërtetë i ka të gjitha potencialet dhe formatet e turizmit, qoftë ai alpin, bregdetar dhe po ashtu kulturor. Nuk i mohoj faktorët pozitivë, bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, mikpritjen tradicionale, ato për mua janë shumë të rëndësishme. Por imazhi në vendet perëndimore për Shqipërinë nuk është aq i mirë. Ky imazh po ashtu nuk përmirësohet vetëm me një spot të bukur apo me një informacion, apo me një emision turistik. Kjo kërkon shumë punë. Një gjë tjetër tek turistët që unë kam shoqëruar, nga Gjermania dhe Austria, të cilët kanë parë gjithë botën, është se për çudi kanë mbetur shumë të kënaqur dhe të befasuar në Shqipëri, sepse kishin pritur më pak se ç'përjetuan në Shqipëri. Unë mendoj që kjo suprizë mund të shfrytëzohet nga vetë shqiptarët. Edhe promovimi i vendit nuk duhet të jetë me slogane si sekreti i fundit, por duhet të jetë më ofensiv.

DW: Në Shqipëri ekziston sektori privat. Edhe përsa i përket turizmit ka shumë agjenci turistike. Por me sa duket atyre u mungon përvoja për ta promovuar vendin e tyre në botën e jashtme. Sepse nga njëra anë është politika që do të krijojë kushtet dhe ligjet dhe nga ana tjetër është edhe ekonomia private. Përshtypja juaj cila është? A kanë të dyja palët mangësi në këtë drejtim?

Bodo Gudjons: Faktikisht tani në Shqipëri ekziston infrastruktura, ekziston edhe një shoqatë e turizmit. Do të ishte një nga detyrat kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe po ashtu e shoqatës së turizmit që të informonin njerëzit që merren me turizmin në Shqipëri. Jo vetëm nga ana profesionale e shërbimeve, por se si mund të influencohet edhe tek mentaliteti i turistëve të huaj kur vijnë. Si mund të mbesin ata të kënaqur dhe si mund të bëjnë ata propagandë pastaj për Shqipërinë. Unë mendoj se çdo turist që vjen në Shqipëri dhe kthehet me mbresa shumë të mira bën shumë më shumë reklamë se sa një fletëpalosje apo një broshurë që shpërndahet në panair.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi