1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gunatanamo Schließung

Ralf Sina19 Dhjetor 2008

Në prag të ndërrimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Geits ka ngarkuar ministrinë e tij të përpilojë plane të reja për mbylljen e kampit amerikan në Guantanamo.

https://p.dw.com/p/GJe1
Një i burgosur ecën në burgun e Guantanamos
Një i burgosur ecën në burgun e GuantanamosFotografi: AP

Për herë të parë sekretari aktual dhe i ardhshëm amerikan i mbrojtjes u shpreh qartë kur tha se:

"Unë dua që Guantanamo të mbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur."

theksoi Robert Geits (Robert Gates)në një intervistë dhënë kanalit televiziv amerikan, PBS. Në këtë pikë ai është plotësisht dakord me presidentin e zgjedhur Barak Obama (Barack Obama), shtoi sekretari amerikan i mbrojtjes. Nga bisedat e tij me Obamën ai e di se mbyllja e kampit të të burgosurve në Guantanamo për presidentin e ardhshëm është me prioritet të lartë. Dhe po ashtu për tërë qeverinë Obama.

Askush nuk e di sa do të zgjasë mbyllja e Guantanamos

Se sa do të zgjasë mbyllja e kampit në Guantanamo të Kubës nuk ka përgjigje të saktë as sekretari Geits. Menjëherë mund të lirohen 50 nga rreth 250 të burgosurit sa vazhdojnë të mbahen në Guantanamo. Pala amerikane ka kohë që e ka kuptuar se ata janë të pafajshëm. Megjithatë problemi është se askush nuk dëshiron t'i pranojë ata. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Geits theksoi se janë duke u kërkuar shtete vullnetare për pranimin e tyre.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert GeitsFotografi: AP

Kërkohen shtete vullnetare për të pranuar të burgosurit e Guantanamos

"E vërteta është se ne nuk po gjejmë asnjë vend që t'i pranoj ata. Dhe ku ne do të jemi të sigurtë se ata nuk do të arrestohen përkatësisht keqtrajtohen sërish".

Fakt është se për shumicën e atyre që vazhdojnë të mbahen në Guantanamo kthimi në atdheun e tyre shoqërohet me rreziqe të reja. Ata janë nga Kina, Rusia, Libia, Tunizia dhe Uzbekistani. Në këto vende ata mund t'i presin tortura dhe represione të përjetshme. Ndërkohë edhe vetë presidenti amerikan Xhorxh Bush(George Bush)ka apeluar ndër të tjera edhe tek qeveria gjermane që t'i pranojë këta të burgosur, në mesin e të cilëve ndodhen edhe 17 kinezë myslimanë.

Obama është kundër pranimit të tyre në SHBA

Ideja e ekspertëve amerikanë të sigurisë se janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që duhet t'i pranojnë këta burra, pasi që janë ato përgjegjës për vuajtjet e tyre, nuk ka gjetur mbështetje tek presidenti i ardhshëm amerikan. Obama druhet se kundërshtarët e tij politikë presin ndërrmarrjen e një hapi të tillë për ta shfrytëzuar si kapital politik. Megjithatë e paqartë mbetet se si Obama do të veprojë me të burgosurit e dyshuar për terrorizëm.

"Unë besoj në kompetencën e gjykatave amerikane dhe në sigurinë e burgjeve amerikane."

Obama e ka përsëritur këtë shpesh gjatë fushatës elektorale. Guantanamo jo vetëm që është përbuzje ndaj njeriut, por edhe i tepërt. Megjithatë pesë nga të burgosurit si organizatorë të mundshëm të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 me në krye Khalid Sheik Muhamedin (Khalid Sheik Mohammed) duan që me të gjitha mjete ligjore ta pengojnë ekstradimin e tyre për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë pranuar ndërkohë se janë fajtorë për vdekjen e 2793 njerëzve vetëm për të arritur ekzekutimin e tyre në Guantanamo.

ea (AUD)