1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Guantanamao nuk është problem vetëm amerikan

Marcel Fürstenau11 Nëntor 2008

Pesë organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut u drejtuan një apel të përbashkët qeverive të Evropës që të pranojnë të burgosuritë e kampit amerikan në Guantanamo të Kubës.

https://p.dw.com/p/FrY4
Pamje nga Guantanamo
Pamje nga GuantanamoFotografi: AP

Ndaj 50 të burgosurëve që po mbahen në Guantanamo parashikohet që autoritetet amerikane nuk do të ngrejnë aktpadi. Prandaj aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut u drejtuan një apel të përbashkët qeverive të Evropës që t'i pranojnë këta të burgosur duke arsyetuar se të prekurit nuk mund të kthehen në vendlindjet e tyre pasi atje nuk janë të mbrojtur nga torturat.

"Guantanamao nuk është problem vetëm amerikan, edhe Evropa është pjesë e këtij problemi", thotë Daniel Gorevan nga zyra londineze e Amnesty International. Dhe ai numëron argumentat pse është kështu: "Ata kanë marrë në pyetje bashkëkombasit e tyre. Ata i kanë lënë gati të kalben nëpër burgje. Ata ishin të përfshirë në rrëmbimin e të burgosurve përmes shërbimit të fshehtë amerikan CIA. Ata kanë lejuar avionët ushtarakë që me të burgosur në bord të kalojnë mbi territoret e huaja në drejtim të Guantanamos".

Steve Sady, avokat nga Shtetet e Bashkuara të Anmerikës, sapo është kthyer nga Guantanamo. Ai e përjetoi atje zgjedhjen e Barak Obamës si pasues të presidentit amerikan Xhorxh Bush, i cili është përgjegjës për ngritjen e kampit në Kubë. Me burrin e ri në Shtëpinë e Bardhë ai shpreson se do të bëhet një kthesë në të mirë të të burgosurëve të pafajshëm: "Janë njerëz që kanë nënë dhe baba, vllezër dhe motra dhe fëmijë të cilët nuk i kanë parë qe sa vite. Secili prej tyre ka një histori. Dhe secili prej tyre ka vlera. Ka një të drejtë që të dëgjohet përse ndodhet në Guantanamo dhe përse nuk do të duhej të ishte atje. Dhe shpresojmë që ata një ditë do të gjejnë një vend të sigurtë strehimi".

Një kolege e Sadys Cori Crider nga Nju Jorku ka qenë po ashtu në Guantanamo. Pa sukses ajo ka provuar të pengojë ekstradimin e një klienti të saj nga Tunizia për në vendlindje pasi jeta e tij atje nuk ishte më e sigurtë:

"Nga Guantanamo ai është dërguar në Tunis dhe menjëherë është marrë nga Ministria e Brendshme. Një prej vendeve më famëkeqe ku torturohen njerëzit. Ne më vonë nga familja e tij kemi mësuar se atij i është dhënë drogë dhe është rrahur nga forcat e sigurimit. Ata e kanë kërcënuar se do t'i dhunojnë gruan dhe vajzën nëse nuk nënshkruan të gjitha çka i vendosen përpara".

Pastaj ai është dënuar me shtatë vite heqje lirie, njofton Cori Crider edhe pse kundër tij nuk mund të dëshmohej asgjë. Fat i ngjashëm mund t'i presë edhe të burgosurit e tjerë në Guantanamo. I vetmi shpëtim për ta mbetet nëse vendet evropiane janë të gatshme t'i pranojnë ata, thotë Joane Mariner nga organizata "Human Rights Watch".

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të obliguara për pranimin e këtyre të burgosurëve, theksojnë në apelin e tyre të përbashkët organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Por edhe vendet evropiane e kanë mundësinë që t'u japin fund 'viteve të vuajtjeve' për rreth 250 të burgosurit në Guantanamo.