1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gualtieri: "Zgjedhjet nuk ishin të nxituara!"

Sfida në zgjedhjet që do të përsëriten në 17 nëntor do të jetë të kapërcehen problemet që u evidentuan në administrimin e kushteve të sigurisë në 3 nëntor, thotë në intervistë ekskluzive me DW, Roberto Gualtieri.

DW: Z. Gualtieri, në raportin e misionit vëzhgues të drejtuar prej jush, zgjedhjet lokale në Kosovë, cilësohen "të kënaqshme". Çfarë do të thotë kjo në terma konkretë?

Roberto Gualtieri: Metodologjia e vrojtimit elektoral analizon të gjitha aspektet kryesore të procesit elektoral, pra jo vetëm dhënien e votës ditën e votimit, por gjithë procesin duke u nisur nga kuadri ligjor, organizimi dhe administrimi elektoral, rolin e medias, aktivitetet e fushatës elektorale, dhe pastaj votimin dhe procesin e numërimit, kontestimet dhe shpalljen e rezultatit. Ne kemi vëzhguar deri ditën e votimeve, dhe raporti i publikuar të hënën (5.11.) është një raport paraprak. Në raportin final në fillim të vitit të ardhshëm do të prononcohemi dhe për atë çfarë po ndodh tani e deri në mbylljen e procesit elektoral. Por edhe raporti paraprak analizon këto elementë dhe rezultantja është pozitive.

Pra mund të themi se në këto zgjedhje u përmbushën standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike?

Po, u përmbushën! Natyrisht ne kemi identifikuar edhe disa probleme, kufizime, të cilat i trajtojmë në raportin paraprak.

Kush ishin problemet më serioze të këtyre zgjedhjeve?

Atëherë, duhet të themi se problemi kryesor ka qenë administrimi i procesit elektoral në veri të Kosovës, për shkaqe evidente dhe të njohura, pra që kjo ishte hera e parë që atje zhvilloheshin zgjedhje në kuadër të sistemit juridik kosovar. Një risi dhe moment historik mund të themi, fryt i marrëveshjes së prillit në Bruksel që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve administrative në gjithë territorin e Kosovës, si një nga pikat themelore për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Fakti që zgjedhjet në veri u organizuan në një kontekst juridik dhe politik mjaft delikat, të njëjta me ato në pjesën tjetër të territorit të Kosovës, prodhoi një sërë problemesh që kushtëzuan p.sh. edhe fushatën elektorale, duke qenë se pati një klimë frikësimi dhe një fushatë për bojkotim të zgjedhjeve, që kufizoi hapësirën e veprimit politik dhe demokratik, për një fushatë të lirë elektorale në veri. Krahas kësaj ka pasur edhe probleme që kishin të bënin me regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës (out-of-Kosovo voters), një proces mjaft kompleks me kritere që i kemi vlerësuar disi restriktive sa i takon rregullave të KQZ.(...)

Ka pasur kritika për mangësi në komunikim mes misionit vëzhgues dhe KQZ. Ka pasur probleme të tilla dhe të çfarë natyre?

Problemet për të cilat flisni kanë të bëjnë me komunikimin mes OSBE-së, e cila ka rolin e lehtësuesit në procesin elektoral në veri të Kosovës, ku duhet të themi që OSBE ka pasur një rol vendimtar, (...) dhe pa OSBE-në do të kishte qenë shumë e vështirë të realizohej ajo që u realizua. Ne evidentojmë në raportin tonë mungesën e transparencës së plotë në procesin e organizimit në veri pasi procedurat në një farë mënyrë u desh t'i përshtateshin kontekstit të veçantë atje. Por ky problem u kapërcye nga OSBE, e cila e informoi KQZ për aktivitetin e saj të plotë në veri. Dhe fakt është që qendrat e votimit u hapën dhe funksionuan në të gjitha komunat e veriut.(...)

Ashtu siç kam thënë në konferencën për shtyp këto zgjedhje ishin një sfidë e vështirë për dy arsye: së pari sepse në pjesën më të madhe të vendit, po të lëmë mënjanë katër komunat në veri, mbizotëronte një nivel i ulët besimi në karakterin transparent dhe të lirë të zgjedhjeve, për shkak të eksperiencës shumë negative të vitit 2010. Pra në këto zgjedhje ishte e rëndësishme të bëhej një hap përpara në krahasim me ato paraardhëse. Së dyti, në veri një sfidë pasi kishim fushatën për bojkotim dhe probleme shumë të komplikuara për t'u zgjidhur për realizimin e zgjedhjeve në kuadër të ligjeve të Kosovës. Këto dy sfida u përballuan dhe rezultati ishte mjaft pozitiv, jo i përsosur, por pozitiv në të dy rastet.

Sa i takon pjesës më të madhe të vendit, problemet e tjera kanë qenë besimi i ulët në korrektësinë e listave të votuesve, të cilat kanë qenë shumë të mëdha dhe le të themi që nuk ishte kryer punë për "pastrimin" e tyre.

Sa i takon medieve, në përgjithësi ato u kanë ofruar hapësirë të gjitha subjekteve elektorale të shprehin opinionet e tyre. Natyrisht ne kemi konstatuar edhe disa parregullsi, si p.sh. që kanali kryesor publik i ka dhënë disi përparësi partisë në pushtet, etj. Ka pasur edhe akuza për blerje votash, apo punonjës publikë që janë detyruar të marrin pjesë në aktivitete elektorale. Pra ka pasur një numër episodesh, që ne i kemi regjistruar dhe i raportojmë si probleme që duhen kapërcyer. Por përmasat e këtyre episodeve në tërësinë e procesit elektoral janë të kufizuara. Pra edhe në statistikat e hartuara nga vëzhguesit tanë, p.sh. në ditën e votimit, vetëm 3,5 për qind e rasteve të vrojtuara kanë rezultuar të dobëta ose negative, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër, pra 96,5 për qind e rasteve janë vlerësuar mjaftueshëm, mirë e madje deri shumë mirë.

DW.COM