1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi i Kontaktit për Sirinë mbështet opozitën

(dpa, rtr, afp) / Esat Ahmeti23 Qershor 2013

Në luftën kundër rgjimit të Asadit, rebelët sirianë po gjejnë shumë përkrahës. Por shumë prej tyre nuk duan të ndihmojnë ushtarakisht. Kjo doli në pah edhe në takimin e Grupit të Kontaktit për Sirinë.

https://p.dw.com/p/18uUV
Fotografi: Reuters

Grupi i Kontaktit i Miqve të Sirisë planifikon të forcojë pozitën e rebelëve para konferencës së paqes e planifikuar të mbahet në Gjenevë. Gjermania gjithashtu dëshiron ta mbështes opozitën siriane por jo me mjete ushtarake. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle tha të shtunën (22.06.) në Katar, pas një takimi të njëmbëdhjetë vendeve kryesore të Grupit të Kontaktit, se është rënë dakord që të zgjerohen përpjekjet në favor të opozitës. "Kjo do të bëhet në mënyra të ndryshme. Por ne të gjithë jemi të bindur se është e nevojshme një zgjidhje politike", tha shefi i diplomacisë gjermane. 

Guido Westerwelle dhe Ahmet Davutoglu në Doha, Katar
Guido Westerwelle dhe Ahmet Davutoglu në Doha, KatarFotografi: picture alliance/dpa

Ndihma ushtarake dhe diplomacia

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën gatishmërinë e tyre për t'i lejuar rebelët të kenë më shumë mbështetje ushtarake se më parë. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry siguroi megjithatë se kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton një largim nga një zgjidhje politike e konfliktit. Homologu i tij i Katarit, sheiku Hamad bin Jassim al-Thani, tha se në takim përfaqësuesit e të dy vendeve kanë deklaruar se ata janë të gatshëm të ofrojnë vetëm ndihma humanitare dhe forma të tjera të mbështetjes civile. Për këtë ka mirëkuptim.

Për konferencën e paqës të planifikuar nga Rusia dhe SHBA-të në Gjenevë, nuk ka ende një datë të saktë dhe nuk është përpiluar ende as lista e pjesëmarrësve. Regjimi në Damask ka konfirmuar pjesëmarrjen, por në të njëjtën kohë ka theksuar se Asadi nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Edhe rebelët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, por e kanë lidhur atë me kushte, ndër të tjera edhe me tërheqjen e luftëtarëve të Hezbollahut që luftojnë për regjimin e Asadit në Siri.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry
Sekretari amerikan i Shtetit, John KerryFotografi: Reuters

Mediat: Medikamente kundër gazit helmues

Rebelët kishin deklaruar në ditët e fundit, se ata kanë marrë dërgesat e para të mëdha të armëve të sofistikuara nga jashtë. Kanali televiziv francez BFM-TV njoftoi se Franca i ka dërguar opozitës siriane furnizime mjekësore kundër gazit helmues Sarin.

Në "Grupin e Miqve kryesor të popullit sirian" bëjnë pjesë SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Egjipti, Turqia, Arabia Saudite, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.