1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Grupet e të drejtave të njeriut kërkojnë pranimin e të burgosurve të Guantanamos në BE

Shpërbërja e kampit të të burgosurve në Guantanamo po afron e kësisoj edhe nevoja për vendim nga vendet e BE-së: nëse ato janë të gatshme dhe në çfarë kushtesh mund t´i pranojnë ish-të burgosurit.

Aktivistë të të drejtave të njeriut protestojnë para burgut të Guantanamos

Aktivistë të të drejtave të njeriut protestojnë para burgut të Guantanamos

Guantanamo - kjo nuk është çështje vetëm e amerikanëve, thekson Zachary Katznelson nga organizata amerikane për të drejtat e njeriut „Retrieve“. Për të s´ka asnjë diskutim, që evropianët duhet të ndihmojnë tani, kur bëhet fjalë për shpëbërjen e kampit. „Evropa nuk i ka duart e pastra në këtë çështje - SHBA vërtet kanë përgjegjësinë më të madhe - por edhe Evropa ka luajtur një rol jo të pastër.“

Në BE janë lejuar fluturimet e fshehta të CIA-s, nëpunësit evropianë të sigurisë kanë marrë në pyetje të burgosur të Guantanamos dhe kanë përfituar prej informacioneve, që janë arritur të nxirren në SHBA duke përdorur torturat.

Katznelson ka qenë disa herë në Guantanamo, ai mbron gjithsej 30 të burgosur të kampit. Njëri prej tyre është algjeriani Ahmed Belbacha. Ai mbahet qysh prej vitesh në Guantanamo, ndonëse amerikanët nuk kanë arritur të provojnë asgjë kundër tij. Belbacha refuzon të kthehet në Algjeri dhe preferon më mirë të qëndrojë në Guantanamo, sepse ai ka frikë nga ajo çfarë e pret në Algjeri. Katznelson: „Pra ai qëndron në Guantanamo, amerikanët e kanë liruar atë. Ai preferon më mirë të jetojë në qelinë e tij prej metali, ku qëndron 22 deri në 23 orë në ditë, se sa të kthehet në Algjeri.“

Belbacha është njëri nga 60 të burgosurit e Guantanamos, të cilët sipas organizatave të të drejtave të njeriut duhet të pranohen në BE. „Ne nuk i imponojmë asnjë vendi, që t´i pranojë të burgosurit e liruar pa marrë informacione të detajuara për ta", thekson Camilla Jelbart nga Amnesty International. Eshtë detyrë e SHBA-së që t´i verë këto informacione në dispozicion.

Organizatat e të drejtave të njeriut janë megjithatë të bindura, se nga 60 të burgosurit, për të cilët bëhet fjalë, Evropës nuk i vjen asnjë rrezik. Katznelson: „Këta burra janë marrë njëqind herë në pyetje. Jo vetëm nga SHBA-ja, por shpesh herë edhe nga qeveritë evropiane. Dosjet e tyre janë lexuar aq shumë si për askënd tjetër. Edhe vetë fakti që SHBA-ja është e gatshme t´i lirojë ata të shkojnë diku në botë, flet shumë."

Vetëm pak vende të BE-së mendojnë të pranojnë të burgosur nga Guantanamo, edhe në Gjermani është përhapur ky diskutim. Faktikisht deri tani janë shprehur të gatshme vetëm Portugalia dhe Lituania. Ministrat e brendëshëm të BE-së të enjten (26.2.) për herë të parë do të konsultohen mbi këtë çështje. Camilla Jelbart nga Amnesty International:

„Ne duam që Evropa të ndihmojë, që t´i jepet fund këtij skandali me të drejtat e njeriut."

Por tani diskutimi është në fillimet e tij.

  • Data 25.02.2009
  • Autor Michael Becker
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H0wt
  • Data 25.02.2009
  • Autor Michael Becker
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H0wt