1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Grindje serioze mes Gjermanisë dhe Zvicrës

Prej vitesh Gjermania dhe Zvicra po përpiqen të gjejnë ndonjë rrugë të përbashkët për luftimin e atyre qe fshehin të dhënat për tatimet. Zgjidhje dukej afër, por këto ditë kanë shkallëzuar mosmarrëveshjet.

Rasti ka shqetësuar opinionet dhe ka shkaktuar debate të nxehta në verën e vitit 2010: hetuesit tatimorë nga Gjermania kanë bastisur dhe kontrolluar në mbarë vendin filialat e bankës "Credit Suisse". Ato dyshoheshin për ndihmën e shtetasve gjermanë që të fshehin të dhënat e tyre për tatime. Rasti ka shkallëzuar pas aferës së zbuluar në landin e Renanisë-Veriore Vestfalisë. Ky land kishte blerë nga një person anonim një CD me të dhënat e personave që nuk kanë paraqitur për tatime pasuritë dhe paratë e tyre në bankat zvicerane. Fjala është për tatime në vlerë prej miliona eurosh.

Bastisjet e Credit Suisse

Bastisjet e Credit Suisse

Autoritetet gjermane kanë nisur procedurat kundër personave që gjendeshin në këtë CD për mashtrim fiskal. Në anën tjetër autoritetet e Zvicrës pohojnë se personat që i kanë siguruar ilegalisht këto të dhëna dhe ata që i kanë blerë kanë bërë vepër penale kundër sekretit bankar. Ndërkohë që të dy palët kishin rënë dakord për një marrëveshje e cila duhet të futet në fuqi në vitin 2013 me të cilën parashikohej zgjidhja e këtij problemi. Tani duket se plani do të dështojë, pasi që javën e kaluar u bë e ditur se Zvicra ka lëshuar një fletëarrest kundër hetuesve tatimorë nga Renania - Veriore Vestfalia. Nëpunësit gjermanë akuzohen për shkeljen e sekretit bankar dhe ndihmë në spiunazh ekonomik.

Kërkohet edhe ndihma e autoriteteve gjermane

Një zëdhënëse e Ministrisë Gjermane të Drejtësisë kumtoi të hënën (02.04.2012) se autoritetet e Zvicrës kanë kërkuar ndihmë juridike nga autoritetet gjermane me 20 mars. Sipas këtij burimi, Qeveria gjermane është duke shqyrëtuar këtë kërkesë. Ndërkohë ministri i Financave Wolfgang Schäuble është duke shqyrëtuar mundësinë e marrëveshjes me autoritetet e vendit fqinj. Me këtë marrëveshje e cila duhet të futet në fuqi në fillilm të vitit që vjen, gjermanët duhet të paguajnë tatime edhe në Zvicër sikur në Gjermani.

CD me të dhëna nga Zvicra

CD me të dhëna nga Zvicra

Për sa para të gjermanëve që gjenden në bankat e Zvicrës bëhet fjalë, natyrisht nuk e di askush. Flitet për 130 deri 180 miliardë euro. Me marrëveshjen e cila tani është rrezikuar parashikohet që për paratë e fshehura në të zezë në bankat e Zvicrës të paguhen tatime në vlerë prej 19 deri 34 % që gati është e barabartë me amnesti. Për futjen në fuqi marrëveshja duhet të miratohet edhe në Bundestag dhe në Këshillin Federal.

Opozita e mllefosur

Kancelarja gjermane Angela Merkel mendon se përkundër tendosjeve të fundit marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë të ngarkuara, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë Steffen Seibert. Sipas tij, Qeveria gjermane megjiathatë mendon se duhet përndjekur të gjithë ata të cilët përpiqen të fshehin tatimet. Por ai nuk tha nëse edhe në të ardhmen do të blehen CD të siguruara me rrugë ilegale. Në anën tjetër, ministri socialdemokrat i Financave në Renaninë - Veriore Vestfali Norbert Walter-Borjans pohon se të gjithë ata që fshehin tatimet duhet të denohen.

Partitë në Gjermani kanë qëndrime të ndryshme sa i përket mosmarrëveshjeve me vendin fqinj. Socialdemokratët dhe ekologjistët nuk do të mbështesin asnjë marrëveshje e cila kursen ata që fshehin tatimet. Ndërkohë që pa mbështetjen e opozitës një marrëveshje e tillë me Zvicrën nuk mund të arrihet. Jürgen Trittin, shef i grupit të deputetëve ekologjistë në Bundestag, pohon se vendimi i autoriteteve të vendit fqinj për kriminalizimin e atyre që luftojnë kriminalitetin është skandaloz.

Mosmarrëveshje mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve

Wolfgang Schaeuble

Wolfgang Schäuble

Përfaqësuesi i socialdemokratëve Thomas Oppermann pohon se modeli i Renanisë - Veriore Vestfalisë për luftimin e personave që fshehin pasuritë e tyre duhet të jetë model edhe për landet tjera gjermane. Për gazetën Bild ai deklaroi se qeveria gjermane duhet t'u dalë në mbrojtje hetuesve tatimorë gjermanë. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i kristiandemokratëve Hermann Gröhe tha se pa një marrëveshje me Zvicrën Gjermania do të humbë tatime në vlerë prej miliarda eurosh. Ai tha se socialdemokratët në qoftë se nuk e mbështesin këtë marrëveshje do t'i mbështesin ata të cilët fshehin tatime.

Këto mosmarrëveshje kanë shkallëzuar vetëm disa javë para zgjedhjeve në landin e Renanisë - Veriore Vestfalisë, të cilët duhet të mbahen me 13 maj. Në sondazhet e fundit partitë e koalicionit të deritanishëm, socialdemokratët dhe ekologjistët janë në epërsi të qartë. Epilogu i këtyre zgjedhje do të ndikojë dukshëm edhe në marrëveshjen mes Gjermanisë dhe Zvicrës për luftimin e atyre që fshehin tatimet.

Autor: Marcel Fürstenau

Redaktoi: Bahri Cani