1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Grindje për ashpërsimin e së drejtës së azilit

Disa e quajnë "të pashmangshme", të tjerët "johumane" dhe "jokristiane" Paketën e Azilit II. Masat në këtë paketë janë të ashpra, ndaj shkaktuan debate të nxehta tke deputetët në Bundestag.

Thomas de Maiziere im Bundestag

Thomas de Maiziere duke folur në Bundestag (19.02.2016)

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere u shpjegoi deputetëve të Bundestagut se është veprim i drejtë dëbimi më i shpejtë i refugjatëve, aplikimi i standardeve më të ashpra në rastin e azilkërkuesve të sëmurë të refuzuar, veprimi konsekuent ndaj atyre që kanë kryer vepra penale dhe vështirësimi i bashkimit familjar për të gjithë fëmijët që kanë ardhur si refugjatë.

"Po, kemi të bëjmë me një ashpërsim të së drejtës së azilit, nuk kemi pse i biem anës kësaj", pranoi ministri i CDU-së. Gjermania edhe me këto mbetet megjithatë një vend me zemër, tha ai dhe një "vend me rregulla". Deputetët e partive unioniste, herë pas here dhe të Partisë Socialdemokrate SPD, e shoqëruan atë gjashtë herë gjatë fjalës së tij me duartrokitje.

Me Paketën e Azilit II, qeveria gjermane do të tregojë se është në gjendje të veprojë dhe se i merr seriozisht shqetësimet e popullit, përballë shumë refugjatëve që vijnë në Gjermani. Në ministri dhe në Zyrën Kancelarore nxituan për të hartuar një paketë ligjore. Qytetarët duhet të shikojnë se po ndërmerret diçka. Veçanërisht pas sulmeve seksuale natën e Vitit të Ri, me të cilat lidhen edhe azilkërkuesit. "Ne po punojmë fort", deklaroi de Maiziere. Sepse ai është i ndërgjegjshëm: pas pak javësh do të mbahen zgjedhje të rëndësishme për parlamentet e Landeve. Shokët e partisë së tij duhet të jenë në gjendje të ofrojnë diçka konkrete nga Berlini, për të mos iu dorëzuar tundimit për të bërë fushatë elektorale kundër Kancelares së partisë së vet. Sepse ka pasur shumë pakënaqësi për Angela Merkelin muajt e kaluar. Ky ishte shqyrtimi i parë i ligjit, pas një jave ligji do të miratohet nga Bundestagu.

Deutschland Dietmar Bartsch im Bundestag

Deputeti i Majtë, Dietmar Bartsch

Pakënaqësi për vështirësimin e bashkimit familjar

Deputetët në bankat opozitare e ndërprenë ministrin e Brendshëm me thirrje, kur ai foli që bashkimi familjar tek të miturit do të ndërpritet. "Ne nuk duam që prindërit të dërgojnë përpara fëmijët", tha de Maiziere si shpjegim. Trajtimi i azilkërkuesve më të rinj në moshë është aspekti që i nxehu më fort emocionet. Kryetari i Grupit Parlamentar të të Majtëve në Bundestag, Dietmar Barsch, nga ky shkak iu drejtua deputetëve të partive unioniste: "Si janë katandisur partia e familjes CDU dhe partia e familjes CSU?" Ai u kujtoi kolegëve të tij të Parlamentit se të gjithë ata kanë zhvilluar biseda tronditëse me refugjatë të mitur që kanë ardhur pa prindër. "Çdo fëmijë refugjat është një rast ekstrem humanitar, zoti de Maiziere!", tha ai. Bartsch kritikoi edhe që në të ardhmen nuk do të merren më parasysh ekspertizat psikologjike për të gjykuar për perspektivën e qendrimit. Për politikanin e Majtë, paketa ligjore është "një akt mosbesimi i përgjithshëm i autoritetve, i derdhur në paragrafë".

Deputeti i Gjelbër Konstantin von Notz sheh në Paketën e Azilit II "një projekt të hartuar me shpejtësi", të cilin ai dhe partia e tij e refuzojnë "në mënyrën më të ashpër". Kjo paketë ndihmon populistët, tha ai.