1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200709 Shepherd Hotel Streit

21 Korrik 2009

Ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit është ndezur një debat i ri përsa i përket politikës kolonizuese të qeverisë në Jerusalem.

https://p.dw.com/p/IuUv
Djale palestinez me gomar perpara ndertesave izraelite
Ndryshe nga ata hebrej, banorët arabë të Jeruzalemit lindor e kanë tepër të vështirë të marrin leje ndërtimiFotografi: AP

Pasi SHBA thirrën ambasadorin izraelit në Washington për të ndëhyrë kundër një projekti për ndërtime të reja në pjesën arabe të Jerusalemit lindor, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu theksoi se pretendon të gjithë qytetin. Presidenti SHBA-së Barack Obama e ka ndryshuar kursin amerikan në politikën e Lindjes së Afërt dhe ka deklaruar se nuk do ta durojë më zgjerimin e kolonive izraelite.

Për Benjamin Netanjahun dhe qeverinë e tij të djathtë Jerusalemi nuk është diçka, për të cilin mund të negociohet. "Sovraniteti i Izraelit në Jerusalemin e bashkuar është për të i “pacënueshëm" tha para një muaji kryeministri izraelit në një fjalim të tij të cituar aq shumë. Me fjalë të tjera: Në temën e Jerusalemit kryeministri nuk do të lëvizë asnjë centimetër. Të dielën (19.7.) ai tha para seancës së kabinetit: "Jerusalemi i bashkuar është kryeqyteti i popullit hebre dhe i shtetit të Izraelit. Sovraniteti ynë është i padiskutueshëm, që do të thotë edhe se të gjithë qytetarët e Jerusalemit në të gjitha pjesët e qytetit kanë të drejtën të përfitojnë banesa. Të gjitha qeveritë e Izraelit kanë ndjekur këtë politikë dhe e kanë zbatuar atë, sepse gjatë viteve të fundit qytetarët arabë kanë përfituar banesa si në pjesët ebreje të qytetit ashtu edhe në lindje të qytetit, dhe ne nuk kemi pasur gjë kundër."

Në debatin me qeverinë amerikane për kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor të Jordanit Netanjahu u shpreh i gatshëm për kompromis. Por në çështjen e Jerusalemit ai është i gatshëm për konfrontim diplomatik me qeverinë e Barack Obamës. Kryeministri do t'i japë investorit amerikan të ndërtimeve Irwin Moskowitz lejen për ndërtimin e 20 banesave për izraelitë hebrej – në ish Hotelin Shepherd, që gjendet në lagjen qëndrore arabe Sheikh-Xharrah në mes të Jerusalemit lindor.

Ja si shprehet një banor arab i qytetit, Adnan Husseini, për këtë ndërtesë shumë të përfolur: "Shtëpia dhe kopshti janë 4,4 dynymë pronë e myftiut të madh të Palestinës, Haj Amin Husseini. Muftiu i ndërtoi gjatë viteve 1940-të dhe vetë nuk jetoi aty. Ajo iu dha me qera një familjeje palestineze, më vonë e morën me qera të tjerë, të cilët e zgjeruan dhe e bënë hotel. Pastaj familja ua shiti të huajve."

Ky i huaj është pronari aktual, investuesi nga SHBA me emrin Irwin Moskowitz. Lidhur me projektin e ndërtimit "Shepherd Hotel“ qeveria amerikane thirri tani në një bisedë në Ministrinë e Jashtme ambasadorin izraelit në Uashington, Michael Oren. Kërkesa e administratës Obama është që Izraelit të mos i lejohet të ndërtojë në pjesën lindore të Jerusalemit. Uashingtoni nuk sheh ndonjë ndryshim ndërmjet ndërtimit të kolonive në Jordanin Perëndimor dhe atyre në pjesën arabe të Jerusalemit lindor.

Politika e një "qyteti të hapur“ Jerusalem e propaganduar nga Netanjahu s'përputhet me realitetin

Fjalimi i Netanjahut mbi „politikën e një "qyteti të hapur“ Jerusalem, në të cilin secili mund të blejë troje dhe banesa, ku të dojë, nuk përputhet me ato që kanë përjetuar qytetarët arabë në lindje të qytetit. Autoritetet izraelite mezi u japin banorëve arabë leje ndërtimi dhe pengojnë zhvillimin e lindjes së qytetit. Në të njëjtën kohë shërbimet shtetërore dhe komunale po kryejnë një "hebraizim" të ngadaltë të pjesës arabe të qytetit.

Lagje izraelite ne Jeruzalemin Lindor
"Gebraizim" i ngadaltë i pjesës arabe të Jeruzalemit lindorFotografi: AP

Në mes të lagjeve arabe të qytetit hebrejtë përfitojnë shtëpi duke provokuar fqinjtë arabë me flamuj izraelitë, që valëviten dukshëm mbi shtëpitë e tyre.

Milioneri amerikan Moskowitz blen që prej disa dekadash në mënyrë sistematike troje dhe pasuri të patundshme në pjesën lindore të qytetit për të nxitur hebraizimin e Jerusalemit arab. Sipas ligjit izraelit kjo është legale, por nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare problematike. Sepse Moskowitz dhe të tjerë blejnë toka në Jerusalemin lindor, të cilin Israeli e ka pushtuar në vitin 1967. Ndryshe prej Jordanit Perëndimor qeveria izraelite e aneksoi Jerusalemin në vitin 1980 dhe e shpalli edhe lindjen e qytetit si territor shtetëror izraelit në përjetësi.

Autor: Sebastian Engelbrecht/Ina Verbica
Redaktor: Dr. Pandeli Pani