1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Grindje në politikën gjermane për refugjatët nga Shqipëria e Kosova

Ndërkohë që kryeministri bavarez, Seehofer nuk përjashton ngritjen e çadrave për refugjatët nga Shqipëria e Kosova, socialdemokratët po mësohen me idenë e shpalljes së dy vendeve si vende të sigurta origjine.

Debati në Gjermani për vështirësitë e strehimit të refugjatëve në lande e komuna për shkak të numrit të tyre gjithnjë e më në rritje vazhdon. Kreu i ri i Bremenit, Carsten Sieling (SPD) ka kërkuar më shumë angazhim të federatës. "Kemi nevojë për shumë mbështetje nga federata", ka thënë ai për radion gjermane "Deutschland funk" të martën (21.07) Gjendjen në Bremen ai e përshkroi me fjalët "edhe ne jemi pranë ngritjes së çadrave". Më parë ka pasur zëra në median gjermane për ngritjen e çadrave për refugjatët, për shkak se qendrat e pranimit janë tejet të populluara.

Kthim apo mbajtje e të kualifikuarve?

Një pikë e nxehtë debati janë sidomos azilkërkuesit që vijnë nga Shqipëria Kosova e vende të tjera të Ballkanit. Kryeministri i qytet-shtetit të Bremenit, Carsten Sieling e refuzoi të martën një kthim të shpejtë të azilkërkuesve nga Ballkani duke theksuar se "jam për masa, por jo për ato të kthimit". Ndër refugjatët ka edhe forca pune mjaft të kualifikuara, thotë Sieling, dhe pikërisht këtyre u duhet lehtësuar integrimi. Për azilkërkuesit nga Shqipëria e Kosova, Bremeni nuk ka një pozicion përfundimtar, ka theksuar Sieling.

Deutschland Bayern CSU Horst Seehofer

Kryeministri i bavarisë, Horst seehofer

Por kundërshtimet Sieling i gjen tek radhët e partisë së vet. Kryeministri i Saksonisë së Poshtme, Stephan Weil (SPD) kërkon një kthim të shpejtë të azilkërkuesve që iu refuzohet pranimi. Për "Hannoversche Allgemeine Zeitung", (21.07) ai tha se kjo do të ndikonte në lehtësimin e gjendjes në shumë komuna, që ndodhen në limitet e mundshme. Gjermania duhet të kthejë me konsekuencë ata azilantë që nuk kanë asnjë arsye për azil, tha ai. "Këta njerëz duhet të kthehen në vendlindje, kjo nuk diskutohet. Weil shprehet se ka respekt për ata njerëz që largohen nga Kosova për shkak të mungesës së perspektivës ekonomike në vend.

"Por për ta ndihmuar Kosovën që kjo gjendje të ndryshojë nuk është detyrë e ligjit gjerman të azilit, por e bashkësisë europiane", ka theksuar kryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme. "Kemi një grup azilkërkuesish, kërkesa e të cilëve me 99% siguri refuzohet, dhe një grup tjetër ku me 99% ajo pranohet. Kur të dyja grupet duan dy vjet për njohjen e kërkesës së tyre, atëherë është e qartë që diçka në sistem është e gabuar."

Grindje në politikën gjermane për azilkërkuesit

Për kthimin e shpejtë të azilkërkuesve nga Shqipëria e Kosova angazhohet sidomos landi bavarez. Në takimin e kabinetit qeveritar bavarez të hënën (20.07) është kërkuar marrja e "masave rigoroze" ndaj refugjatëve që vijnë nga Ballkani. Të hënën kabineti qeveritar bavarez vendosi ngritjen e dy qendrave të pranimit për refugjatët nga Shqipëria e Kosova e Mali i Zi. Sipas kryeministrit bavarez, Horst Seehofer aty do të strehohen ata "që kanë shumë pak shanse" për njohjen e azilit. Seehofer është kritikuar sepse nuk ka përjashtuar që këto dy qendra që do të ngrihen sa më afër kufirit, mund të jenë çadra të përkohshme, ku do të përpunohen me shpejtësi kërkesat e azilanatëve.

Deutschland Bayern Flüchtlingspolitik

Kritika për politikën ndaj refugjatëve në Bavari

Kryetarja e fraksionit të ekologjistëve, Katrin Göring-Eckardt akuzoi Seehoferin për populizëm. "Ndërkohë që digjen qendra refugjatësh, edhe në Bavari, dy ditë më vonë, Seehofer kërkon të ndjekë një politikë kërcënimi." Kritika i vijnë Seehoferit edhe nga ministri socialdemokrat i Drejtësisë, Heiko Maas që e akuzon Seehoferin për "tone cingëritëse". Por kryeministri bavarez i ka mbrojtur planet e bavarezëve për strehimin e refuzgjatëve ndaj kritikave. Sipas agjencisë së lajmeve, dpa ai i kundërpërgigjet kritikave të Mass duke u shprehur se ka përgjegjësi jo vetëm për azilkërkuesit në nevojë, por edhe për popullin e vet.

Që në mars të këtij viti Bavaria u përpoq për kategorizimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi si vende të sigurta origjine, por bavarezët ndeshën në kundërshtimin e socialdemokratëve në Këshillin Federal. Tani socialdemokratët duken më të hapur, siç e ka theksuar së fundmi edhe zëvendëskryetari socialdemokrat, Olaf Scholz në intervistën për "Die Welt". "Ky është një diskutim i drejtë, dhe ka kuptim, që vendet që kanë perspektivë anëtarësimi në BE nuk mund të jenë në të njëjtën kohë edhe vende nga vijnë refugjatë." Vetëm në qershor në Gjermani u paraqitën 35.500 kërkesa për azil, një rritje prej 36%. Vendet kryesore të ardhjes së refugjatëve në këtë listë janë Siria, Shqipëria dhe Serbia.