1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Grindje lidhur me flotilen me ndihma për Gazën - Erdogan shpall sanksione të reja kundër Izraelit.

Kërcënimi vjen për shkak të refuzimit izraelit për të marrë përgjegjësinë dhe të kërkojë falje për vrasjen para më shumë se një viti të nëntë nënshtetasve turq në flotilën me ndihma për Rripin e Gazës.

default

Raportet ushtarake dhe bashkëpunimi në industrinë e armatimeve me Izraelin janë pezulluar në tërësi. Ndërsa raportet diplomatike janë ulur në një nivel më të ulët pas tërheqjes së ambasadorëve. Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar ashpërsimin e sanksioneve kundër Izraelit për shkak të vrasjes së aktivistëve turq. Erdoğan është në veçanti i zemëruar për shkak se Izraeli ka refuzuar të kërkojë falje për vrasjen e të paguajë dëmshpërblim për familjarët e personave të vrarë: "Izraeli deri tani ka shkelur vendimet e Kombeve të Bashkuara dhe është sjellë si një kalama. Izraeli e bën këtë gjithmonë."

Turqia dhe Izraeli partnerë strategjikë deri para një viti e gjysëm

Ata së bashku kanë luftuar terrorizmin ndërkombëtar dhe kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë ushtarak në industrinë e armatimit. Turqia është vendi i tretë më i rëndësishëm për eksportet izraelite. Në vitin 2011 janë rritur eksportet në vlerë prej 40 %. Në vitin 2000 këto vende kanë nënshkruar marrëveshjen për tregti të lirë. Ankaraja me dëshirë do të vazhdonte këto raporte të mira me Izraelin, thotë ministri i Financave Zafer Çağlayan: "Marrëdhëniet tona ekonomike me Izraelin mbeten dhe nuk do të ketë ndryshime. Kanalet mbeten të hapura dhe e gjitha vazhdon normalisht."

Kryeministri Erdoğan ka ritheksuar se marina turke në të ardhmen do të jetë më prezente në Detin Mesdhe. Ankaraja duket se po mendon edhe mundësinë e dërgimit të anijeve me ndihma për Rripin e Gazës, të cilat do të përcilleshin nga marina turke. Pasojat e një veprimi të tillë nuk mund të parashikohen. Prandaj Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon u ka bërë thirrje të dy vendeve për ndërprerjen e grindjeve: "Shpresoj shumë që Izraeli dhe Turqia do të përmirësojnë raportet."

Mavi Marmara, flota me ndihma për Gazën, 5 gusht 2010

Mavi Marmara, flota me ndihma për Gazën, 5 gusht 2010


Edhe pasojat e para të tendosjeve shihen

Numri i turistëve izraelitë në Turqi, krahasuar me një vit më parë ka rënë për 60 %. Turistët turq thonë se janë keqtrajtuar këtë fundjavë në Tel Aviv, ndërsa izraelitët në Stamboll. Zëvendësguvernatori i Stambollit Ahmed Aydin shpjegon:

"Autoritetet turke nuk kanë bërë asgjë tjetër ndryshe nga kolegët e tyre izraelitë. Janë shtruar të njëjtat pyetje dhe turistët izrealitë janë detyruar të presin 15 minuta, sikurse edhe turistët nga Turqia në Izrael."

Aktualisht askush nuk mund të thotë me saktësi, se deri kur do të vazhdojë kjo lojë "ashtu siç ma bën ti mua, do ta bëj unë ty".

Autor: Reinhard Baumgarten/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica