1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Grindja për emrin e Maqedonisë - Nimitz takohet me Bakojanin në Athinë

Mathew Nimitz u takua në Athinë me ministren e jashtme greke Bakojani. Turi i tij i ndërmjetësimit vazhdon në Shkup, ku do të takohet nesër me lidershipin e kabinetit të ri në strukturim e sipër.

default

Mediatori Matthew Nimitz

Zgjedhjet e 1 qershorit në Shkup nuk ishin me sa duket pengesa kryesore për arritjen e një zgjidhjeje të shpejtë të konfliktit Athinë-Shkup për emrin e Maqedonisë, që sidoqoftë provokoi një tjetër turne ballkanik të ndërmjetësit ndërkombëtar. Mathew Nimitz mbërriti sot në Athinë ku u takua në mesditë me ministren e jashtme greke Bakojani për të vazhduar udhëtimin e tij për në Shkup ku do të takohet nesër me lidershipin e kabinetit të ri në strukturim e sipër të vendit fqinj. Siç rezultoi dhe nga deklaratat e tij për shtyp, pas bisedimeve njëorëshe, Nimitz nuk mbarte në bagazhet e tij propozimin e ri me tre emertime të ndryshme, midis tyre edhe Gorna Makedonija, siç ishte spekulluar ditë më parë , i cili pranohej gjoja dhe nga Shkupi zyrtar. E reja e këtij turneu është se 9 korriku digjet përfundimisht si afat për gjetjen e zgjidhjes së konsensusit me insistimin amerikan me qëllim integrimin në NATO dhe të Shkupit së bashku me Tiranën dhe Zagrebin. “Sa për afatet, unë nuk shoh një gjë të tillë, është një çështje komplekse, bisedimet janë të vështira dhe nuk shoh që të arrihet zgjidhja as deri më 9 korrik dhe as javët e ardhshme” deklaroi Nimitz, i cili foli për “aktivizim të ethshëm” por në këtë fazë “nuk do të rekomandonte një takim të drejtpërdrejtë midis ministrave të jashtëm të të dy vendeve”.


Nimetz ka para tij tashmë një qëndrim më të rreptë në radhë të parë nga Athina që insiston në një emërtim me përcaktim gjeografik dhe erga omnes, pra për të gjitha përdorimet, i cili do të ratifikohet nga Këshilli i Sigurimit dhe nuk do ti nënshtrohet verdiktit të plebishitit popullor në vendin fqinj. “I shpreha shpresën time se bisedimet do të kenë fund të suksesshëm duke shpresuar se pala e Shkupit do të braktisë retorikën elektorale dhe do të shikojë thelbin e bisedimeve” deklaroi Bakojani pas takimit të saj të martën në Berlin me sekretaren amerikane të shtetit Rice. Topi është në fushën e palës tjetër mendon Athina, e cila duke pasur dhe përkrahjen e plotë të presidencës franceze të B.E. kërcënon me përdorimin e një veto të dytë ndaj kandadaturës evropiane të Shkupit gjatë vjeshtës pa i rreshtur njëkohësisht apelet për realizëm politik ndaj fqinjit të saj. Të njëjtin qëndrim të rreptë Nimitz pritet të gjejë dhe në Shkup siç u duk këto ditë nga kryeministri Gruevski që pranoi si kompromis vetëm një emërtim të dyfishtë të kushtëzuar bile prej një referendumi.

  • Data 26.06.2008
  • Autor Niko Anagnosti, Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ERSO
  • Data 26.06.2008
  • Autor Niko Anagnosti, Athinë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ERSO