1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Grindja kufitare vetëm detaj teknik i luftës për territore

Shtypi gjerman analizon gjendjen në zonën e krizës në veri të Kosovës

Barrikada serbe në Rudare

Barrikada serbe në Rudare

Serbët mbrojnë bllokadën e kufirit, titullohet artikulli i sotëm mbi ngjarjet në Kosovës nga e përditshmja gjermane "Der Tagespiegel". Njy kryq i madh metalik, rrënjë pemësh dhe demonstrues mbrojnë bllokadën e pikëkalimit kufitar në Jarinje, shkruan në reportazhin e tij Christian Wehrschutz. "Shtatë metra i lartë është kryqi. Serbët e Kosovës e kanë betonuar në mes të rrugës, që shkon nga qyteti i Mitrovicës për në qytetin Leposavic, në kufirin me Serbinë. Kryqi markon fillimin e bllokadës rrugore që pengon rrugën drejt pikës kalimtare Jarinje, të djegur disa ditë më parë nga serbë të dhunshëm. Gjatë asaj kohe u qëlluan edhe ushtarë të Kfor-it. Kjo ishte pika kulminante u konfliktit të shpërthyer sërish midis serbëve dhe shqiptarëve," shkruan autori.

Kosova pati vendosur më parë ndalimin e importit të mallrave serbe në vend, duke reaguar ndaj një bllokade, që ekziston prej kohësh për futjen e mallrave kosovare në Serbi. Në Kosovën veriore jetojnë 55 mijë serbë dhe 10 mijë shqiptarë.

Pika kalimtare Jarinje kontrollohet tani nga Kfor-i, i cili i furnizon ushtarët e vet nga ajri për shkak të bllokadës disaditore. Disa metra pas kryqit, janë ulur në mes të rrugës serbe të moshës së mesme. Në linjën mbrojtëse pasojnë rrënjë pemësh dhe zhavorr. Por, kryesisht demonstrueset ia bëjnë Kfor-it punën të vështirë për të hapur rrugën. Dy faktorë e bëjnë situatën të vështirë. Nga njëra anë mafia dhe nga ana tjetër, shumica e sërbëve që jetojnë në veri të Kosovës janë shumë nacionalistë. Partia ultranacionaliste serbe ka këtu shumë ndikim.

Autori tjetër, Enver Robeli mendon se qeveria kosovare nuk mund të bëjë shumë kundër marrëveshjes së arritur midis komandantit të KFOR-it, Erhard Bühler dhe përfaqësuesve të Beogradit. "Një ndërhyrje e re policore në veri do të shkaktonte rebelimin e serbëve të atjeshëm, rebelim i cili nuk do të mund të shpërbëhej pa ndihmën e Kfor-it," shkruan Robelli për të përditshmen gjermane "Süddeutsche Zeitung". Zgjidhja e konfliktit për kufirin mund të zgjidhej në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara prej Brukselit. Takimi tjetër pritet të mbahet në shtator, por kompromis nuk duket ende të ketë, sepse Beogradi nuk e njeh vulën doganore të Republikës së Kosovës dhe kërkon kryesisht ndarjen territoriale. Ky opsion nuk pranohet prej shteteve më të mëdha evropiane dhe prej SHBA-së, shkruan autori për gazetën "Süddeutsche Zeitung".

Me bisedime mund të zgjidhet konfklikti, mendon edhe Andreas Ernst. Por, në numrin e sotëm të "Neue Zürcher Zeitung", ai shkruan se "Konflikti i kufirit u ka treguar drejtuesve të bisedimeve se vetëm bisedime serioze politike dhe jo "dialogu teknik" i deritanishëm mund të sjellin sukses". Qeveria e kryeministrit Hashim Thaçi nuk e pranon marrëveshjen midis Beogradit dhe KFOR-it. Megjithatë shkruan Ernst, "kritikat ndaj KFOR-it bëhen me rezerva. Sepse KFOR-it iu la në dorë mandati i bisedimeve sepse është aktualisht prezent në Kosovën veriore dhe falë forcës ushtarake merret edhe seriozisht."

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan se kur KFOR-i mori në verë të vitit 1999 kontrollin mbi Fushë- Kosovë ai u ndal në Ibër. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka mundur ose nuk ka dashur të ketë nën kontroll zonën e banuar me serbë, në veri të lumit. Edhe administrata kalimtare e OKB nuk është përpjekur kurrë me sukses të përfshijë edhe veriun. Në një farë mënyre është pranuar që këtu ligjin e bën Beogradi. Deklarimi i pavarësisë nga Kosova nuk ka ndryshuar gjë në këtë fakt. Qeveria e Kosovës nuk ka ndikim në veri të vendit të vetë. "Grindja për doganat" është vetëm një detaj teknik i luftës shqiptaro- serbe që është duke u zhvilluar për territore që nga viti 1912.

Autor: faz,nzz,tsp,sz/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 05.08.2011
  • Fjalët kyç shtypi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12Btg
  • Data 05.08.2011
  • Fjalët kyç shtypi
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12Btg