1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Greva e pilotëve: Veprim i papërgjegjshëm

Tri ditë rresht nga pista nuk do të ngritet asnjë avion i Lufthansës. Dëmi financiar afatshkurtër është i madh. Ndërsa në aspektin afatgjatë në rrezik është madje edhe e ardhmja e linjës ajrore, mendon Henrik Böhme.

Fluturimet për dhe nga Gjermania, si dhe fluturimet brenda vendit, do të jenë një sfidë e vërtetë në ditët e ardhshme. Sidomos për ata, që kanë rezervuar një biletë tek kompania gjermane Lufthansa. Linja ajrore më e madhe në vend duhet të qëndrojë në tokë, sepse ndaj saj është duke u bërë presion. Presion nga pjesa e punonjësve, të cilët edhe pse përbëjnë vetëm dhjetë për qind të fuqisë punëtore, i kushtojnë kompanisë rreth 40 për qind të totalit të shpenzimeve për kontributet pensionale. Nga të punësuarit, nga të cilët me të vërtetë varet jeta e shumë njerëzve, por që paguhen relativisht shtrenjtë për këtë, me pagat vjetore deri në 250.000 euro. Nga punonjës, të cilët shkojnë mesatarisht me 59 vjet në pension, dhe deri në arritjen e moshës normale për pension nuk kanë frikë se do të vdesin urie.

Fjala është për repartin krenar të pilotëve. Natyrisht që edhe ata kanë të drejtë për të luftuar për të drejtat e tyre të punës. Sigurisht që ata duhet të paguhen në mënyrë të drejtë. Por në qoftë se ata tani i shkaktojnë një dëm të tillë linjës së tyre ajrore - ekspertët flasin për 30-40 milionë euro për çdo ditë të grevës - atëherë kjo të bën për t'u menduar më gjatë. Kjo për faktin se Lufthansa ndodhet tani në një konkurrencë të ashpër me linjat ajrore të financuara nga shteti në Gjirin Persik. Edhe Lufthansa na ishte një herë një kompani shtetërore, por ato ditë ka shumë kohë që kanë kaluar. 15 për qind e aksioneve u takojnë ndërkohë investitorëve financiarë anglo-saksonë. Ata duan të shohin fitimet e tyre. Dhe kjo duhet të realizohet nga menaxhmenti. Por njëmbëdhjetë miliardë euro, që duhet të paguhen në arkën e pensionit, janë një ngarkesë e madhe, me të cilën nuk ballafaqohen sfiduesit e Lufthanës si 'Emirates,' apo 'Etihad'.

Por janë pikërisht kontributet pensionale ato, të cilat i'a bëjnë jetën e vështirë Lufthansa-s. Etihad për shembull është duke ripërtrirë aleancën me partnerin e saj Air Berlin dhe përgatitet kështu për një sulm masiv ndaj Lufthansës. Prandaj menaxhmenti i Lufthansës nuk mund të qëndrojë duarkryq. Shpenzimet duhet të mbeten konkuruese, të paktën në fillim, në qoftë se ajo dëshiron të mbetet në lojë edhe në të ardhmen.

Duke pasur parasysh këtë presion të madh financiar, shtrohet pyetja se çfarë atëherë është gabim në sugjerimin e Lufthansës për të bërë në mënyrë graduale më fleksible përkujdesjen pensionale? Tek pilotët aktualë mbetet çdo gjë ashtu siç është, tek pilotët e rinj bëhen shkurtime të caktuara, ata që fillojnë tani këtë profesion duhet në të ardhmen të përkujdesen vetë për pensionet e tyre. Ashtu siç bëjnë aktualisht shumica e gjermanëve.

Arsyeja për këtë grevë të paparë deri tani nga pilotët e Lufthansës është mosmarrëveshja për pensionet kalimtare. Kjo gjë pothuajse ishte harruar, pasi në tavolinën e bisedimeve ndodhet edhe një kërkesë për rritjen e pagave. Sindikata e pilotëve kërkon një rritje prej 10 për qind. A ka dikush më ndonjë pyetje?