1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greva e opozitës në Shqipëri

Vendimi i opozitës gjatë fundjavës për ta shndërruar protestën në grevë urie pa afat të 22 deputetëve dhe rreth 180 mbështetësve të saj vetëm pak metra larg godinës së qeverisë e ka acaruar klimën politike në Shqipëri.

default

Protesta të opozitës në Tiranë

Opozita ka vënë në qëndër të kërkesave transparencën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku të përfshihet dhe hapja e kutive te votimit. Kurse mazhoranca vazhdon të kundërshtojë, duke e konsideruar këtë kërkesë si një precedent negative dhe sfidë ndaj vendimit të gjykatave. Për analistët në Tiranë tashmë që janë konsumuar rrugët për gjetjen e kompromisit nga vetë klasa politike shqiptare, shikohet si mundësi e vetme për kapërcimin e krizës presioni dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar.

Krasniqi: Hyrja në grevë duket si veprim i detyruar

Për komentatorin politik Afrim Krasniqi, vendimi i socialistëve për të protestuar me uri duket si një qëndrim pragmatist. Sipas tij, për t'i treguar opinionit se ajo është e vendosur në kërkesën e saj për trasnparencë të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Kjo është dhe një mënyrë për t'i motivuar anëtarët e simpatizantët e PS-së dhe të aleatëve të saj për të rritur frymën e protetës e kundërshtimit ndaj indiferencës së qeverisë. Hyrja në grevë urie, thotë Afrim Krasniqi për DW, duket si një veprim i detyruar, sepse format tradicionale kanë dhënë deri më tani efekte minimale në opinionin e gjerë.

Afrim Krasniqi Albanien

Afrim Krasniqi, analist politik

“PS bëri një protestë në muajin nëntor dhe ajo tregoi se një protestë sado masive qoftë, nëse nuk vijon për ditë të tëra, ose nëse nuk ka forma të reja është e destinuar të mbyllet. Praktikisht u mundua të gjejë forma, të cilat mund të mbajnë gjallë, të themi shpirtin e protestës. Dhe kjo duket si një nga format më të mira në kushtet aktuale për PS-në”.

Kryeredaktori i lajmeve në Televizionin Top Channel, Mentor Kikia, e shikon si një opcion natyral për opozitën radikalizimin e qëndrimit për kërkesën e hetimit të zgjedhjeve duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit. Por nisur nga efekti që ka patur gjatë fundjavës greva e urisë, Kikia thotë për DW se deri më tani mbështetja ndaj saj nuk është ajo që kanë pritur socialistët.

“Opozita në grevën e saj të urisë nuk ka ndonjë suport të madh publik. Ndryshe nga protesta e datës 30 prill, që ishte organizuar prej një muaji, për të erdhën njerëz nga qytete të ndryshme, u angazhuan të gjitha strukturat e partisë u përdorën qindra autobuzë për ta mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit” . Tani greva e urisë pothuajse nuk po mbështetet publikisht nga shumë njerëz. Nga ana tjetër qeveria nuk ka dhënë asnjë shenjë për t'u tërhequr. Nuk kemi ende ndonje reagim nga faktori ndërkombëtar për tu pozicionuar lidhur me përshkallëzimin e protestës, që ka ndodhur në Shqipëri”.

Kikia: Hyrja e PS në fazën ekstreme të protestës paqësore ngre dilema për pozicionin e saj në skenën politike.

“Ose do të arrijë qëllimin e saj aty, ku do të arrijë, ose nëse dështon dhe kjo grevë, atëhere opozita të gjitha protestat e mëvonshme, që do të ndërmarrë, do t'i ketë thjesht eskursione politike në rrugët e Tiranës, që nuk do të sjellin ndonjë zhvillim të ri”.

Albanien Protest in Tirana gegen Wahlen Sali Berisha

Komentatori politik Afrim Krasniqi nuk shikon për momentin ndonjë zgjidhje të shpejtë të situatës, kjo dhe për vetë ngurtësimin në qëndrime, që shfaqin mazhoranca dhe opozita. Të dyja palët konsiderojnë se çdo lëshim prej tyre do të ishte si një humbje për to dhe fitore për kundërshtarin.

“Ajo që pritet është, nëse protesta agravon, që do të thotë se opozita do të vazhdojë të jetë shumë e vendosur dhe e përkrahur nga qytetarët, atëherë palët do të jenë të detyruara, që në një pikë tjetër të arrijnë një kompromis. Por në çdo rast kompromisi do të jetë shumë i largët dhe do të jetë i imponuar nga faktori ndërkombëtar dhe jo si produkt i faktorit vendas”.

Sinjalet e para nga komuniteti ndërkombëtar për atë që ndodh në mes të bulevardit kryesor të kryeqytetit, sipas Krasniqit priten të lëshohen në fillim të kësaj jave. Pasi deputetë të parlamentit shqiptar nga rradhët e mazhorancës dhe të opozitës do të jenë në Bruksel “për të prezantuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre për fazën e re të krizës politike, që ka mbërthyer vendin”, thotë ai për DW.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 03.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ND2k
  • Data 03.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ND2k