1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Grevë ne Greqi

Greqia është përfshirë sot në një grevë të përgjithshme, e dyta brenda 15 ditëve të fundit. Në Athinë dhe Selanik zhvillohen nën moton: "Nuk do të paguajnë punonjësit për krizën" mitingje të përbashkëta.

Protestues para parlamentit grek

Protestues para parlamentit grek

Pa trafik urban dhe ajror, me dyert e shkollave të mbyllura dhe spitalet vetëm me personel shërbimi për rastet urgjente, Greqia është përfshirë sot në një grevë të përgjithshme 24-orëshe. Është greva e dytë e përgjithshme brenda 15 ditëve të fundit dhe testi i parë serioz për qeverinë masat shtrenguese të së cilës u mirëpriten nga Brukseli dhe tregjet financiare por kanë nxjerrë njerëzit nëpër rrugë. Në sheshet dhe bulevardët e Athinës por edhe Selanikut, ku është i përditshëm tensioni nga protestusit e sindikatave të sektorëve të ndryshëm, mbahen sot dy manifestime të veçanta të mëdha, nga njëra anë të dy sindikatave kryesore të vendit, Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë dhe Bordit Drejtues të Shoqatave të Nëpunësve Shtetërorë, dhe nga ana tjetër të sindikatës së fuqishme Fronti Panhelenik Militant të radikalëve të majtë.

NO FLASH Symbolbild Teaser Griechenland Protest

Këta të fundit në protestat e tyre masive bëjnë thirrje të hapur për bojkotim të plotë të masave qeveritare si të padrejta dhe antipopullore. “Jo vetëm që nuk ka drejtësi në barrën e masave por janë edhe të njëanshme” deklaron për DW kreu i sindikatës së Shtypit dhe Industrisë së Letrës Janis Tolis, që mendon se “modeli i zhvillimit po këtë barrë do të prodhojë për punonjësit”. Pas valës së parë të shkurtimeve drastike të pagave dhe ngrirjes së pensioneve punonjësit kanë frikë, me gjithë përgënjeshtrimet qeveritare, për shtrirje të tyre dhe në sektorin privat dhe sidomos një paketë të dytë masash që do të vejë në pikëpyetje kontratat e përgjithshme të punës dhe do tu lirojë duart punëdhënësve që të shkurtojnë pa kufizimin e dypërqindëshit të tanishëm punonjësit e bizneseve. “Këto masa e përkeqësojnë dhe më tepër krizën, veçanërisht në fushën e ndërtimit. Me rritjen 2% të TVSH-së nuk ka për tu ngritur asnjë ndërtesë” thotë Stavros Lekas, anëtar i këshillit drejtues të Sindikatës së Ndërtuesve, kur sipas statistikës më të fundit zyrtare ndërtimi ra 22.3 % gjatë vitit 2009 në krahasim me një vit më parë.

Masat mund të qetësojnë tregjet financiare dhe qeveria të gjejë 20 miliardë euro që i duhen brenda prillit me kamatë më të ulët se ajo e fundit 6.35 %, por ekonomia kërcënohet me recesion mbi 2 % që mund të rrisë papunësinë në 1 milionë vetë. Në këto kushte pyetjes sonë sa i rrezikshëm është një përshkallëzim i tensionit për vetë paqen e nevojshme sociale për daljen e vendit nga kriza, Lekas i përgjigjet: “Ata na shpallën luftë, nuk ka paqe sociale. Luftës i përgjigjesh me luftë,” - thotë sindikalisti i majtë kur po mer flakë edhe klima midis sindikatave. Ditë më parë protestues radikalë të një fraksioni ultra të majtë sulmuan dhe goditen kreun e sindikatës më të madhe të vendit Janis Panagopullos si “bashkëpunëtor” të qeverisë, që nga politikanë dhe analistë u vlerësua si sinjali i parë i rrezikshëm për degradimin e protestave në një kaos social dhe vënien në pikëpyetje të programit qeveritar për daljen e vendit nga kriza.

Griechenland Finanzkrise Athen Demonstration Flash-Galerie

Pensionistë grekë në demonstratë

Sfida e sigurimit të paqes sociale është e madhe për Papandreun që i ulur me avionin e tij në pistën e aeroportit të Athinës pas turneut të tij të suksesshëm në Evropë dhe Amerikë, ftohet të ulet njëkohësisht dhe në realitetin grek. “Ky front është i hapur dhe shumë serioz,” - thotë analisti i mirënjohur grek Pavllos Cimas, që fton kryeministrin të “rinegociojë konsensusin”. Në këto kushte deklarata si ajo e kreut të Unionit të Industrialistëve Grekë Dhimitris Dhaskallopullos mund të prekin në thelb problemin por acarojnë edhe klimën. “Protestat, turbullirat dhe dhuna e kohëve të fundit nxiten nga ata që përpiqen të ruajnë për interesat e tyre atë gjendje patogjene që e bënë popullin tonë lypës nëpër tregjet e huaja” deklaroi kreu i industrialistëve grekë, që ndërkohë deshi të qetësojë opinionin duke thënë se “statusi i punës do të ruhet”. Këtë duhet ta bëjë besim të njerëzve të punës dhe të mundit qeveria, duke siguruar drejtësi fiskale dhe duke i dhënë përspektivë vendit jo vetëm me kursime të rrepta – sado të nevojshme qofshin – por kryesisht me masa për zhvillimin e ekonomisë.

Autor: Niko Anagnosti
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 11.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MQX1
  • Data 11.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MQX1