1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Grevë e përgjithshme kundër presidentit Trump?

Vetëm thirrja për grevë të përgjithshme kundër Donald Trump tregon, se sa e madhe është rezistenca në SHBA.

Pyetja, se kur është zhvilluar greva e fundit e përgjithshme që e ka paralizuar SHBA-në, merr shumë shpejt përgjigje. Asnjëherë nuk ka pasur një të tillë. "Greva të përgjithshme nuk ekzistojnë në SHBA" tha Kevin Boyle, një historian, i cili në Universitetin Northwestern merret me lëvizjet sociale moderne amerikane. Por ajo që ekziston janë grevat e përgjithshme në nivel lokal, shton Andrew Wender Cohen, historian në Universitetin Syracuse. por edhe këto janë shumë të rralla. „Greva e fundit e madhe e përgjithshme është zhvilluar në vitin 1946 në Oakland, në Kaliforni", ve në dukje Cohen. Asokohe dhjetra mijëra punëtorë lanë vendet e punës në luftë për anëtarësi në sindikatat lokale.

Ide e jashtëzakonshme

Ndërsa dikur ka pasur greva të përgjithshme në nivel lokal në qytetet si San Francisco apo Filadelfia, sipas Cohen, qysh prej shumë kohësh kjo nuk është më e imagjinueshme. Sot në mbarë vendin ka çdo vit vetëm 20 apo 30 greva të mëdha, që do të thotë, greva ku marrin pjesë të paktën 1000 vetë. E pikërisht sepse grevat masive në SHBA janë kaq të rralla, thirrjet për grevë nga organizatorët e Women's March ose edhe nga grupime të tjera jo vetëm që ia vlen të theksohen, por ato janë edhe të guximshme.

„Kjo ide është e jashtëzakonshme," thekson Boyle. "Vetë fakti që njerëzit flasin për këtë, tregon, se sa thellësisht e vendosur është opozita kundër qeverisë Trump. Kjo na bën të qartë përmasat dramatike të mobilizimit në SHBA gjatë dy javëve të fundit." Thirrjet për grevë të përgjithshme, bëjnë të qartë, se sa "të tronditur e të indinjuar" janë shumë njerëz, thekson Cohennga Universiteti Syracuse.

Por historiani shtron pyetjen, nëse greva e përgjithshme e planifikuar mund të ketë sukses në një vend, në të cilin ka shumë më pak mbrojtje për punën se sa në Europë dhe ku anëtarësia në një sindikatë është shumë më e rrallë se në Europë, ku ka shpesh greva. „Çështja thelbësore është, nëse organizatorët do t'ia dalin t'i bindin njerëzit, që të riskojnë edhe me shkarkime nga puna dhe që të përballen me pakënaqësinë e sipërmarrësve të tyre", thotë Cohen.

Europa si shembull

Gruaja, artikulli i së cilës në gazetën britanike "Guardian" e bëri popullore idenë e një greve të përgjithshme kundër Donald Trump, nuk u kushton rëndësi këtyre çështjeve taktike të organizatorëve dhe për të luan vetëm një rol sekondar mënyra se si mund të perceptohet protesta. „Unë nuk jam organizatore", thotë për DW, Francince Prose, shkrimtare dhe ish-presidente e klubit PEN American Center. „Unë thjesht e kam bërë publike këtë ide."

"Unë kam kaluar shumë kohë në Itali dhe më kujtohet se si prisja autobusin në Romë, që nuk erdhi kurrë", thotë ajo duke shtuar, se natyrisht që është e vetëdijshme që në SHBA grevat e përgjithshme janë të pazakonta krahasuar me Europën. Ajo thotë, madje se e di mirë, që për amerikanët pjesëmarrja në greva është më me risk dhe më e vështirë se sa për europianët.

Por përse ajo bën thirrje për një grevë të tillë? Prose e shpjegon fare thjeshtë: „Një pjesë e imja mendon, që e vetmja çfarë synon ky njeri është paraja dhe tregtia. Ndaj është ndoshta kjo e vetmja rrugë për ta prekur vërtetë këtë, të paralizosh gjithçka për një ditë apo të krijosh vështirësi, ta bësh jo komode ditën." Kjo megjithatë nuk do të thotë, që suksesi i grevës së përgjithshme të kushtëzohet vetëm me efektin ndaj ekonomisë.

Çfarë do të kishte ndodhur pa protesta

„Le të supozojmë që të gjithë amerikanët do të pezullonin punën për një ditë, nuk do të blinin dhe nuk do të udhëtonin - unë nuk besoj, se kjo do ta shtynte Donald Trump për të dhënë dorëheqjen", thotë Prose. Ndaj për të është e rëndësishme, që të mos përqendrohet vëmendja vetëm tek një lloj proteste apo një aksion i vetëm, por që ajo të konsiderohet si ushtrim për një herë tjetër.