1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia u shpëtua - por për stabilitetin e vazhdueshëm të euros duhet punuar

Për shkak të stabilitetit të Euros ndihma financiare për Greqinë ishte e pashmangshme. Por në të ardhmen nevojitet në të vërtetë një menaxhim largpamës i krizës, mendon në komentin e tij Christoph Hasselbach.

default

Një ndihmë financiare për Greqinë ndoshta nuk do të jetë fare e nevojshme dhe ajo është vetëm mjeti i fundit, që do të përdoret, thoshte pak kohë më parë kancelarja gjermane Angela Merkel. Kështu që është e çuditshme, se sa shpejt erdhi ajo ditë. Gjermanët dhe të tjerët shtrëngojnë tani dhëmbët dhe pajtohen të paguajnë.

Natyrisht që kjo ndihmë nuk ndodh me qejf.

Një vend ka jetuar përtej mundësive të tij për dekada të tëra. Ai ka ndryshuar rregullisht shifrat dhe ka paraqitur të dhëna të rreme në Bashkimin Monetar. Dhe tani të tjerët duhet të ndërhyjnë për ta shpëtuar atë. Ku po mbetet shtytja për t'u përmirësuar jo vetëm për Greqinë, por edhe për kandidatet e tjera josolide si Irlanda, Portugalia, apo Spanja?

Deri tani kanë mbyllur sytë

Christoph Hasselbach Deutsche Welle, DW, Deutsches Programm, Zeitfunk, Funkjournal

Christoph Hasselbach

Megjithatë siç duket Komisioni dhe vendet e tjera të Euro-Zonës për një kohë të gjatë nuk deshën të dinin saktë, se çfarë po ndodhte me të dhënat ekonomike greke. Dhe gjermanët nuk ishin të vetmit, që në kohën e futjes së shfrenuar në borxhe, po eksportonin me shumicë mallrat e tyre për në Greqi. Nga ana tjetër janë pikërisht gjermanët ata, të cilët kanë shumë arsye për të ruajtur stabilitetin e Euro-Zonës. Koncepti i përgjithshëm ekonomik i tyre qëndron dhe bie me stabilitetin në Euro-Zonë.

Por puna nuk përfundon vetëm me një aksion shpëtimi. Kjo për faktin se pa reforma strukturore në Bashkimin Evropian kriza e radhës ndodhet në prag të derës. Përse nuk është përparuar deri tani me kontrolle më të fuqishme në tregjet financiare? Përse ashtu si më parë disa agjenci për vlerësimin e bonitetit mund të vendosin me vlerësimet e tyre për të mirën dhe të keqen e mbarë ekonomive kombëtare? Përse taksapguesit shpëtojnë në të vërtetë bankat, vetëm që ato pastaj të vazhdojnë spekullimet kundër shtetit? Siç duket puna lobiste e sektorit financiar po funksionon për mrekulli.

Thyerja e tabusë së përjashtimit opcion shpëtimi?

Por edhe brenda Euro-Zonës duhet të ndryshojë diçka. Themelimi i Bashkimit Monetar ka qenë në radhë të parë një vendim politik, ndërsa në radhë të dytë një vendim ekonomik. Ai ishte menduar si një projekt për kohët e bukura. Tani në një kohë me stuhi, e cila po zgjat qe prej një kohe të gjatë, gati askush nuk çan kokën për rregullat e stabilitetit. Në të ardhmen shkëmbimi i ndërsjelltë i informatave mes vendeve të BE-së duhet të jetë shumë më i mirë, në mënyrë që krizat të parandalohen me kohë. Përveç kësaj politikat ekonomike të vendeve të BE-së duhet të ingranohen më ngushtë me njëra-tjetrën. Dhe edhe pse në rastin aktual është një tabu, në të ardhmen duhet të jetë i mundur përjashtimi i përkohshëm i një vendi nga Bashkimi Monetar.

Bashkimi Evropian e tejkaloi mirë pjesën e parë të krizës financiare, për shkak se ai veproi i bashkuar dhe me vendosmëri. Ai ka shumë arsye, që të mësojë nga kjo.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 03.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ND0H
  • Data 03.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ND0H