1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia: shtet pa struktura

Volker Wagener1 Prill 2015

Shtet pa struktura: tek autoritetet tatimore, qytetarët grekë nuk kanë asnjë besim. Dyqanet dhe sipërmarrjet nuk paguajnë tatime. Një lloj anarkie civile, vlerëson ekxperti Heinz-Jürgen Axt në bisedë me Detusche Wellen.

https://p.dw.com/p/1F0E6
Protestues greke para Parlamentit
Fotografi: Reuters

Deutsche Welle: Zoti Axt, pse grekët nuk po ia dalin që të sigurojnë pagesën e tatimeve?

Heinz-Jürgen Axt: Tek qeveritë e deritanishme, të cilat janë drejtuar prej socialistëve, liberalëve dhe konservatorëve ka ekzistuar frika se po rrezikohet gatishmëria e sipërmarrjeve për investime, nëse ngrihet tatimet. Këtë diskutim e njohim edhe ne në Gjermani, por nga kjo del një adminsistratë jo efektive financiare, e cila në Greqi thjesht nuk e ka idenë për të ardhurat e vërteta. Ka shembuj të njohur, kur mjekët në pjesët më të mira të Athinës pohojnë se kanë të ardhura vjetore prej vetëm 4000 euro. Vetëm qiraja e zyrave e kalon këtë shumë. Besoj se administrata ka mangësi shumë të madhe dhe e pengon vjeljen e tatimeve të shtetit.

Në Greqi duket se është futur një sistem i pagesave pa fatura. A është e mundur kjo në shtetin me demokracinë më të vjetër?

Po, e vërtetë. Ekziston një propozim i qeverisë që turistët dhe studentët të punojnë pak a shumë si inspektorë dhe të shikojnë nëse hotelierët apo pronarët e restoranteve japin edhe fatura. Kjo dëshmon edhe paaftësinë e shtetit. Normalisht kjo është punë e policisë financiare dhe autoriteteve tatimore. Por vendimtare është që administrata financiare është e paaftë për të kryer punën e saj. Ndërkohë që kjo administratë tani edhe është zvogëluar. Në kuadër të krizës së borxheve në Greqi janë shkurtuar shumë vende të punës në administratën publike.

Si është e mundur që shumë sipërmarrje nuk kanë paguar në Greqi në fondet për pensione dhe në fondet shëndetësore?

Kjo të huton shumë. Kjo është një specifikë greke. Gjermania për shembull ka ofruar të dërgojë atje 300 ekspertë tatimorë. Greqia e ka refuzuar këtë ofertë, ndonëse për Greqinë kjo ofertë ka qenë falas. Reagimi ka qenë: "Jo, kjo është detyrë e shtetit. Këtu nuk duam të kem të huaj, nuk duam këshillime". Ky ka qenë një shans i humbur për një administratë më efektive.

Njëkohësisht disa profesione marrin 14 paga dhe pensione në vit. Me çfarë shpjegimi?

As kjo nuk është strukturuar, madje fitohet përshtypja se gjendja është kaotike. Interesante është që gjithmonë para zgjedhjeve janë dhënë premtime për pensione. Partitë kanë premtuar shumë dhe disa gjëra janë detyruar t'i realizojnë. Ndaj kemi pasur edhe rrogat dhe pensionet e 13-ta e madje edhe 14-ta. Kjo është bërë thjesht për të mbajtur zgjedhësit e tyre dhe për të fituar në zgjedhjet e ardhshme. Në të kaluarën kjo ka qenë e shpeshtë. Gjithmonë kur ka pasur zgjedhje janë rritur edhe shpnezimet e shtetit.

Athina ka marrë në të kaluarën miliarda euro për rregullimin e autoriteteve të kadastrave. Por deri më sot nuk ka të dhëna të sigurta për pasuritë dhe potencialin për investime. Pse?

Kjo ka të bëjë me mosbesimin e qytetarëve. Qytetarët nuk duan të bashkëpunojnë në këto çështje me administratën dhe me shtetin. Zotëron përshtypja se shteti do të krijojë një përparësi dhe të përfitojë. Këtu duhet shtuar edhe diçka: besoj se nuk është vetëm problemi i mangësisë së fuqisë administrative, por edhe mangësia e kualitetit të tyre. Pa kuadro të kualifikuara nuk mund të ketë një shërbim ambicioz publik dhe ai nuk mund t'i kryejë detyrat e veta.

Pse në Greqi është burokracia për investime kaq e komplikuar, më e komplikuara në BE?

Ky është një problem të cilin nuk mund ta kuptojë askush. Së fundi është thënë se partitë politike kanë një mosbesim të madh ndaj sipërmarrjeve private. Greqia nuk e ka arritur një kapitalizëm të pjekur kurrë, që nga koha e lirimit prej perandorisë osmane. Ajo nuk e ka arritur ekonominë stabile të tregut. Zhvillimet në Greqi kanë qenë gjithmonë nën kontrollin e fuqishëm të shtetit. Pas kësaj fshihet frika e pasurimit tepër të madh të sipërmarrjeve dhe marrjes prej tyre të kontrollit të shtetit. Kam frikë se kjo nuk do të ndryshojë as në kohën e kësaj qeverie.

Intervistën e zhvilloi: Volker Wagener.

Prof. Heinz-Jürgen Axt ka qenë politolog në Universitetin Duisburg-Essen. Në punimin e tij për të marrë gradën doktor i shkencave në vitin 1983 ai kishte si temë: "Greqia dhe Bashkimi Evropian".