1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia: Shpëtohen bankat, por humbasin miliona

Rikapitalizimi i bankave greke është i suksesshëm, por ka efekte anësore. Humbje miliardëshe për taksapaguesit dhe marrëdhënie të dyshimta pronësie.

Fjalët e fundit të ministrit grek të Financave Eukleid Tsakalotos për shpëtimin e bankave do të hyjnë në analet e krizës së borxhit: "Ne jemi viktima të suksesit tonë", tha ekonomisti i parë i Athinës në kuadër të një takimi të ministrave të financave të eurozonës në nëntor - duke pasur parasysh se bankat, për shkak të kërkesës së madhe për aksione, mund të krijojnë kapital të ri të vetin më shpejt se ç'ishte parashikuar dhe me më pak ndihmë nga shteti.

Megjithatë shpëtimi i bankave me organizim të shpejtë ka grackat e veta: Për të tërhequr shpejt sa më shumë investorë sipas metodës reverse-split bankat e dëmtuara në Greqi kanë përmbledhur pjesë të aksioneve në një të vetme duke i shitur me çmime të papërgjegjshme.

E thënë thjeshtë: Njëqind aksione të reja në çmimin e deritanishëm të një aksoni të vetëm. Si pasojë humbasin në vlerë të gjitha letrat bankare, që i ka qëkur në pronësi fondi i shpëtimit publik HFSF.

Humbje miliardash për shtetin

"Shteti dhe taksapaguesit humbasin 30 miliardë Euro", thekson e revoltuar gazeta javore e Athinës To Vima. Procesi dhe dëmi që vjen janë të krahasueshëm me gjendjen në depozitat bankare të Qipros në vitin 2013, kritikon gazeta. Gjithsesi në Qipro ndihmuan në rradhë të parë klientët për të shpëtuar bankat, ndërsa në Greqi këtë e bëjnë taksapaguesit.

Kostas Stoupas, ekonomist dhe analist në portalin ekonomik Capital.gr, e shpjegon këtë për DW si vijon: "Me rreth shtatë miliardë euro investitorët privatë kanë qenë në gjendje ditët e fundit të marrin dy të tretat e kapitalit të aksioneve të të gjitha bankave të sistemit. Si shteti ashtu edhe investitorë të ndryshëm privatë kishin vënë në dispozicion 37 miliardë në fazat e mëparshme të rikapitalizimit, që tani praktikisht janë të humbura."

Nuk ka tjetër alternativë

Megjithatë nuk ka alternativë tjetër përveç kësaj procedure, vë në dukje Stoupas. Apo e formuluar ndryshe: Alternativa do të ishte vetëm, sikur Greqia në vitin 2015 të mos kishte pranuar aventurën e zgjedhjeve të njëpasnjëshme duke rrezikuar besimin për rimëkëmbjen e sistemit bankar, mendon ekonomisti.

Qeveria e majtë dhe e djathtë në Athinë e shohin këtë çështje ndryshe. Ajo pretendon se raundi i fundit i rekapitalizimit në Greqi nuk është pasojë e mungesë së stabilitetit politik dhe ai ka qenë i nevojshëm vetëm për shkak se rritjet e mëparshme të kapitalit nuk kanë pasur sukses. Me fjalë të tjera, konservatorët që kanë qenë më parë në pushtet dhe socialistët janë fajtorë.

Mosmarrëveshje politike

Nga ana tjetër për partitë opozitare shpëtimi i bankave është një skandal për shkak të harxhimit të fondeve publike, por në rradhë të parë për shkak se bankat greke gjoja janë pre e lehtë e spekulantëve të huaj.

Në bisedë me DW deputeti socialdemokrat grek në BE Miltos Kyrkos i shpjegon gjërat kështu: "Pasi bankat greke u rekapitalizuan me paratë e taksapaguesve në vitin 2013, shteti mbajti të paktën 80 përqind të aksioneve në çdo bankë. Tani ne fusim brenda natës miliarda dhe humbasim megjithatë kontrollin mbi sistemin tonë bankar." Sikur të mos ishte e mjaftueshme kjo, ne shesim bankat në hegde fonds, pikërisht tek ata, që politikanët e majtë i quanin hienat e tregut.

Dora Bakoyanni

Dora Bakoyanni

Madje edhe deputetja liberale në çështjet ekonomike, ish-ministrja e Jashtme Dora Bakoyannis, godet me kritikë. Pas raundit të fundit të rekapitalizimit vlera e kuotës së shtetit në bankat greke ka rënë nga 25 miliardë Euro në 500 milionë. Në këtë mënyrë bankat zhvlerësohen plotësisht dhe për më tepër "çhelenizohen", kritikon Bakoyannis.

Ekonomisti Kostas Stoupas nuk e vlerëson shumë këtë retorikë të ekonomizmit patriotik. "Në një ekonomi moderne, të lidhur globalisht, kompanitë operojnë gjithsesi në rang ndërkombëtar. Nuk është vendimtare origjina e kapitalit, por nëse investitori respekton dhe i përmbahet ligjit", shpjegon analisti.

Bursa e Athinës në minus

Shpëtimi i diskutueshëm i bankave rëndon së fundi edhe bursën jo më pak të tronditur të Athinës. Vetëm pas 14 dhjetorit aksionet e blera pas rekapitalizimit do të ofrohen për shitje.

Që tani shifrat e aksionerëve janë në minus; ka ditë të caktuara, kur aksionet e disa bankave bien madje deri në 30 për qind. "Kjo natyrisht që pritej", thotë analisti Kostas Stoupa. "Shumë aksionerë përpiqen ndërkohë të heqin qafe letrat e tyre me një çmim disi të arsyeshëm, para se aksionerët e rinj të hyjnë në biznes me aksionet e fituara lirë. Prandaj indeksi i bankës shkon në minus dhe besoj se për rënie ka ende hapësirë."