1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia pret me tension masat e reja kursyese të qeverisë

Qeveria greke para samitit evropian duhet të kalojë në parlament një ligj me masa të reja shtrenguese. Ky është kushti për këstin e 6-të të ndihmës por edhe një zgjidhje të qëndrueshme të borxhit grek.

Përpara një prove të vështirë - kryeministri grek Papandreu duhet të ndërmarrë masa të reja kursyese.

Përpara një prove të vështirë - kryeministri grek Papandreu duhet të ndërmarrë masa të reja kursyese.

Sprovë dhe madje e madhe ishte sigurisht edhe ajo e aprovimit të programit afatmesëm qershorin e kaluar, që i siguroi Greqisë së zhytur në borxhe vazhdimin e financimit nga troika. Kryeministri Papandreu rrezikoi atëherë edhe dorëheqjen. Por dita e enjte (20.10.) është padyshim «sprova e sprovave” për kabinetin socialist, i cili paraqet në parlament për miratim multi-projektligjin. Ai përmban një duzinë përmbysjesh, shkurtimesh dhe taksash deri në vitin 2015, që i rrit në 40 nga 28 miliardët e kursimeve. Kjo ka ngritur në këmbë jo vetëm sindikatat por gjithë Greqinë. “Jeni në terezi? Çfarë po bëni? Keni vendosur 7 taksa të jashtëzakonshme, 5 taksa pensionistëve, pesë taksa rrogëtarëve, keni ulur 3 herë cakun e të ardhurave të patatueshme, u keni vendosur tri taksa familjarëve me shumë fëmijë, 5 tatime pasurisë së patundshme” - deklaroi në parlament kreu i së majtës, Aleksis Cipras.

Politikani i majtë grek Aleksis Cipras.

Politikani i majtë grek Aleksis Cipras.

Sindikalistët: "Duhet t'i frenojmë se nuk do të lënë asgjë në këmbë"

Ashtu siç bëhet këto ditë nëpër rrugët e Athinës por edhe Selanikut ku zbresin në manifestime dhe protesta të përditshme që nga taksistët dhe pronarët e kamionëve që u shfuqizojnë liçensat deri tek nëpunësit shtetërorë që i nxjerrin në “rezerva pune”, pastruesit e rrugëve që i kërcënojnë me lirim nga puna, mjekët e spitalëve që u përgjysmojnë rrogat dhe arsimtarët që i dërgojnë nëpër shkolla pa tekste shkollore. “Duhet t'i frenojmë se në qoftë se nuk do t'i frenojmë nuk do të lenë asgjë në këmbë. Këtë mesazh duhet të kalojmë tek të gjithë punonjësit, pensionistët, profesionistët e lirë dhe gjithë popullin grek” - thotë Vasilis Stathusis, kryesindikalist i punonjësve të transportit urban, që për dy ditë do të jenë sërish në rrugë këtë javë.

Të gjithë jetojnë me frikën e një tërmeti të madh social

Qeveria ndërkohë e mban vështrimin nga e enjtja, dita e dytë e grevës së përgjithshme 48-orëshe të sektorit publik dhe privat. Atë ditë Papandreu duhet të fitojë një betejë të dyfishtë: Brenda në parlament të kalojë projektligin dhe jashtë tij, të mbajë situatën nën kontroll pa represion të tepruar policor ndaj demonstruesve që do të rrethojnë për gjithë ditën në mënyrë simbolike parlamentin. Është mbledhur shumë “lëndë shpërthyese” siç tregojnë dhe disaprovimet e deputetëve, që janë nën presionin e elektoratit të tyre për të mos votuar. “Të gjithë jetojnë me frikën e një tërmeti të madh, të një shpërthimi social. Nga një anë kemi shoqërinë që akumulon revoltë për shkak të ortekut të masave që merren dhe nga ana tjetër qeverinë që preferon mikrotërmete çtensionuese me mendimin se kështu do të evitojnë lëkundjen e madhe, e cila mbart rrezikun të shfarosë gjithçka.” Kështu shprehet për DW gazetari i mirënjohur Panajotis Ifantis, për të theksuar se “qeveria me metromaninë e saj, që sjell recesion dhe varfërim të skajshëm të shtresave të tëra popullore, ka humbur çdo avantazh politik”.

Analisti grek Panajotis Ifantis.

Analisti grek Panajotis Ifantis.

Sistemi politik në krizë dhe divorc me shoqërinë

Papandreu mund t'i ketë dhënë karakterin e votëbesimit për vetë qeverinë e tij votimit të së enjtes, por asgjë nuk mund të paragjykojë rezultatin. Një deputet paralajmëroi dorëheqjen e tij për sot, 17 tetor, dhe nuk ka dyshim se edhe ish ministrja e Punës Lluka Kaceli, siç premtoi, do t'i thotë “jo” nenit 37 për ngrirjen e kontratave të punës në rang degësh deri në vitin 2015, pasi në thelb shfuqizon kontratën kolektive të punës siç kërkon troika. “A do të kalojë multiprojekt-ligji? Çfarë t'iu them. Mund dhe të kalojë siç ndodhi dhe me programin afatmesëm” - i thotë DW analisti Fotis Papulias. “Qeveria në këto momente qëndron në ajër, ka humbur të gjitha bastionet e saj sociale. Nuk është e rastit që përplaset me bërthamën e fortë të partisë së saj, sindikalistët, kuadrot por edhe anëtarët e thjeshtë, që largohen prej saj si “të tradhtuar”” thekson analisti grek. Sipas tij, në krizë dhe në divorc me shoqërinë është “gjithë sistemi politik që ka dështuar plotësisht”.

Analisti Fotis Papulias.The photos were taken by me in Athens on Saturday. The subject: Greece and the dilemma consent or election. Key word Griechenland Wahlen Discription: 2351: The analist of the left area Fotis Papoulias spekas on DW.

Analisti Fotis Papulias.

Çdo zëri kundërshtar qeveria i kujton se vota pozitive për masat duhet medoemos për 23 tetorin, kur në samitin evropian do të vendoset jo vetëm arkitektura e re e eurozonës por edhe fati i vetë Greqisë. Do të vendoset nëse do të jepet ose jo një zgjidhje e qëndrueshme për borxhin grek prej 360 miliardë eurosh, që do të evitonte falimentimin dhe do të mbante vendin brenda eurozonës.

“Disa luajnë me zjarrin. Dalja nga euroja çon në mjerim dhe në xhungël”, ishte dilema e shtruar edhe një herë me forcë nga ministri i Financave Evangjellos Venizellos. Në të njejtën frymë tre ministra kryesorë me një artikull-manifest drejtojnë apel dramatik për konsensus politik dhe social “ose do t'i bëjmë të gjitha bashkë ose na pret katastrofa”.

Partitë politike ose do të ndryshojnë ose nuk do të ekzistojnë më

Por pyetja “po në qoftë se grekët thonë jo?”, që dëgjohet përditë e më tepër dhe nga gazetarët e huaj, e bën dhe më të mundimshëm ankthin e qeverisë dhe keut të saj Papandreu, i cili përjashton në mënyrë kategorike zgjedhjet.” “Është zgjidhja më e thjeshtë. Në qoftë se populli do të votojë qeverinë dhe të marrë përsipër përgjegjësinë nëpëmjet votës, ta bëjë. Çdo gjë tjetër si plebishite etj., janë vetëm truke për tjetërsimin e vullnetit të populit dhe asgjë tjetër” - thotë Fotis Papulias. “Është e sigurt se partitë politike në Greqi me referencat e tyre sociale aktuale, nuk mund të vazhdojnë të ekzistojnë më. Partitë ose do të ndryshojnë ose nuk do të ekzistojnë”, - thekson nga ana e tij Ifantis, dhe shton se këtë do ta vendosin zgjedhjet. Sipas tij, ndryshimet rrënjësore në jetën dhe punën e njerëzve sjellin dhe ndryshimin e pasmangshëm të peisazhit politik. Ajo që mbetet të shihet është trajta që do të marrë.

Autor: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani