1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia para kutive të votimit

Sonte në darkë (e mërkurë 11 prill) në Greqi pritet të shpallen zgjedhje të parakohshme, të cilat vlerësohen si tejet kritike për vijimësinë e programit të troikës por edhe fatin e vendit në eurozonë

default

"Nxitimi” i kreut të konservatorëve grekë Andonis Samaras të mbajë manifestimin e parë elektoral të dielën që shkoi (sonte në darkë, e mërkurë, Papadhimos pritet t'i kërkojë presidentit shpërndarjen e parlamentit dhe të shpall zgjedhjet për 6 majin) shpjegohet në një farë mënyre me insistimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhje, që “një perëndi e di se çdo të nxjerrin” nga kutitë e tyre, siç do të thoshte një analist grek. Samaras jo vetëm që nuk u step para kritikave për risk të madh për veten, partinë dhe në radhë të parë vendin, që pothuajse i falimentuar kërcënohet dhe me vakuum qeveritar, por shkoi dhe një hap më tej. “E them në mënyrë të prerë dhe kategorike: Përjashtoj çdo bashkëqeverisje me PASOK-un” deklaroi Samaras, i cili ua faturoi socialistëve dhe Papandreut të larguar “gjunjëzimin e vendit”, sikurse tha, dhe justifikoi nënshkrimin e memorandumit të dytë prej tij dhe pjesëmarrjen në qeverinë provizore 5-mujore të Papadhimos me nevojën e evitimit të falimentimit të vendit.

Lojë elektorale me akuza dhe kundërakuza

Në foto, Evangelos Venizellos

Në foto, Evangelos Venizellos

Përgjigja nuk vonoi të vijë nga pasardhësi i Papandreut, Venizellos, që zgjedhjet i quan një “moment përgjegjësie” për qytetarët dhe në radhë të parë politikanët që do të vendosin nëse do të vazhdohet përpjekja titanike, me sakrifica të mëdha sigurisht, në rrugën e euros dhe reformave për daljen nga kolapsi ose jo. “Shpresoja se zoti Samaras nuk do të përsëriste kërcënimin për shpërndarje të vazhdueshme të parlamentit dhe zgjedhje të njëpasnjëshme, nuk do të përsëriste pra kërcënimin për shpërbërje të shtetit dhe të ekonomisë” deklaroi kreu socialist, që përpiqet të “shkurtojë” favoritin konservator të zgjedhjeve i cili nuk bie në grackën që të parashpallë bashkëqeverisjen e kërkuar nga troika.

Shumicën në parlament, por pakicën në popull

Në foto, Tasos Papas

Në foto, Tasos Papas

Një qeveri bashkëpunimi midis konservatorëve dhe socialistëve shihet gati e pashmangshme edhe nga analisti i mirënjohur grek Tasos Papas, pasi sipas tij me firmosjen e përbashkët të memorandumit të dytë me troikën “ekziston baza dhe kuadri i bashkëpunimit”. “Do të marrin shumicën parlamentare të dy bashkë, ka shumë gjasa që ta marrin falë ligjit elektoral që i jep partisë së parë 50 vende shtesë dhe të dy së bashku do të kenë mbi 150 vende në parlament. Por puna është nëse do të marrin dhe mbi 50% të elektoratit, pasi në rast të kundërt do të kenë shumicën në parlament dhe pakicën në popull” i thotë DW Papas, duke kujtuar se një eventualitet i tillë është shumë i madh dhe rivotimi çështje kohe.

Shqetësim në Athinë dhe “dridhma” në Bruksel

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Rezultati i zgjedhjeve mbetet enigmë. Anketimet më të fundit nuk u japin dy partive më shumë se 42% dhe nxjerrin një parlament tetë ose nentëpartiak, gjetje që kanë alarmuar stafet e dy protagonistëve në Athinë dhe shkaktojnë “dridhma” në Bruksel. “Grekët e Pavarur” dhe “Aleanca Sociale”, respektivisht dy grupimet e fundit të konservatorëve dhe socialistëve, por edhe parti të tjera të vogla deri edhe te ekstremi ultra i djathtë “Agimi i Artë” që hyn në parlament, silurojnë dy grupimet kryesore politike dhe përjashtojnë strukturimin e skemave të qëndrueshme qeveritare. “Paqendrueshmëri të tillë politike, fragmentarizëm të tillë politik nuk patëm në asnjë fazë pas ndryshimit politik të 1974-es” thotë Papas, i cili situatën e sotme e krahason me periudhën e viteve 50-të, pas luftës civile, që u deshën shumë vite dhe afirmim personalitetesh të mëdha sa të kapërcehet fragmentarizmi i skenës politike.

Frika e madhe e “votës së ndëshkimit”

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Frika e madhe e këtyre zgjedhjeve është se do të dominojë “vota e revoltës” ose “vota e ndëshkimit” ndaj një klase politike që shihet si përgjegjëse për gjynahun e falimentimit dhe rrënimin e plotë të shtresave të tëra por edhe si e paaftë për të pasur një axhendë të saj për zhvillimin e vendit veç axhendës së masave shtrenguese të troikës. “Unë nuk mund të mendoj reagimin jo të atyre që i quajmë ekstremistë apo pakicë por të masave të mëdha, të atyre që i quajmë nikoqirë të cilët për 2 vjet e gjysëm vuajnë shkurtimet, papunësinë, haraçet, në qoftë se nuk do të shohin një rreze shprese pas zgjedhjeve” thotë opinionistia Marjana Pirjoti. Një shenjë e tillë paralajmëruese ishte vetëvrasja publike e pensionistit 77 vjeçar, në sheshin përballë parlamentit, një “vetëflijim” i qartë simbolik që tronditi stablishmentin politik.

Vota e ndëshkimit është me sa duket dhe ajo çka “bashkon” të majtën që ndodhet e përçarë por gjithsesi do të dalë e përforcuar nga këto zgjedhje. “Të ndëshkohen dy partitë, PASOK-u dhe Demokracia e Re, që nënshkruan memorandumet dhe çuan në katastrofë ekonomike dhe humanitare. Të ndëshkohen jo vetëm për ato që kanë bërë por edhe për ato që përgatiten të bëjnë me paketën e tretë antipopullore ose memorandumin e tretë të qershorit me masa dhe shkurtime gati prej 15 miliardë eurosh” i thotë DW anëtari i sekretariatit politik të partisë së majtë Sinaspismos, Dhimitris Stratulis. Synimi është pra shumë konkret, “dy partitë kryesore të mos nxjerrin 151 deputetë dhe të mos krijojnë dot qeveri” që të vazhdojnë të njejtin kurs kursimesh të rrepta.

E majta synon të vijë e treta dhe të krijojë alternativë progresiste pushteti

Pamje simbolike për krizën në Greqi

Pamje simbolike për krizën në Greqi

Përkundër kritikave se e majta mbetet në nivelin e denoncimeve Stratulis i thotë DW se e majta do të kërkojë paralelisht “votë pozitive, votë shprese” dhe do të afirmohet si e vetmja alternativë qeverisëse progresiste. “Në qoftë se do të afirmohemi si forca e tretë politike, një gjë që realisht mund të ndodhë, dhe dy partitë e tjera nuk do të mund të formojnë qeveri, do të shpalosim programin tonë dhe do të kërkojmë formimin e një qeverie të majtë progresiste për të bërë tri gjëra: denoncimin e memorandumeve, shkurtim më të madh të borxhit dhe një reformë fiskale për të gjetur burime për zhvillimn e vendit dhe politikën sociale” thekson kuadri i së majtës.

Një bashkëjetesë qeveritare ndërkohë për të majtën me komunistët antievropianë gati përjashtohet nga analistët, që cilindo rezultat elektoral të saj të madh e shohin si “përmasë numerike por jo politike”. Gjithsesi fjalën e ka demokracia, që në vendin që e lindi pritet të vërtetojë rregullin se “për demokracitë nuk ka qorrsokaqe."

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti