1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia para inspektimit

Në mënyrë që bankat greke të mund të marrin para fundit të vitit kapital të ri urgjentisht të nevojshëm, kryeministri grek Aleksis Tsipras bën thirrje për reforma.

Greqia po shijon ende një periudhë qetësie. Ministrat e Financave të eurogrupit kërkuan dy javë pas zgjedhjeve të parakohshme në Greqi vetëm një raport. Negociata serioze apo vendime nuk ka pasur. "Greqia është në rrugën e duhur. Kursi është në rregull, një ose dy pika janë të vonuara", tha ministri austriak i Financave Hans Jërg Schelling në lidhje me koalicionin e majtë e të djathtë që vazhdon të qeverisë në Athinë. "Unë dhe homologu imi i ri dhe i vjetër nga Greqia jemi të një mendjeje se kemi shumë punë para nesh." tha shefi i eurogrupit holandezi Jeroen Dijsselbloem.

Problemet me sa duket do të fillojnë nga nëntori, kur Greqia duhet të dëshmojë reformat e thella në sistemin e pensioneve dhe në privatizimin e sipërmarrjeve shtetërore. Bashkëpunimi i qeverisë greke me përfaqësuesit e "kuadrigës" së përbërë nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Fondit Evropian i Shpëtimit (ESM) po shkon mirë për momentin. Por që Greqia të marrë kredi të mëtejshme kuadriga duhet të paraqesë deri në fund të tetorit një raport të gjerë inspektimi.

Tsipras bën thirrje për reforma

Kryeministri i rizgjedhur grek Aleksis Tsipras hodhi në fundjavë gjatë një takimi të partisë parullën, se tani duhet të zbatohen reformat në mënyrë që bankat greke të mund të marrin para fundit të vitit kapital të ri urgjentisht të nevojshëm dhe që pastaj të mund të fillohen negociatat për faljen e borxheve. Tsipras kishte njoftuar gjatë fushatës zgjedhore se "lufta" me kreditorët do të vazhdonte. Por ministri austriak i Financave Schelling tha se grekët e kanë kuptuar mirë se cilat janë kushtet e paketës së tretë të ndihmave dhe se tani do të veprojnë në përputhje me to. Programi i ri i ndihmave për Greqinë është 86 miliardë euro. 13 miliardë euro janë paguar në fund të gushtit dhe dy miliardë të tjera paguhen këtë javë. Paketa e tretë e ndihmave lidhet me masa të rrepta kontrolli të qeverisë greke nga ana e kuadrigës.

Falja e borxhit që kërkoi kryeministri Tsipras u hodh poshtë nga eurogrupi. Por eurogrupi mund të miratojë një lehtësim të mëtejshëm të normave të interesit dhe të principalit. Në këtë mënyrë mund të arrihet përsëri qëndrueshmëria e barrës së madhe të borxhit prej më shumë se 180 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Në qoftë se arrihet kjo, Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të jetë përsëri palë e masave të shpëtimit. Kreu i FMN-së Christine Lagarde hoqi dorë javët e fundit prej kërkesës së saj për faljen e borxheve dhe është tani e kënaqur me arritjen e qëndrueshmërisë së borxhit.

Problem jo vetëm Greqia

Greqia nuk është shqetësimi më i madh i Evropës për momentin. "Ne kemi edhe probleme të tjera në Gjermani, me të cilat duhet të merremi", tha ministri gjerman i Financave Schäuble duke iu referuar krizës së refugjatëve. Ministrat e Financave diskutuan aspektet financiare të lëvizjeve të forta të refugjatëve. Austria, Italia dhe Franca po kërkojnë që shpenzimet e tyre për strehimin e refugjatëve dhe integrimin të përjashtohen nga përllogaritjet e deficitit buxhetor. Pakti i Stabilitetit dhe i Rritjes, i cili parashikon një kufi deficiti prej tre për qind, duhet të trajtohet "më fleksibël". Komisioni Evropian duhet të paraqesë një propozim për këtë. Ministri gjerman i Financave Schäuble, i cili e sheh "fleksibilitetin" më tepër në mënyrë kritike, tha se është i bindur se Komisioni Evropian do të marrë në konsideratë "sipas rregullave ekzistuese" çështjen e refugjatëve në vlerësimin e buxheteve. Por ai tha se i duket megjithatë "çuditshme", që shtete që deri tani nuk kanë bërë shumë për çështjen e refugjatëve, papritmas ngrenë tani zërin për dobësimin e paktit.