1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro Griechenland

9 Maj 2011

Fillimisht një takim i fshehtë, pastaj shumë përgenjështrime. E qartë është vetëm një gjë, Greqisë i ka ardhur laku në fyt. Kërkohet një plan i ri shpëtimi. Ky mund të ishte edhe dalja nga eurozona.

https://p.dw.com/p/11C8q
Fotografi: dapd

Plani i takimit të ministrave të Financave të Gjermanisë, të Francës, të Greqisë, të Spanjës dhe të Italisë së bashku me shefin e vendeve të eurozonës Jean-Claude Juncker, komisarin e BE-së për monedhën dhe Olli Rehn dhe drejtorin e Bankës Evropiane Jean-Claude Trichet, që askush nuk duhet të merrte vesh për takimin, nuk doli sikurse e kishin parashikuar organizatorët. Të gjitha agjencitë ishin plot me lajme dhe të krijohej përshtypja se euros po fillon t'i vijë fundi, të paktën për grekët.

Kthim te dhrahmia?

Ekonomisti i shquar gjerman Hans-Werner Sinn
Ekonomisti i shquar gjerman Hans-Werner SinnFotografi: picture-alliance/ ZB

Greqia thuhet se mendon të dalë nga eurozona dhe të rikthehet tek dhrahmia. Pikërisht ky debat shpërtheu pas takimit të fshehtë: A ka të drejtë një vend që të dalë nga eurozona? Për këtë ky vend duhej të largohet fillimisht nga BE-ja, gjë që teorikisht - sipas nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, është e mundur.

Largimi e "keqja më e vogël"

Ekonomisti i shquar gjerman Hans-Werner Sinn mendon se largimi i Greqisë prej eurozonës do të ishte e keqja më e vogël. Shefi i Institutit ifo tha për gazetën Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung se: "Në qoftë se Greqia do të hiqte dorë prej euros, mund ta zhvleftësojë monedhën e saj dhe të bëhet e aftë për të përballuar konkurrencën." Në një rast të tillë mallrat greke të eksportit do të bëheshin më të lira. Por Greqia nuk është e njohur si ndonjë vend eksportues i fuqishëm dhe që këtu fillon problemi.

Fund i pasigurt

Në fakt është më tepër e pamundur që qeveria greke të marrë një masë të tillë drastike. E para sepse modele të tilla nuk ekzistojnë. Dhe e dyta sepse në tregjet financiare do të krijohen probleme të mëdha në rast se grekët do të lëshohen papritur nëpër bankat e vendit dhe do të kërkojnë të tërheqin paratë, që kanë në bankë përpara se dhrahmia të zhvleftësohet plotësisht. Në këtë rast bankat greke do të falimentojnë dhe duhen shpëtuar, kuptohet nga bota e jashtme.

Strukturimi i borxhit me sa duket i pashmangshëm

Dhrahmi greke
Dhrahmi greke

E pra me sa duket do të kemi strukturim të borxhit. Sepse prej takimit të fshehtë u bë e qartë se Gerqia vazhdon të ketë probleme të mëdha financiare dhe se me sa duket paketa e ndihmave në miliarda nuk do të mjaftojë për ta shpëtuar vendin prej falimentimit. Masat e forta të kursimit frenojnë dinamikën ekonomike, FMN parashikon një minus prej 3%. Sistemi i taksave vazhdon të mos funksionojë si duhet dhe privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore nuk duket se po përparon si duhet.

Debati vazhdon

Në këtë mënyrë të gjithë presin takimin e 16 majit, në të cilin ministrat e Financave të vendeve të eurozonës do të diskutojnë, jo në mënyrë konspirative, nëse për të shpëtuar vendin do të jetë e nevojshme një paketë e re SOS. Në qershor BE-ja dhe FMN-ja do të shqyrtojnë ecurinë e reformave në Greqi dhe do të vendosin në lidhje me pagimin e transhës tjetër të paketës së shpëtimit. Debatet për Greqinë do të vazhdojnë, kjo është e sigurt.

Autor: Henrik Bëhme/Pandeli Pani

Redaktoi: Angjelina Verbica

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë