1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia - një Qipro e re

A kërcënon një Grexit? A do të bihet më në fund dakord? Zhvillimi i mëtejshëm në Greqi mund të ecë sipas skenarit, që u shkrua dy vjet të shkuara në Qipro. Tregjet e kapitalit mbeten të qeta.

"S'ka asnjë arsye për t'u shqetësuar", tha një zëdhënës i kancelares Angela Merkel të hënën. Bursat evropiane këtë fillimisht e panë ndryshe, kudo kurset ranë - me një deri në pesë përqind. Por gjatë ditës gjendja u shtensionua sërish.

Modeli Qipro

Pasi negociatat dështuan, Banka Qendrore Evropiane (BQE) refuzoi që ta zgjerojë kuadrin për kreditë e emergjencës për bankat greke. Kështu ajo i detyroi grekët që të fusin kontrolle të qarkullimit të kapitalit.

BQE nuk pati zgjidhje tjetër, i thotë Robert Halver, analist i Baader Bank DW. "BQE nuk duhet t'i dalë nami se thjesht nuk i respekton negociatat politike, duke thënë "ne po vazhdojmë financimin e Greqisë". "Ky nuk është mandati i saj dhe madje është ilegal."

Megjithatë, mënyra e veprimit të BQE është njëkohësisht edhe politikë e qartë. Sepse me mundësinë që ka për të mos e rritur shumën e kredive emergjente ose për të mos dhënë kredi të tjera emergjente, Banka Qendrore Evropiane mund të ushtrojë presion të madh, thotë Johannes Mayr, ekonomist në Bankën Bavareze.

"Rasti i Qipros ka treguar se BQE ka këtu në dorë një levë shumë të rëndësishme, për t'i detyruar qeveritë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe për të vendosur masa reformuese", tha Mayr në bisedë me DW. Paralelet me Qipron janë të dukshme. Edhe në Qipro negociatat me donatorët ndërkombëtarë u zgjatën mjaft, në mars 2013 Parlamenti më në fund i refuzoi masat e kursimit.

Pas kësaj, BQE kërcënoi se do t'i ndalojë të gjitha kreditë. Vetëm një ditë më vonë u thye rezistenca e përfaqësuesve të popullit. Ata e pranuan planin e kursimeve dhe e vunë atë në jetë. Deri këtu në Greqi nuk ka arritur puna. Por nuk përjashtohet, që BQE t'i ndalojë krejtësisht kreditë, po të votojnë me Jo grekët në fundjavë.

Pak para nga banka

Deri atëherë, në fuqi do të jenë kontrollet e qarkullimit të kapitalit, për ta penguar një dyndje në banka. Edhe këtu, modeli është Qiproja. Për dy vjet pati në Qipro kontrolle të kapitalit, vetëm para pak kohësh ato u hoqën krejtësisht. Grekët lejohet të tërheqin nga automatët e parave më e shumta 60 euro në ditë. Por më të rrepta janë kufizimet për përcjelljen bankare jashtë vendit dhe brenda Greqisë.

"Përcjelljet bankare midis sipërmarrjeve dhe bankave vështirësohen në këtë mënyrë", thotë Johannes Mayr, ekonomist në Bayerische Landesbank. "Kjo është një barrë e rëndë për konjukturën edhe pa këtë të dobët". Ky është edhe një mësim, për të mos i kundërshtuar kredidhënësit- të cilët, siç thonë- i lëshuan shumë pe Greqisë, për ta shpëtuar nga kolapsi.

Zëri i popullit

Nëse grekët votojnë vërtet me "jo", falimentimi shtetëror dhe dalja nga Eurozona bëhen më të afërta. Kjo ndoshta do të ishte për të ardhur keq, por jo tragjike për pjesën tjetër të Evropës, beson Robert Halver. "Ne kemi ombrellat e shpëtimit, dhe BQE do të bënte me të vërtetë gjithçka, që virusi i krizës greke të mos kalojë në shtetet e tjera të Eurozonës." Interesante është të shihet nëse nga këto zhvillime do të përfitojnë forca populiste në Evropë, si Front National në Francë dhe Podemos në Spanjë.