1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia në kthetrat e krizës ekonomike

Borxh prej 12.7%, arkat boshe të shtetit, papunësia rreth 10 % por edhe kredibiliteti i ekonomisë ka rënë para syve të tregjeve financiare...Greqia po përjeton krizën më të thellë financiare të 15 vjetëve të fundit.

default

George Papandreou para detyrave të (pa)zgjidhshme

E vënë nën trysninë e dyfishtë, nga njëra anë të tregjeve ndërkombëtare që shohin me dyshim aftësinë kredimarrëse të vendit dhe nga ana tjetër të vetë Bashkimit Evropian, që kërkon reduktim drastik të borxhit dhe frenim të tatëpjetës financiare, qeveria e re e socialistëve të Papandreut detyrohet t’i "harrojë" premtimet elektorale të tre muajve të parë dhe të drejtojë apel dramatik për një "marrëveshje sociale kombëtare" masash shpëtimtare për ekonominë edhe vendin.

"Ose do ta zhdukim ose do të na zhdukë..."

"Brenda tre muajve të ardhshëm do të marrim ato vendime që nuk kemi marrë për dekada të tëra. Ju ftoj për marrëveshje për të shpëtuar vendin" tha Papandreu, i cili jo shumë kohë më parë kishte kujtuar shprehjen e famshme të babait të tij "ose do të zhdukim borxhin ose borxhi do të zhdukë vendin".

Streik in Griechenland

Protesta dhe greva të shumta

Duke shpallur një politikë "përmbysjesh dhe jo meremetesh", siç tha shprehimisht, në ekonomi dhe administratë, Papandreu premtoi një ulje 4% të borxhit brenda vitit të ardhshëm, nga 12.7 në 8.7 %, shpalli reduktimin e shpenzimeve të ministrive në 10%, pezullimin e punësimit të personelit të ri në sektorin publik dhe ngrirjen e pagave dhe pensioneve mbi 2.000 euro. Së bashku me reformën e re fiskale që pritet të mbushë arkat e shtetit por edhe luftën e papajtueshme kundër korrupsionit, për të cilën Presidenti i vendit Papulias, ftoi në një tavolinë të përbashkët kryetarët e pesë partive politike parlamentare, masat gjykohen si të mjaftueshme që të fillojë kthesa.

Në një përpjekje për të bindur partnerët e tjerë evropianë për efikasitetin e masave financiare por edhe përkushtimin e qeverisë në kursin e stabilizimit të vendit ministri i Ekonomisë Jorgos Papakonstandinu ndërmori një turne të shpejtë në kryeqytetet evropiane Berlin, Paris dhe Londër ku u takua me homologët e tij.

Tödliche Schüsse auf 15-Jährigen Trauer und Randale in Athen‎ Griechenland

"Me kalimin e kohës besoj se do të bindim fillimisht qytetarët grekë dhe më pas partnerët evropianë por edhe tregjet mdërkombëtare për perpjekjen tonë", deklaroi në përfundim të turneut Papakonstandinu, duke nënvizuar kështu edhe një herë rëndësinë që ka rifitimi i kredibilitetit të humbur që e ka bërë Greqinë "shembull evitimi" dhe jo imitimi në gjirin e Bashkimit Evropian.

Kundërshtimet brenda vendit

Masat që po ndërmerr qeveria hasin ndërkohë në kundërshtimin e punonjësve dhe të organizatave të tyre sindikaliste që paralajmëruan një cunam grevash dhe manifestimesh, që po bëhen gati të përditshme në qendër të Athinës. Pas grevës disaditëshe të punonjësve të sektorit të pastrimit të bashkisë së Athinës, dje ishin arsimtarët dhe mësuesit e kopshteve, që manifestuan, kurse sot qendra e kryeqytetit u bllokua nga manifestimi masiv dhe i fuqishëm i sindikatës Fronti Luftarak Mbarëpunonjës (PAME) por edhe i sindikatës së gazetarëve të Athinës.

"Masat e Papandreut janë në pajtim me interesat e afaristëve dhe të firmave të ndryshme, të bursës dhe kapitalit. Indekset e afarizmit dhe kapitalit janë pozitive kurse ato të punonjësve në lidhje me punën, sigurimet dhe detyrimet fiskale janë negative" i thotë Deutche Welles Kristo Batha, përfaqësues i sindikatës PAME. Radikalë në sindikalizmin e tyre, ata kritikojnë Konfederatën e Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë që nuk mori pjesë si "grevëthyese" dhe paralajmërojnë përshkallëzimin e manifestimeve.

Opozita ka mirëkuptim, por...

Konsensusi social nuk do të jetë aspak çështje e lehtë për Papandreun, pavarësisht mirëkuptimit të opozitës së djathtë dhe kryetarit të saj të ri Samaras, për një pjesë të madhe të masave të shpallura. Përballë tij do të ketë gjithë spektrin e majtë dhe veçanërisht partinë e majtë Sinaspismos që e paralajmëron se nuk do të pranojë që "harxhet" e krizës t’i paguajnë shtresat e mesme e të varfëra.

"Ndryshimet midis atyre që thoshte para zgjedhjeve dhe atyre që zbaton sot janë shumë të mëdha" deklaroi kryetari i partisë Sinaspismos, Akesis Cipras, i cili foli për një "përpjekje terrorizmi financiar me qëllim masat e reja të ashpra të pranohen nga qytetarët si të natyrshme dhe të nevojshme". Dorën e masave drastike të Papandreut kërkon ta frenojë dhe një pjesë e kuadrove të vetë PASOK-ut që duan një "përshtatje të butë dhe graduale" duke iu përmbajtur programit social të partisë. Sidoqoftë, zaret janë hedhur dhe mbetet të shihet se kush do të mbajë barrën e kësaj krize, kapërcimi i së cilës është e vetmja rrugë për Greqinë e zhytur në krizë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 17.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L6bQ
  • Data 17.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L6bQ