1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia mes lëngimit të kursimeve dhe protestës sociale

Masat e reja shtrënguese të qeverisë greke për plotësimin e objektivave financiarë dhe sigurimin e ndihmës nga troika për evitimin e falimentimit, ngjallin reagimin e madh të punonjësve që flasin për “genocid social”.

Ministri grek i Financave, Venizellos

Ministri grek i Financave, Venizellos

“Gjashtë masa të reja për 7 miliardë euro”. Kështu mund të përmblidhen masat që shpalli sa pa u kthyer mirë e mirë nga Uashingtoni ministri i Financave Evangjellos Venizellos. Ato e rrisin në 28 miliardë euro sasinë e parave që duhet të dalin deri në vitin 2014 nga xhepat e taksapaguesve për buxhetin defiçitar që i ngjan një fuçie pa fund. Midis tyre shkurtim 4% të të gjitha pensioneve, reduktim deri në 50% të pagave të nënpunësve shtetërorë nga 1 nëntori, ulje e  cakut të të ardhurave të patatuara nga 12.000 në 5.000 për këtë vit. Jane masat më të fundit, por jo të fundit. “Masa, masa, masa, asgjë tjetër. Po u marrin frymën njerëzve, por frymë ekonomia nuk merr” thotë Aretia, një vajzë e re që me zi pret ditën të kthehet në Dresden të Gjermanisë për masterin e saj në Ekonomi. 

Qytetarët nuk besojnë në efikasitetin e masave

Në radhët e asistencës së papunësisë apo të “rezervave të punës janë si pensionistë të dëshpëruar nga shkurtimet drastike edhe të rinj të revoltuar për mungesën e perspektivës në vend.

Sotiris Janakas ka vështirësi të shkolloj djalin

Sotiris Janakas ka vështirësi të shkolloj djalin

Grekët nuk i besojnë Venizellos kur thotë: “Duhet të arrijmë mundësisht sa më shpejt teprica primare, pra menaxhim financiar të ekuilibruar që të mos prodhojmë borxh kur kemi një borxh kolosal”. Për arsyen e thjeshtë se nuk besojnë në efikasitetin e masave që kanë arritur në 70 deri më sot dhe janë bërë si një “buletin i përditshëm”. Sipas një anketimi të fundit të shoqërisë demoskopike GPO, 72.2% e të anketuarve i shohin masat si “jo rezultative”.

“Më vrasin ëndrrën për një pleqëri të denjë”

Ndërkaq 92.2% e të anketuarve i konsideron masat shoqërisht të padrejta. Ky është edhe indeksi më shqetësues si për pasojat po kështu edhe për fatin e tyre. “Shkurtimet duhet të fillojnë nga ata që na qeverisin. Ata janë shteti shkaperdar. Nuk jam unë. Unë as vodha as bashkë i hengrem siç pretendon nënkryetari i qeverisë Pangallos. Ata qarkullojnë me limuzina, ata bënë mitmarrje, ata shkatërruan shtetin” thotë Sotiris Janakas, marinar pensionist.

Jovan Prifti nuk e ka të lehtë të nxjerrë jetesën me ëmbëltoren

Jovan Prifti nuk e ka të lehtë të nxjerrë jetesën me ëmbëltoren

Marinari kujton: “Fillova në vitin 1973 nga zeroja dhe shoh se jam kthyer prapë në pikën zëro. Muajin e kaluar më prenë 440 euro, më parë më patën ngrenë 60 euro të tjera dhe do të vazhdojë i njejti avaz. Nuk mund të shkolloj djalin e dytë që studion në Selanik” vazhdon Sotiris, që proteston se po i “vrasin ëndrrën për një pleqëri të denjë”. “Në fund duhet të kërkojmë të na japin shkurtimet dhe të mbajnë pensionet” thotë me qesëndi për “hilenë qeveritare”.

Biznesmenët përballë furtunave më të mëdha

Rasti i biznesmenit Jovan Prifti nga Korça të kujton shprehjen “Vaporë të mëdhenj furtuna të  mëdha”. “Është taksa e profesionit të lirë, është taksa e të ardhurave, taksa e solidaritetit që kanë vënë tani...Kemi kreditë për të paguar, janë rrogat e punëtorëve, kemi qiratë për të paguar. Si do të paguhen gjithë këto haraçe” thotë Jovani për cunamin e masave që po godet dhe rrënon pa mëshirë biznesin e tij, një furrë buke-ëmbëltore me emër në qytezën bregdetare Kato Dhiminjo të Korinthit.

Me faturën e elektrikut në dorë, që shënon 2.460 euro për muajin gusht, biznesmeni shqiptar  flet me dhimbje për “listën me veresie që zgjatet përditë dhe për bukën e gojës” por edhe për dilemën e tij munduese: “Po nuk patëm të ardhura nuk do të paguajmë edhe borxhet që kemi. Sado haraçe të na vënë mbi kokë. Shumë herë mendojmë të mbyllim biznesin dhe të ikim andej nga erdhëm”.

Sindikalisti Kostas Konstandopoulos

Sindikalisti Kostas Konstandopoulos

Masat shtyjnë gjithnjë e më shumë njerëz nën nivelin zyrtar të varfërisë

"Aty ku s'ka nuk merr as perëndia” thotë një shprehje popullore, por jo edhe qeveria që pretendon se një nga kriteret në marrjen e masave është edhe caku i rezistencës së taksapaguesve. “Në qoftë se konsiderojmë si cak rezistence të njerëzve transferimin e pasurisë nga shumica tek pakica, po atëherë ka të drejtë qeveria. Në qoftë se si cak rezistence konsiderojmë cakun e mbijetesës, atëhere ai është kapërcyer me kohë” thotë Kostas Konstandopullos, sindikalist i organizmit të hekurudhave. Numri i popullsisë nën nivelin zyrtar të varfërisë është rritur, sipas tij, nga “40% që ishte në fillim të krizës në 60-70% sot me masat e marra”. “Shyqyr që nuk kam fëmijë” vijon ai. Marr 1.250 euro dhe kam po aq detyrime mujore nëpër banka. Këto pas 33 vjetesh pune, qe në moshën 13 vjeç”, sqaron ai.

Jorgo Gjinuria dhe Dhimitër Koka jeojnë me asistencë

Jorgo Gjinuria dhe Dhimitër Koka jeojnë me asistencë

“Haraçin” e masave e paguajnë rëndë edhe imigrantët shqiptar

Direkt ose indirekt “haraçin” e masave e paguajnë shtrenjtë edhe imigrantët. “Jetesa e përditshme për ne imigrantët ka qenë e vështirë dhe bëhet akoma më e vështirë. Kam një vit që jam në asistencën e papunësisë. Marr 450 euro. Kam akoma edhe një muaj. Më tutje? Çfarë duhet të bëj, duhet të ushqehem nga fëmijët, të kthehem në Shqipëri apo ta nis nga e para...” thotë Dhimitër Koka nga Fieri që uron të ikin sa më shpejt edhe ato pak vite që i mbeten për të dalë në pensioni. “Është shumë vështirë, ditë më të vështira po vijnë, them se do të pelcasë ndonjë revolucion” thotë nga ana e tij Jorgo Gjinuria po nga Fieri që ka 2 vjet pa punë, jeton me 500 euro që merr gruaja dhe pret dhjetorin për të paraqitur dokumentet për pension në Shqipëri. Mungesa e shpresës po sjell eksodin.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi