1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia me dhe pa euron

11 Qershor 2012

Skenari i një daljeje të mundshme të Greqisë, nga eurozona po shihet me një shqetësim në rritje në Shqipëri. Realizimi i tij do të ngjallte një krizë besimi në Shqipëri për qëndrueshmërinë e BE-së.

https://p.dw.com/p/15Bse
Fotografi: picture-alliance/dpa

Që nga lindja e këtij skenari, pas zgjedhjeve të dështuara parlamentare greke të 6 majit për të po flitet vazhdimisht si një opcion i mundshëm që ka madje edhe emrin e vet: Grexit. Politikanë dhe ekspertë europianë të ekonomisë, e shohin Grexit të lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen këtë të dielë në Greqi. Do të mbesë apo do të dalë Greqia nga eurozona do të përcaktohet nga forca apo koalicioni politik që i fiton këto zgjedhje, nga qënia pro ose kundër vazhdimit të reformave ekonomike dhe politikave shtrënguese financiare në këmbim të vazhdimit të huave nga Trojka deri në fillimin e rritjes ekonomike.

Dr. Gjergj Filipi, ekspert në fushën e ekonomisë, drejtor kërkimesh në Institutin “Agenda” me seli në Tiranë, e sheh skenarin e mundshëm të daljes së Greqisë nga eurozona më tepër si mekanizëm presioni politik. Ai i drejtohet forcave politike greke që fituan pikë në zgjedhjet e para 6 javëve me fajësimet ndaj Trojkës për rëndimin e krizës me masat shtrënguese financiare. “Vendet e BE dhe të eurozonës po tentojnë ta ndryshojnë këtë platformë nga jashtë përmes mekanizmit të kushtëzimit apo presionit për të vazhduar reformat dhe filluar rritjen ekonomike duke mbetur në eurozonë” thotë Gjergj Filipi.

Kosto kolosale për BE dhe vendet fqinjë në Ballkanin Perëndimor.

Kjo përpjekje bazohet në shmangjen e një kostoje, që Gjergj Filipi e quan kolosale si për Greqinë, vendet e tjera të eurozonës, por edhe ato fqinje me Greqinë në Ballkanin Perëndimor. “Largimi nga monedha e përbashkët euro ka dhjetëfishin e kostos që ka patur bashkimi në një monedhë të përbashkët. Pse? Sepse ndryshon këndvështrimi i investitorëve dhe i tregjeve financiare për euron si monedhë, që nuk është më e paprekshme, ndryshon mentaliteti, krijohet kaos, kurset e këmbimit fillimisht hallakaten krejtësisht, derisa të gjejnë vendin e tyre në treg." Me këtë hap euro gjendet në një krizë të fortë besimi në tregjet financiare globale. Efektet pastaj do të jenë tepër negative krejt të paimagjinueshme, thekson eksperti Gjergj Filipi.

Gjergj Filipi
Gjergj FilipiFotografi: DW

Skenari i daljes së Greqisë nga eurozona dhe Shqipëria

Për Shqipërinë pasojat mund të parashikohen, thotë Gjergj Filipi. Në krye të tyre qëndron rënia drastike e dërgesave, remitancave, nga qindra mijra emigrantë që vazhdojnë të punojnë dhe të jetojnë në Greqinë fqinjë, edhe me paga të reduktuara. Monedha që supozohet të zëvendësojë euron do të çvlerësohet.

Një pasojë tjetër do të ketë në sistemin bankar, mendon eksperti. Katër banka të mëdha greke që operojnë në Shqipëri do të ndodhen në kaos. Si në një efekt domono dalja nga eurozona do të sjellë destabilizimin e financave të dobëta të shtetit shqiptar, që rrezikon të gjendet para një situate emergjente financiare me mundësi shumë të vogla ndërhyrjeje. Ndërkohë që Banka Qendrore Europiane dhe banka të mëdha të vendeve anëtare të BE që kanë degë në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor si Raiffeisen Bank, Unicredit apo Intesa SanPaolo kanë rritur likuiditetin në monedhën euro.

Por një dalje e Greqisë nga eurozona do të kishte edhe pasoja sociale. Më kryesorja - shtimi i kthimit të emigrantëve shqiptarë në vendin e tyre të origjinës dhe një valë e re të papunësh. Sipas zotit Filipi pasoja më e rëndë do të ishte goditja që do të merrte me daljen e Greqisë nga eurozona edhe projekti i integrimit europian dhe aspirata e Shqipërisë për të qënë një ditë pjesë e BE. “Dalja e Greqisë nga eurozona do të nxiste një krizë besimi në qëndrueshmërinë dhe soliditetin e BE si një bllok vendesh që mbështeten në qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve, mallrave, kapitaleve” thotë z. Filipi.

Emigrantë shqiptarë në Greqi
Emigrantë shqiptarë në GreqiFotografi: Press Office Lesvos

A mund të ketë efekte pozitive të daljes hipotetike të Greqisë nga eurozona?

Veç pasojave negative të një daljeje hipotetike të Greqisë nga eurozona mund të ketë edhe pasoja potencialisht pozitive për Shqipërinë si rrjedhja e kapitalit grek në euro drejt bankave në Shqipëri nga frika e daljes prej Eurozonës, transferimi i kapitaleve dhe bizneseve greke në Shqipëri në kushtet e rritjes së taksave atje. “Jemi afër me Greqinë dhe kemi një sistem më të ulët taksash” thotë zoti Filipi.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti në depozitat e sistemit bankar të Shqipërisë kanë hyrë rreth 700 milionë euro, të cilat nuk përdoren nga frika e bankave shqiptare. Ato nuk japin kredi nga frika e shtimit të kredive të këqia. Pra është një shtim kapitali që nuk përdoret dhe nuk gjeneron rritje ekonomike për Shqipërinë, është mendimit eksperti Gjergj Filipi.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi