1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia ka ngecur në vend me reformat - Irlanda merr mbështetje të mëtejshme

3 Shtator 2011

Reforma financiare në Greqinë e zhytur në borxhe po ecën më ngadalë nga sa shpresohej. Kreditorët ndërkombëtarë i kërkuan qeverisë në Athinë të ripunojë buxhetin për vitin 2012. Edhe për Italinë pati paralajmërime.

https://p.dw.com/p/12SVx
Pamje simbolike: euro nën trysni prej krizës së borxheve në BE
Fotografi: picture alliance/dpa

Për shkak të paqartësive, përfaqësuesit e të ashtuquajturës Trojka për Greqinë, BE, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN, e pezulluan përkohësisht shqyrtimin e masave të kursimit të Greqisë dhe u larguan nga Athina. Edhe shifrat e reja nga Greqia nuk kontribuojnë për qetësimin e situatës: sipas vlerësimeve të paraqitura nga ministri i Financave Evangelos Venizelos, ekonomia greke këtë vit mund të tkurret me rreth 5%, pra shumë më tepër nga sa pritej fillimisht. Kjo mund të cënojë edhe aftësinë e Athinës për të arritur objektivin e saj për reduktimin e deficitit buxhetor.

Nga qarqet e BE-së u tha se ka përfytyrime të ndryshme për shifrat e Athinës për deficitin dhe se si duhet trajtuar ai. Zyrtarisht BE, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN në një deklaratë të përbashkët thanë se do t'u japin kohë autoriteteve greke të përfundojnë punën e tyre. Pritet që deri në mes të muajit shtator grupi i punës të rikthehet në Athinë për të përfunduar vlerësimin dhe për të vazhduar bisedimet.

Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos.
Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos.Fotografi: dapd

  Athina përpiqet të qetësojë

Athina ndërkaq u shpreh me nota qetësuese: ndërpreja e punës së kontrollorëve ka qenë e planifikuar, deklaroi Venizelos, ndryshe nga raportet nga Brukseli. Trojka ka ngulur këmbë për reforma më të shpejta strukturore dhe ka dashur të shohë projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, thuhet në raportet që flasin për diferenca mes palës greke dhe Trojkës. M.q.s. projektbuxheti nuk do të jetë gati para javës së ardhshme, bisedimet do të vazhdojnë pas dhjetë ditësh. Një ditë më parë dha dorëheqjen kryetari i Zyrës së sapongritur të Buxhetit në Greqi, pas mosmarrëveshjeve me Ministrinë e Financave.

Evangelos Venizelos, ministri grek i Financave, e kishte cilësuar këtë instancë të paaftë, pasi ajo kishte shprehur dyshime për arritjen e objektivave të kursimit. Ministri i Financave theksoi se qeveria nuk do të marra asnjë masë të re për shtimin e të ardhurave buxhetore, përtej atyre të miratuara nga Parlamenti. 

Paralajmërime për Italinë

Edhe problematika e borxheve të Italisë është rivendosur në fokus: në një intervistë për gazetën italiane "Il Sole 24 Ore", shefi i Bankës Qendrore Evropiane Jean-Claude Trichet, i bëri thirrje Italisë të vërë në jetë paketën e kursimeve për reduktimin e krizës së borxheve. Qeveria në Romë në fillim të gushtit njoftoi masa kursimi me një volum prej 45,5 miliardë eurosh, por pak ditë më parë vendosi ndryshime në paketë.

Protesta në Romë kundër masave të kursimeve të qeverisë.
Protesta në Romë kundër masave të kursimeve të qeverisë.Fotografi: picture alliance/dpa

Ngjarjet në Itali vëzhgohen me vëmendje edhe nga Brukseli. Një zëdhënës i komisionerit për politikën monetare, Olli Rehn, deklaroi se objektivat e miratuar të kursimit në Itali nuk mund të vihen në pikëpyetje.

Njoftime pozitive pati për Irlandën dhe Portugalinë. FMN miratoi këstin e radhës të kredisë për Irlandën. Edhe BE dha dritën e gjelbër për mbështetje të mëtejshme financiare për Irlandën. Portugalia, e cila mbështetet me 78 miliardë euro nga partnerët ndërkombëtarë, sipas një njoftimi të BE-së do të marrë këstin e radhës prej 11,5 miliardë eurosh.

Njoftime pozitive vijnë edhe nga Madridi: Parlamenti miratoi me shumicë të qartë vendosjen e një mekanizmi frenues për borxhet. Tani ai duhet miratuar nga Senati, ku nuk pritet të ketë pengesa.

Autor: Marko Langer / E. Xhani (dapd, dpa rtr)

Redaktoi: Bahri Cani