1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Greqia kërkon vazhdimin e integrimeve evropiane

Greqia kërkon integrimin në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2014. Por sa realist është një objektiv i tillë simbolik dhe i guximshëm?

Greqia kërkon sërish vazhdimin e integrimeve evropiane

Greqia kërkon sërish vazhdimin e integrimeve evropiane

'Një dinamikë e re për procesin e integrimit'

Kryeministri i ri grek, Jorgos Papandreu, ithtar i njohur i diplomacisë aktive, që kur ishte ministër i jashtëm, ndërmori një nismë të re për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, proces që sipas tij ka rënë në “batakun e teknokracisë burokratike dhe në thelb ka ngrirë integrimin evropian” të vendeve të rajonit në fjalë. Me nismën e tij të paraqitur fillimisht në Ankara, në takimin jo të radhës të ministrave të jashtëm të Evropës Juglindore dhe së fundi para homologëve të tij evropianë, në samitin e Brukselit, Papandreu kërkon t'i jepet “një dinamikë e re procesit të integrimit” duke venë një “objektiv simbolik, por edhe të guximshëm”.

“Një objektiv politik për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014, pra 100 vjet pas shpërthimit në Sarajevë të Luftës së parë Botërore” tha Papandreu i cili shprehu njëkohësisht vlerësimin se nisma nuk do të kultivojë “shpresa të rreme” me skonto kriterësh, por do t'i japë “shpresë dhe vizion të ri gjitonisë” ballkanike.

“Në vitin 2003 në Selanik vumë themelët për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Ishte një vendim i vështirë” tha Papandreu, i cili me realizmin e tij të njohur politik e cilësoi rrugëtimin që pasoi një “të përpjetë të vështirë” dhe shprehu keqardhjen që vitet e fundit “orientimi dhe dinamizmi i përspektivës evropiane humbën”. Vërtet, bilanci i viteve që pasuan me integrimin vetëm në janar të vitit 2007 të Bullgarisë dhe Rumanisë ( në tetor të vitit 2005 Kroacia dhe Turqia filluan negociatat për integrim dhe në dhjetor iu dha Maqedonisë statusi i vendit kandidat) nuk është aspak inkurajues kur vjen fjala për vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm Kroacia, sipas raportit të progresit të Komisionit Evropian të publikuar më 14 tetor mund të integrohet brenda vitit 2010, Maqedonia mund të fillojë negociatat muajin tjetër në qoftë se gjen zgjidhje konsensusi me Greqinë për emrin, kurse Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, që nga 1 janari i bashkohen zonës evropiane të lëvizjes së lirë, së bashku me Shqipërinë ndodhen në faza të ndryshme të procesit të integrimit.

Greqia pretendon sërish rolin e lokomotivës në integrimin evropian të vendeve ballkanike

Realpolitika greke, por edhe një obligim më i thellë moral i Greqisë ndaj fqinjve të saj, si vendi më i vjetër evropian i rajonit ballkanik, bëjnë që Greqia të pretendojë sërish, ashtu si në vitin 2003 në Selanik, rolin e lokomotivës në integrimin evropian të vendeve ballkanike. E “zbuloi” vetë Papandreu kur tha se është në “interes të Greqisë kjo perspektivë” e kompletimit evropian, e cila veç të tjerash krijon dhe një dinamikë të re për kapërcimin e mosmarrëveshjeve bilaterale si ajo e emrit me Shkupin. Për shembull “Problemi i emrit për të cilin pata rastin ta diskutoj në mënyrë të qartë me homologun tim Gruevski” tha Papandreu, i cili e sheh “kartën evropiane” si të vetmin mjet efikas dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Turqinë.


Kur Evropa do periferinë e saj të integruar në gjirin e saj, Greqia ka çdo arsye që “oborri i saj i prapëm”, me rreth 20.000 biznese të saj të vogla dhe të mesme dhe interesa të mëdha gjeostrategjike, të përfshihet mundësisht sa më shpejt në familjen evropiane. “Mendoj se është më se e qartë pse Greqia dëshiron të shohë këto vende të bëhen pjesë e Evropës: Kjo do të thotë se zgjidhen përfundimisht problemet politike, rritet niveli i jetesës së këtyre vendeve, ndërpritet ose kufizohet lëvizja e popullsive që akoma sot është deri në një fare mase problem për Greqinë. Mendoj se edhe Greqia edhe rajoni kanë vetëm për të fituar nga eventualiteti i integrimit të plotë të këtyre vendeve në B.E.” i thotë Deutsche Welles drejtori i përgjithshëm i Fondacionit Grek të Politikës së Jashtme dhe asaj Evropiane (ELIAMEP) Thanos Dokos. Konseguente në këtë rol të saj, sipas tij, Greqia sheh se problemi pezull i emrit bëhet “pengesë për një politikë më aktive në rajon”.

Por sa i realizueshëm është objektivi i vitit 2014, apo bëhet fjalë për një moment simbolik historik që thjesht mund të sjellë një shtysë të mëtejshme? “Nga pikëpamja e përmasave të këtyre vendeve, të popullsisë dhe ekonomisë, janë vende që mund të absorbohen lehtë, sipas termit dhe kritereve të shtuara prej Francës në integrimin e vendeve të ndryshme. Nga ana tjetër, ekziston akoma një situatë jo stabile në një masë të konsiderueshme në rajon dhe nuk duhet të harrojmë se Evropa është e lodhur dhe e shqetësuar nga zgjerimi me 10 vendet e vitit 2004 dhe Rumanisë dhe Bullgarisë të vitit 2007. Pra është më shumë simbolik si moment, por kjo nuk do të thotë se flasim për një datë shumë të mëvonshme. Në një të ardhme jo të largët është i arritshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor, një çështje shumë më e lehtë nga ajo e vendeve të tilla si Turqia apo Rumania” sqaron bashkëbiseduesi ynë.

Skeptik dhe bile me pikëpamje diametralisht të kundërt shprehet në Deutsche Welle analisti i mirënjohur grek Jorgos Delastik, që e sheh propozimin e Papandreut si një përpjekje të tij “për të shpetuar shtetet e brishta të rajonit”. “Për fat të keq, problemet në Bosnjë, FYROM dhe Kosovë përbëjnë bomba të kurdisuara” thotë Delastik, që vitin 2014 e konsideron të “paarritshëm si nga ana kohore po kështu edhe politike”. “Por si objektiv, si shpresë mund të luajë një rol pozitiv” shprehet njëkohësisht duke nënvizuar se “evropianët nuk do të kenë iluzionin se do të kenë zgjidhur kështu problemet e rajonit ballkanik”, që sipas tij nuk mund të bëhet pa kaluar shumë kohë dhe pa evropianizimin e tij të plotë.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 12.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KVU0
  • Data 12.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KVU0