1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia kërkon kohë për borxhet

17 Gusht 2012

Athina kërkon të fitojë kohë. Qeveria greke kërkon ta zbatojë më vonë se plani programin e kursimeve, me sa duket që prej vitit 2016. Miratimin e politikanëve të eurozonës kjo ide nuk e ka.

https://p.dw.com/p/15rV5
A do ta arrijë Greqia shtyrjen e borxheve? Kryeministri Samaras
A do ta arrijë Greqia shtyrjen e borxheve? Kryeministri SamarasFotografi: AP

Që grekët duan t'i zbusin direktivat e kursimit - kjo nuk është e re. Këtë e patën premtuar të gjitha partitë greke në fushatën e fundit elektorale. Por që atëherë, Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble i shoi shpresat e mëdha:

"Tani nuk po diskutohet çështja, nëse do të jemi pak më bujarë ndaj Greqisë, por për atë se çfarë mund të përballohet ekonomikisht--çfarë është e besueshme."

Ministri gjerman i Financave, Schäuble
Ministri gjerman i Financave, SchäubleFotografi: picture alliance / dpa

Partnerët e Eurozonës do të kishin me të vërtetë një problem me besueshmërinë e tyre, po t'u bënin lëshime të tjera grekëve. Që prej dy vjetësh ata përpiqen që ta shpëtojnë vendin me kredi nga falimentimi. Si kundërshpërblim, qeveria greke merr zotim se do të kursejë, por që prej dy vjetësh thuajse nuk vërehen suksese.

Shtyrja e borxheve për dy vjet nuk ka gjasa

Tani, kryeministri Samaras kërkon ta bindë Eurozonën se Greqisë megjithatë i duhet më tepër kohë. Marrëveshjet e deritashme parashikojnë që shpenzimet e qeverisë greke duhet të reduktohen me 11,5 miliardë euro deri në vitin 2014. Sipas mediave, Samarasi kërkon që këtë shumë ta kursejë deri në vitin 2016. Pra dy vjet më vonë. Kancelarja ka sinjalizuar që tani refuzimin dhe tërheq vëmendjen për t'iu përmbajtur marrëveshjeve. Në shumicën e vendeve të tjera të euros mendojnë njëlloj. Ministrja austriake e Financave, Maria Fekter është kundër shtyrjes së objektivave të kursimit:

"Greqisë nuk i jep më askush para dhe po t'u mos u përmbahen kushteve, grekëve nuk do t'u japim para as ne."

Po kaq i vendosur shprehet edhe Jyrki Katainen. Kryeministri finlandez kërkon për çdo kredi që i jep një vendi borxhli një peng ose garanci. Mosbesimi është kaq i madh sa nuk besohet se finlandezët kanë hapësirë për lëshime. Ashtu si edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili përballon një pjesë të kredive. Shefja e FMN, Christine Lagarde tha vetëm pak ditë më parë se Greqia duhet të bëjë më shumë, jo më pak.

Christine Lagarde, shefe e FMN
Christine Lagarde, shefe e FMNFotografi: AP

"Shpresa ime është se Greqia do t'i rivendosë kushtet për negociata të mira. Kjo do të thotë se ky vend edhe do t'i vërë në jetë reformat dhe të bëjë gjithçka për të mbetur pjesë e eurozonës."

Që grekët ta zgjasin programin e kursimeve ndoshta edhe me dy vjet, kjo me siguri nuk është ajo që dëshirojnë evropianët. Sepse më shumë kohë për grekët do të thotë edhe më shumë para, që u duhen. Por meqenëse drama e borxheve greke po zgjat kaq shumë dhe sukseset mungojnë kryeministrat e Eurozonës me siguri e kanë të vështirë që t'i mbështesin sërish grekët. Kryeministri Samaras duhet të llogarisë negociata të ashpra.

Autor: Leon Stebe/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti