1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Greqia jashtë eurozonës? Gjermania ende nuk ka vendosur

Deklarata e zëvendëskancelarit gjerman, Philipp Rösler për falimentim të kontrolluar të Greqisë ndez debatin për përjashtimin e Greqisë nga eurozona. Kancelarja Merkel bën të qartë se pret vendimet e trojkës evropiane.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Pas deklaratave të ministrit gjerman të Ekonomisë dhe zëvendëskancelarit, Philip Rösler (FDP) në fundjavë për një falimentim të kontrolluar të Greqisë si shansin e fundit me qëllim stabilizimin e eurozonës nga borxhet, reagon edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Merkel tha në Berlin se ajo nuk mendon se puna do të shkojë deri aty sa Greqia do të nxirret jashtë eurozonës. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert tha në Berlin të hënën se qeveria gjermane, nuk llogarit me daljen e Greqisë nga eurozona. "Ne duam të stabilizojmë eurozonën me të gjithë shtetet anëtare" tha Seibert. Qeveria gjermane nuk do një debat për përjashtimin e Greqisë.

Sekretari i Përgjithsëm i CDU-së, Hermann Gröhe kritikoi debatin e ndezur pas deklaratave të Röslerit për falimentim të mundshëm, duke dalë kështu hapur kundër partnerit të koalicionit.

Steffen Seibert zëdhënësi i qeverisë

Steffen Seibert zëdhënësi i qeverisë

Por përjashtimi i Greqisë nga eurozona edhe sikur të dëshirohet nga qeveria gjermane nuk bëhet aq kollaj. Marrëveshjet evropiane nuk e parashohin një dalje vullnetare nga eurozona dhe as përjashtimin e një vendi nga unioni. "Madje edhe vetë kuadri ligjor e pengon këtë hap", tha Seibert në Berlin.

Për kancelaren gjermane Merkel, rezultatet e trojkës evropiane për Greqinë kanë një rëndësi vendimtare. Kjo vlen për të gjithë koalicionin qeveritar, tha zëdhënësi i qeverisë.

Vendimet e trojkës janë fjala e fundit

Trojka e ekspertëve të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evopiane udhëton këtë të mërkurë në Athinë për të kontrolluar sukseset e Greqisë në drejtim të programit të kursimeve. Deri më tani Greqia nuk ia ka dalë të ristrukturojë shtetin dhe të luftojë evazionin fiskal në ato përmasa që pret BE.

Horst Seehofer (CSU) e sheh si zgjidhje të fundit përjashtimin nga eurozona

Horst Seehofer (CSU) e sheh si zgjidhje të fundit përjashtimin nga eurozona

Trysni po i vjen qeverisë gjermane në çështjen greke edhe nga radhët e saj. Kryetari i partisë kristiansociale CSU që qeveris bashkë me CDU-, Horst Seehofer u shpreh se Bashkimi Evropian nuk duhet të kthehet në një union huash. Prandaj përjashtimi nga eurozona duhet parë "si zgjidhja e fundit po qe se se grekët nuk ia dalin të ulin borxhet."

Autor: dpa/Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

 

DW.COM